Ilmi S.Qazimi: Ç’janë këto kamera që dalin nga qyteti…?!

141
Sigal

 

Paradoksi: Qytetet tona qenkan mbushur me kamera spiune të vendosura nga kriminelët dhe drejtori i madh i policisë, e ministri i brendshëm nuk ditkan gjë?!

Kohë më parë ka qënë një këngë popullore humoristike e preferuar, që këndohej dëndur dhe sillte gjallëri në sallë apo dasmë. ”Ç’janë këto llafe që dalin nga fshati? Të vërteta s’janë po janë nga inati”. Me që jemi te kënga, na ka marrë malli për të dëgjuar të tilla këngë, sepse kemi 30 vjet që vetëm po “shohim” shalë e kofshë në vend të këngës. Dalin ekraneve perversitete të fëlliqura, që shoqërojnë meloditë e gjithfarëllojshme të atyre që mbajnë mikrofonin në dorë e që nxjerrin zëra të ngjirura, të çjerra, kafshërore. Është një farë zhvidhosjeje e përkohshme e segmenteve të shumta të shoqërisë. Do ta kapërcejmë me siguri! Shpreh këtë besim, sepse sado të degjenerojnë njerëzit, shumica e tyre do ta ruajnë ndërgjegjen shoqërore të qenies së vetëdijshme. Po sot, për sadopak analogji e kemi llafin gjetkë: Ç’janë këto kamera, që dalin nga qyteti, janë të vërteta, nga krimineli dhe nga shteti?!

Ka nja dy javë që në Shkodër, qytetin djep të kulturës dhe jo të tradhtisë, të punës së ndershme e jo të kurvërisë, të trimërisë e jo të frikës, “paska vendosur dikush nëpër rrugë kamera që vrojtojnë veprimet e policisë!? ”Dhe jo pak, por mbi 60 kamera në shtatë lagje! Çudi për t’u çuditur! S’kaloi shumë dhe media raporton se të tillë kamera qenkëshin vendosur edhe në  qytetin e Pavarësisë Vlorë, në atë të mitropolisë Korçë, të koranit Pogradec, në katër lagje të Shijakut, gjashtë lagje në Durrësin antik, në qytetin e Muzeut të heroit tonë kombëtar Krujë, në fshatin Nikël, Fushë-Krujë. Edhe në Gjirokastër e Memaliaj. Dhe numuri i kamerave spiune të rrugës të kapura e’ të shkulura’ nga policia deri tani i kalon 130 copë. Akoma nuk po flitet për Tiranën, por me siguri edhe metropoli nuk do të mund t’i ketë shpëtuar këtij rrjeti kaq monstruoz.

Policia, që tani është e vetmja forcë e armatosur që do ta mbrojë popullin shqiptar nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm, deri sa të vijë NATO, pas 96 orësh që të rivendosë situatën mbi katrahurën e mundëshme, raportuaka se dyshohet që të tilla kamera spiune “janë vendosur nga grupe apo organizata të ndryshme kriminale”, të cilat vrojtojnë veprimet e policies, por edhe të njera-tjetrës!?

Ende nuk dimë konkretisht me emra se kush i ka vënë ato kamera nëpër rrugë -veç disave në Durrës e Shijak-, thuhet në media, por dimë se komandimi i tyre u bëkërka me internet nga individë të panjohur krerë të krimit që nga territori i Gjermanisë!?

Këtu duket qartazi se janë një mori problemesh akute për t’u njohur e për t’u zgjidhur për të gjithë ne, qytetarë e pushtetarë, pasanikë dhe të varfëruar, shtypës dhe të shfrytëzuar: krimi po na grryen jetën dhe trurin si krimbi drurin. Ai po paralelizon me shtetin, ai po hedh valle e shteti mban iso!?

Dhe pyetja e parë del vetiu nga shpirti i dregosur që gjëmon: Ku është qeveria? Ku është shteti?  Na kujtohet një e ndodhur realisht pa asnjë zbukurim, para pesëdhjetë e ca vitesh në një qytet periferik jugor. Qytetet tona qenkan mbushur me kamera spiune të vendosura nga kriminelët dhe drejtori i madh i policisë, e ministri i brendshëm nuk ditkan gjë?! Paradoks apo fatkeqësi, si ta quajmë?! Po tani ku është kryetari i qeverisë? Ku janë tërë ato hallka të administratës shtetërore kundër krimit që paguhen nga gjaku ynë si punëtorë dhe si fshatarë, si pensionistë dhe rrogëtarë? Eshtë krejtësisht e pabesueshme që të mos jenë parë nga individë e struktura të këtyre organeve tërë ato kamera që janë vendosur, ditën për diell, nëpër shtylla tensioni, telefoni dhe elektrike dhe ndriçimi anash rrugëve! Kush e ha këtë? Nuk dua të bëj akuzuesin, edhe pse e kam të drejtën si qytetar, por shtrohet pyetja ‘a punojnë organet e shtetit tonë apo jo’? Tani që edhe tek ne në Shqipërinë me zhvillim të ngadaltë kaotik ’rrumpallist’ kapitalist, ka hyrë teknologjia thuajse tërësisht si në Perëndim, përse nuk funksionon ajo në interes të mbrojtjes nga kriminelët vendas apo të huaj? Pse nuk punon kundër kriminelit makina shtypëse e shtetit, por vetëm kundër varfanjakut?

Po lexojmë e dëgjojmë ngushëllime e urime, deri edhe fjalime lakonike e filmike nga qeveritarë, kryetarë e anëtarë të kabinetit femëror të z.Edi Rama, edhe të shkallarëve të tjerë partiakë të majtë, por për këtë aspekt asnjë fjalë nuk është thënë! Pa le po të pëlliturit e ‘Tersit të Pojanit’ në parlament, në konferenca shtypi e nëpër rrugë, të një njeriu që i ngjan më shumë qenit plak na i prish edhe më shumë humorin. Është kthyer në një ndotje akustike dhe mjedisore, një zhurmues në një kor të sinkronizuar me të gjithë antishqiptarët , madje herë herë edhe me qeveritarët,-kudo ku janë e ku nuk janë. Edhe më tej lind pyetja legjitime: Kush e drejton krimin sot në Shqipëri, qeveria apo opozita? A mos vallë shteti është vetë krimi? Nuk janë ekstremizma, këto që them, por realitete të hidhura që nën ombrellën amerikane të luftës kundër çdo qelize të komunizmit në Shqipëri, të asgjësohet edhe tërë çka shqiptare! Por kot e kanë, edhe ata matanë oqeanit edhe këta puthadorësit tanë qeveritarë e pseudoopozitarë. Shqiptarizmi është pemë mijravjeçare, që edhe kur përkulet nga era apo i digjet dega nga rrufeja, i rimbijnë më shumë filiza nga rrënja.