Engjëll Serjani: Faktet e Nonda Bulkës, për luftën e Vlorës 1920

Nonda Bulka sjell një ngjarje të jetuar nga jeta e Selam Musait, dhe një fakt rrënqethës për rreth 300 dëshmorë të Luftës së Vlorës të 1920, që mbetën pa varre.

Selam Musai dhe 300 trima mbetën pa varre

Sigal

Engjëll SERJANI

Një ngjarje e jetuar nga jeta e heroit të Drashovicës, Selam Musa Salaria, na vjen nga një artikull i panjohur më parë, i shkrimtarit të traditës Nonda Bulka. Ndonëse një histori e thjeshtë e një borxhi të tij tek dyqani i një bakalli, rrëfimi i Nonda Bulkës, hedh një vështrim të plotë mbi epopenë e madhe të luftës legjendare me pushtuesit italianë të vitit 1920. Ky artikull është botuar në periodikun “VLORA-VLORA!”, një almanak që botohej nga Rrethi Letrar i Shtëpisë së Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore Vlorë. Almanaku “VLORA-VLORA” botohej në vitet ’60 nën kujdesin e shkrimtarit të njohur vlonjat Shefqet Musaraj. Artikulli në fjalë është botuar në numrin 4 të një numri special dedikuar 50 -vjetorit të Pavarësisë. Në këtë speciale gjen edhe disa artikuj të tjerë të autorëve të njohur: Halim Xhelo, Veli Stafa, Petro Marko, Ali Asllani, Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Dhimitër Pilika, disa këngë popullore “rapsodi labe” dhe poezi të panjohura nga Fatos Arapi, Ferat Çakëri, Duro Mustafaj, Feti Rrapaj, Kujtim Hoxha, Miliano Stefa, etj. Sipas kronikës së kësaj lufte të lavdishme, forcat ushtarake vullnetare të përfshira në këtë epope historike, në 3 shtator 1920 hynë triumfalisht në Vlorë. Populli dhe luftëtarët e lirisë festonin. Pushtimi 6-vjeçar italian kishte marrë fund. Pas vitit 1912 të Pavarësisë, Shqipëria për herë të parë kishte një qeveri shqiptare që administronte territoret e caktuara në kufijtë e 1913 nga Fuqitë e Mëdha. Në atë triumf, Selam Salaria dhe 300 bashkëluftëtarë të tij nuk arritën të festonin, mandej ata nuk kishin as varre për t’i nderuar sikurse e meritonin. Sikurse dëshmon në këtë artikull vetë shkrimtari Nonda Bulka: “Po ay (Selam Musai) s’ka varr. S’mbeti thrime nga trupi i tij dhe i treqind shokëve të tij. Gjithë topat e Italianit çkrinë mbi trupat e fatosave, po zëmrën e labit s’e çkrinë dot”. Në kuadrin e 100- vjetorit të Luftës së Vlorës, kjo rrëfenjë panjohur deri tani e autorit Nonda Bulka, është një dëshmi e gjallë për angazhimin e njerzve të thjeshtë në një përpjekje të përbashkët të banorëve të Labërisë.  Për figurën e Selam Musait ka shumë këngë, poezi, shkrime historike, por kjo histori e shkurtër, me një fabul të thjeshtë, shkruar rreth 60- vjet më parë, ka një mesazh të veçantë nga autori. “Se njerzit e thjeshtë e ndjejnë më tepër se kushdo dashurinë për atdhe. Dhe s’ka top në botë që ta thërmojë zëmrën e tyre të madhe”, shkruan N. Bulka. “Sa për Luftën e Vlorës të 1920, shkruan Petro Marko, unë kam shkruar romanin “Ultimatumi”. Kuptohet që për këtë luftë shumë gjëra nuk janë thënë, për mua nuk është pasqyruar objektivisht. Ende janë lënë në mjergullnajën e kohës, Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Ahmet Lepenica, Baba Ahmet Turrani, Sezai Çomo, e shumë të tjerë. Më shumë se 70 persona kam pyetur si dëshmimtarë të kësaj lufte legjendare që vendosi fatin tonë kombëtar”. (Gazeta “JAVA” Gjirokastër datë 03.09.1995)  Edhe ky shkrim i shkurtër dhe pothuajse i panjohur i N.Bulkës, dëshmon objektivisht atë që thotë P.Marko, që jo të gjitha të vërtëtat janë thënë e shkruar. Pak, ose aspak është folur e shkruar për faktin rrëngjethës të rreth 300 luftëtarëve dëshmorë, të “çkrirë” nga zjarri i artilerisë italiane, që bashkë me heroin e saj mbetën pa varr.

“Se njerzit e thjeshtë e ndjejnë më tepër se kushdo dashurinë për atdhe. Dhe s’ka top në botë që ta thërmojë zëmrën e tyre të madhe”, shkruan N. Bulka. “Sa për Luftën e Vlorës të 1920, shkruan Petro Marko, unë kam shkruar romanin “Ultimatumi”.

Ribotimi i plotë i këtij shkrimi të panjohur, është një homazh dhe nderim, jo vetëm pë ata që bënë historinë e Luftës së Vlorës, për Heroin e Popullit Selam Musa Salaria, por edhe për ata që shkruan me objektivitet historinë e tyre.

Nonda Bulka

Mexhitja e Selamit* (ngjarje e vërtetë)

Ç’u nise nga Drashovica / Bëre parë nga Babica / Porsi dieli me çika / Ç’e zure topin nga gryka /

Selam Musai o lule… (E popullit).

Aty nga fundi i vitit 1921, pas mbarimit të Luftë së Vlorës, në një dyqan të errët të një bakalli të vogël, at e bir bisedojnë;

  • Pa shiko, o bir, atë defterin e veresievet, dhe nxirri emrat e atyre fshatarëve që na kanë mbetur borxh para se të fillonte lufta.

Dhe i biri, duke zhgaravitur nëpër gishtat e vet lapsin e vogël, nxirte emra pas emrash, kur befas qëndroi dhe i mbërtheu syt mbi një emër të njohur; dhe pyet t’anë:

  • Selam Musa Salaria, na paska borxh një mexhite? Mos është ay i këngës?
  • Po bir, ay është. Ay s’na ka asnjë borxh, as neve, as Vlorës dhe as Shqipërisë.
  • Ta fshij emrin?
  • Jo! Ruaje si kujtim se ay emër vlen më tepër se sa tërë defterët tanë; Selami i lau borxhet me gjakun e tij. I gjori Lap, s’kish pat as sheqer, as oriz, as beze, as krypë; erdhi i mori veresie tek ne dhe s’pati kohë t’i lante borxhet. Me gjithë fukarallëkun, ai mori pushkën kur Vlora e thirri dhe e zuri topin nga gryka.
  • Po varrin ku e ka?
  • Varrin? Po ay s’ka varr. S’mbeti thrime nga trupi i tij dhe i treqind shokëve të tij. Gjithë topat e italianit çkrinë mbi trupat e fatosave, po zëmrën e labit s’e çkrinë dot.

Tërë flota e Sazanit, e Pashalimanit, e Karaburunit, i lëshoi bateritë e saj mbi festebardhët që patën hedhur gunat mbi telat me gjemba dhe me afshin e zëmrës çanë rrugën drejt spitalit. Të tërë festebardhët pa opinga u vranë; s’u mbeti as njishan; po u mbeti nami. Dëgjo biro sesi kërcet kënga e tyre:

Qaf’ e Koçiut moj grykë / Ç’hata bëre atë ditë / Me top e me alitrikë, / Vrave djemtë e Shqipërisë; / Katërqind e ca shehitë, Katërqind e ca të vrarë… Dhe përmes asaj kënge, në sheshin legjendar ku është u ngritur Flamuri, dukeshin sikur bashkë me popullin këndonin labçe edhe trimat me fletë që, ndonëse fëmijët i kishin pa bukë, muarrën armët dhe shkuan të luftojnë për Mëmëdhenë. Se njerëzit e thjeshtë e ndjejnë më tepër se kushdo dashurinë për atdhe. Dhe s’ka top në botë që ta thërmojë zemrën e tyre të madhe.

Njerëz si Selam Musaj nuk vdesin kurrë. Ndaj dhe atdheu i Shqiponjave është i pavdekshëm.

(Marrë nga “VLORA VLORA”, Shtypshkronja “Mihal Duri” – 1962, Almanak Letrar Nr 4, faqe 55-56.)