Dr.Valbona Nathanaili : Dyqanet “bio”, eksperiment i dështuar

Nga një raft në tjetrin, kërko ‘bio’ dhe nuk kuptoja cili produkt ishte ‘bio’. Kosi, qumështi, djathi, gjalpi… me një fjalë gjithë bulmetrat si në çdo supermarket

 Në Tiranë janë hapur pafund dyqane, që reklamojnë se shesin prodhime ‘bio’. Si shumë të tjerë ndoshta, vendosa të provoj diçka që del jashtë listës së dyqaneve të zakonshëm ku bëj Pazar (përgjithësisht, artikuj të caktuar i blej në dyqane të caktuar dhe aq konstante jam, sa që kur hyj besoj e dinë se çfarë do të blej).

Përshtypja e parë: rrëmujë dhe përsëri rrëmujë, por ua fala. Më duhej të vazhdoja me eksperimentin!

Sigal

Përshtypja e dytë: 70 % e produkteve ishte e njëjtë me ato që shiten në çdo supermarket të Tiranës. Por si tiranse tolerante që jam, edhe këtë radhë thashë po ua fal… nuk kanë shumë shitje, dhe përpiqen të rrisin fitimet duke futur edhe artikuj jashtë listës ‘bio’ që reklamon tabela.

Përshtypja e tretë – që më shumë ishte një vendim kokëfortë për t’i vajtur eksperimentit deri në fund – i thashë vetes hiq dorë nga analizat dhe shtrëngo fort koshin se t’i morën të tjerët prodhimet ‘bio’ dhe mbete pa gjë. Nga një raft në tjetrin, kërko ‘bio’ dhe nuk kuptoja cili produkt ishte ‘bio’. Kosi, qumështi, djathi, gjalpi… me një fjalë gjithë bulmetrat si në çdo supermarket – ah, me duhet të korrigjoj edhe përshtypjen e dytë dhe ta çoj në 90 %.

Vendimi i fundit që mora rezultoi fatal, por që e kuptova vetëm kur mbërrita në shtëpi: vendosa të marr gjithçka shkruhej që ishte prodhuar në Shqipëri. Katër avogado të kalbura; sapuni me lavandër që më mrekulloi me erën kur e mora në dyqan, rezultoi që erën e kishte vetëm paketimi. Sapo u hap, era iku bashkë me letrën dhe ngjyra ishte një bezhë e shëmtuar. Por të paktën sapuni ishte më jetëgjatë se avogadot – u flak të nesërmen, sepse qelbi lavamanin – jargëzonte si një qen bulldog! Aq ujë sa harxhoja për të shpëlarë lavamanin, mund të jetonte një javë qetë-qetë një fshat në Afrikë.

Sigurisht, jo të gjitha ishin për të flakur nga dy trasta qe mbusha plot, përpos faktit që ne jemi mësuar të hamë “bio” Shqipërie me kohë, por jo më eksperimente në Tiranë. Kthim pa lavdi në dyqanet ku bëj Pazar gjithnjë.