Ceremonia në hapjen e “Vitit të Naimit”

106

Kryegjyshi Botëror Bektashian Dede Edmond Brahimaj: Naim Frashëri e Dede Ahmeti, përveçse besimtarë bektashianë me kontribute, kanë rrezatuar e rrezatojnë dritë dhe si atdhetarë

Ceremoni e bektashinjve në hapjen e “Vitit të Naimit”

Nga Nuri ÇUNI

Siç ishte paralajmëruar, pasditen e djeshme, në mjediset e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, u zhvilluan një sërë aktivitetesh në kuadër të shpalljes së “Viti i Naim Frashërit”, marrë shkas nga përvjetorët e lindjes e ndarjes nga jeta të bektashiut të madh, poetit kombëtar, Naim Frashëri dhe ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Ahmet Myftarit. Në këtë ceremoni që u përgatit nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, merrnin pjesë qindra besimtarë bektashianë  nga i gjithë vendi, përfaqësues të lartë shetërorë, krerë e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, deputetë, ambasadorë e përfaqësues të ambasadave të huaja në Tiranë, dhjetëra poetë e shkrimtarë. “Ky aktivitet që merr shkas nga detyrimi për nderimin e Naim Frashërit  e Dede  Ahmetit, shërben si një pikënisje e një sërë aktivitetesh që mbyllen pas një viti. Pjesëmarrja e tillë dhe mënyra e organizimit të aktivitetit në përputhje me zbatimin rigoroz  të të gjitha masave të ruajtjes nga pandemia, është në praktikën e Selisë sonë të Shenjtë,  në vlerësim të figurave të shquara bektashiane e atdhetare..”- pohoi mes të tjerave Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Aktiviteti

Pas pritjes së besimtarëve nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, u bë vendosja e kurorave me lule në bustin e Naim Frashërit. Në vazhdim, u ndoq me tejet interes një ekspozitë në natyrë, me qindra dokumente e foto nga mjediset e Selisë së Shenjtë, përgatitur me kulturë e shije nga botuesi e historiani Mehmet Gëzhilli. Në këto eksponate, vizitorët u njohën me jetën dhe personalitetin e këtyre aktiviteteve, krijimatrinë e tyre letrare e atdhetare, botimet e shumta në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaj. Një pjesë e këtyre materialeve, kryesisht të përkthyera apo të siguruara nga arkivat e huaja, publikoheshin për herë të parë. Sipas specialistëve që kanë punuar muaj të tërë në përgatitjen e  kësaj ekspozite të rrallë, në të ardhmen, do të pasurohet më tej me dokumente të tjerë. “Kjo ekspozitë për të cilën është punuar rreth 20-vjet, do të jetë e përhershme, do të shëtisë në dhjetëra mjedise, në aktivitete të ndryshme në gjyshata brenda e jashtë vendit. Po ashtu, në proces do të përgatitet dhe një kolanë e plotë kushtuar jetës, veprimtarisë dhe krijimtarisë së Naim Frashërit”-pohon mes të tjerave për gazetën “Telegraf”, Mehmet Gëzhilli.

Ceremonia

Më pas, në hapësirat natyrore të odeonit nisi ceremonia përkatëse, që u hap dhe u moderua nga aktori Bujar Asqeriu. Pas hapjes me recitimin e disa vargjeve të Naim Frashërit, fjala iu dha Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera ai tha: “Të nderuar vëllezër dhe motra, besimtarë, poetë, studiues, miq të Dede Ahmet Myftarit dhe bartës të pasurive  kombëtare dhe shpirtërore të Naim Frashërit! Më lejoni t’ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këto evente dhe si Kryegjysh Botëror Bektashian, t’ju uroj e bekoj: Paçi fat e mbarësi të përhershme në familjet tuaja! Qysh prej 10 korrikut të vitit 1980, kur kaloi nga kjo jetë Dede Ahmeti, besimtarët bektashianë shqiptarë, e kanë përcjellë me respektin më të thellë veprën e këtij kleriku të madh.  Në dekadën 1980-1990, data 10 korrik, ka mbledhur pothuaj ilegalisht miq e dashamirës të ish-Kryegjyshit Botëror, të cilët ndonëse në kushtet e atij regjimi të egër që kaluam, donin ta mbanin të gjallë kujtimin e tij.  Pas viteve ’90-të  e deri më 10 korrikun e sotëm, me nismën e myrshidit tonë, Dede Reshat Bardhi, kjo ditë mori një kuptim tjetër, u shndërrua në mirënjohjen më të thellë ndaj dede Ahmetit, në dit’ të bashkimit të besimtarëve në çdo cep të Shqipërisë, brenda vëllazërisë bektashiane.  Menduam që pikërisht në këtë jubile përkujtimor të Dede Ahmet Myftarit, të kishim edhe vitin kulturor të Naim Frashërit, të këtij poeti kombëtar, dijetarit të gjuhës shqipe dhe kryebektashiut të Shqipërisë.  Shumë nga ju që jeni sot këtu, keni padyshim perceptimet tuaja personale për poetin tonë të kombit. Me poezitë e tij jemi rritur të gjithë dhe ne krenohemi për atë zjarr atdhetarie që na ka falur në breza. Por unë do të thosha se brenda universit letrar të tij, ndrijnë si yje, ato qindra mijëra vargje që Naimi i kushtoi bektashizmit, duke u zbuluar shqiptarëve se kanë një pasuri të madhe, që duhet ta mbrojnë dhe pasurojnë. E shoh me vend, të falënderoj sot, të gjithë ata studiues, shkrimtarë dhe poetë, brenda dhe jashtë kufijve politik të Shqipërisë, të cilët kanë qenë të përkushtuar dhe të vëmendshëm ndaj veprës së Naimit, sikundër mendoj se gjatë këtij viti kulturor, të hedhim dritë akoma më shumë rreth universit mistik të krijuar prej tij.

Motra dhe vëllezër! Jemi në kushtet e një pandemie botërore, ndaj menduam që kjo datë, megjithë simbolikën e veçantë, të kremtohej sa më thjeshtë. Ne do të respektojmë padyshim figurat e shquara bektashiane, por kurdoherë brenda normave dhe rregullave të përcaktuara nga mekanizmat përkatës shtetërorë.!”.

Në vazhdim, përshëndetën dhe Kryetari i Komunitetit Mysliman Haxhi Bujar Spahiu, drejtues e përfaqësues të katolikëve etj… Ndërkohë, poetë e aktorë të pranishëm, recituan poezi të shkruara enkas për Naim Frashërin.

Në fund, të pranishmit vazhduan bisedën në një koktejl të përgatitur nga Dede Edmond    Brahimaj.

 

Përgatiti faqen: Kujtim BORIÇI

 

DETAJ

“Shumë nga ju që jeni sot këtu, keni padyshim perceptimet tuaja personale për poetin tonë të kombit. Me poezitë e tij jemi rritur të gjithë dhe ne krenohemi për atë zjarr atdhetarie që na ka falur në breza. Por unë do të thosha se brenda universit letrar të tij, ndrijnë si yje, ato qindra mijëra vargje që Naimi i kushtoi bektashizmit, duke u zbuluar shqiptarëve se kanë një pasuri të madhe, që duhet ta mbrojnë dhe pasurojnë. E shoh me vend, të falënderoj sot, të gjithë ata studiues, shkrimtarë dhe poetë, brenda dhe jashtë kufijve politik të Shqipërisë, të cilët kanë qenë të përkushtuar dhe të vëmendshëm ndaj veprës së Naimit, sikundër mendoj se gjatë këtij viti kulturor, të hedhim dritë akoma më shumë rreth universit mistik të krijuar prej tij.”