Bujar Qesja: Personalizimi i historisë së teatrit “Aleksandër Moisiu” dëmton rëndë kulturën dhe teatrin

70 vjetori i themelimit të teatrit “Aleksandër Moisiu”

NOA

…”Duhet të skuqesh për këtë që të them”… m’u shpreh Sulejman Pitarka

…Si mund të jenë ndjerë ustallarët e drejtimit të teatrit në vite, që i kemi ende me frymë Naim Nova dhe Enver Plaku, që nuk i provokuan daljen në skenë qoftë edhe për të ndarë një Fletë Mirënjohje, e jo më për t’i merituar…?

…Sepse ashtu siç shkuan punët, fare mirë shifrën 70-të, mund ta zëvëndësosh me 20 vjetorin e themelimit të tempullit të aktrimit durrsak për periudhën 2003-2023. Parë kështu, torta e 70-të vjetorit shijoi keq…

Nga Bujar Qesja

Mjeshtër i Madh

 

Në një medis të akullt, për më shumë se 120 minuta, u organizua ceremonia zyrtare e festimeve të 70-të vjetorit të krijimit të teatrit “A. Mosiu” të Durrësit. Urimet i adresuam zyrtarisht tek i zoti i shtëpisë. Ai është titullari i Bashkisë për këtë institucion, drejtori Elio Bajramaj. Drejtues pasionant ky Elio. Është diplomuar për kulturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Është fat që këtë prerje erudite të kohës, ta kemi në krye të të vetmes Qendër Kulturore në Durrës. Ia njoh aftësitë, këmbënguljen dhe përkushtimin për t’i dalë të mirës deri në fund.

Por mënyra se si u festua ky përvjetor, mund të ngjallë debate. Në tërësi arti i ka bashkëudhëtare mendimet subjektive, boll që të mos jenë paragjykime tendencioze. Atyre që u ishte besuar ky 70-të vjetor, nuk mund t’ia diskutosh qëllimin e mirë, për t’i bërë jehonë këtij evenimenti të dorës së parë. Në gjykimin tim, falë përvojës së pasur të të marrurit me art, si drejtues i hershëm dhe i vonshëm i institucioneve kulturore në Rreth, si moderator prej dy dekadash, duke e bërë pjesë të jetës këtë skenë të shenjtë, ndaj tjetër mendim. Këto janë ceremoni festive. Bëhet fjalë për 7 dekada, apo 70-të vite jetë të një teatri me peshë në kulturën e Durrësit, por jo vetëm. Në këto 70-të vite, janë përcjellë stafeta brezash në të gjitha kategoritë e përfaqësimit. Privilegj mbi të tjerët, kanë krijuesit e parë dhe më pas raportet historike, ndahen sipas kohës dhe viteve. Një brez nuk duhet të kalërojë, mbi një brez tjetër. Kërkoj mirëkuptimin, të paktën me lexuesit e këtyre rradhëve dhe me miqtë e vërtetë të teatrit dhe nuk e dëshiroj aspak paragjykimin. Në një ceremoni festive, krijohet kornizë e plotë jo më shumë se 60 minuta. Pak a shumë kështu. Më shumë, e dëmton vëmëndjen. Edhe sikur të kesh gjëra e gjëra për të thënë e për të shprehur, në atë sallë të ftohtë, ku shumica e pjesëmarrësve ishte me moshë relativisht të madhe, nuk mund t’ia prishësh kënaqësinë. Për mua mendoj se duhej mbajtur fjala e rastit, ku të flitej në mënyrë të përmbledhur mbi rrugën 70-të vjeçare të teatrit. Të flitej në formë homazhi për ato që nuk jetojnë, por edhe për ato që jetojnë. Kanë të drejtën e tyre, të paktën edhe kalimthi t’u përmëndesh emrat. Në kështjellën 70-të vjeçare të teatrit “A. Moisiu”, kanë vendosur nga një tullë cili më shumë e cili më pak, nga portjeri i derës, e deri tek tekniku i skenës, ndriçuesi, rekujzita, rrobaqepësi, grimi, sufleri, marangozi, fonia, muzika, skenografia, aktorët, regjisorët, drejtuesit, pse jo edhe administrata si pjesë përbërëse e historisë. Më tërhoqi vëmëndjen dhe kjo është e dokumentuar, nëse veprimtaria është e filmuar, që për regjinë e 20 viteve të fundit, flitej shumë më shumë në kohë dhe hapësirë, për regjisoren e sotme se sa për të mëparshmit. Kërkoj mirëkuptim, paragjykimin nuk e pranoj, sepse tashmë mosha ime e ka mbyllur me çelës karrierën, por kërkon mirënjohje dhe respekt.

Po ju kujtoj regjisorët me peshë të teatrit të Durrësit. Pandi Stillu, Panajot Kolo, Misto Zoto, Kadri Pirro, Mario Ashiku, Enver Plaku, Tomor Shishmani. Këto të emëruar. Dhe të tjerë pesha të rënda të regjisurës, kanë bashkëpunuar me teatrin e Durrësit si Sokrat Miho, Esat Oktrova, Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Serafin Fanko, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Edmond Agolli, Spiro Urumi, Ali Bega, Ritvan Malltezi, Milto Profi, Pjetër Gjoka, Lazër Filipi, Vasjan Lami etj. Ti “hedhim” këto? Në një 70-të vjetor të këtyre përmasave, nuk kemi të drejtë t’u përmëndim emrat? Normale është?

Nuk do të gabonim të thonim, që të parët e krijimit me detyra të emëruara të teatrit “A. Moisiu” kanë qenë: regjisor Panajot Kolo, skenograf Ismail Hidri, sufler Mihal Prifti, drejtor Shaban Hidri, punëtor skene Mark Rojda, elektriçist Ivo Kalebota, rrobaqepëse Andromaqi Zagoridha, rekujzita Mustafa Merkaj dhe mobiler Mark Stanaj.

Nëse në këto përvjetorë me evidentime të fuqishme historike, nuk i përmend, nuk i kujton, ti i ke hequr nga lista dhe del mohues i vetë historisë që kërkon të përkujtosh. Pasi përmënd regjisorët është krejt normale të thuash, se rrugën e drejtimit të aktrimit durrsak sot për sot, e drejton regjisoria pasionante Driada Dervishi. Kështu mendoj se nderojmë historinë tonë të teatrit, por edhe këta njerëz të përkushtuar të skenës.

Por edhe drejtorët të kujtohen! Ç’të keqe ka? Pak kanë bërë dhe pak kusure kanë patur mbi kurriz? Ç’të keqe ka përveç se mirë, të thuash se drejtorë në vite të teatrit kanë qenë Shaban Hidri, Llazar Ziu, Gaqo Spiru, Filloreta Fejzo, Remzi Tivari, Sofokli Afezolli, Ibrahim Nova, Bardhyl Agasi, Mirish Kabashi, Xhelal Tafaj, Bashkim Hoxha, Skënder Myshketa, Naim Nova, Enver Plaku, Bujar Qesja, Mimoza Marjanaku, Melsi Labi, Erion Arapi, Elio Bajramaj? Po flet për historinë e teatrit dhe jo për histori personale, për suksese personale.

Pubikut, aq më shumë brezit të ri duhet t’i kujtosh, që të mëdhenjtë e skenës durrsake dhe që janë me tituj mbeten: Nikolin Xhoja “Artist i Popullit”, Mirush Kabashi “Nderi i Kombit” dhe “Artistë të Merituar” Llazar Murati, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Vera Urumi, Marta Burda, Teodor Rupi, Spiro Urumi, Guljejm Radoja dhe Zef Ujkaj.

Të thuash gjithashtu, që krijuesit e parë të teatrit nga 11 janari 1953 janë: Nikolin Xhoja, Meropi Xhoja, Athanas Xhimitiku, Spiro Urumi, Teodor Rupi, Vlash Kalavaci, Semiha Ishmi, Bernardina Qerraxhia, Kolë Tafili, Dhimitër Spiru, Sotor Afezolli, Ferial Alibali, Llazar Murati, Kostë Lezhja. Mbase edhe ndonjë tjetër. Po si përmënde në një 70 –të vjetor, në një sintezë të rëndësishme historike, për ku e keni lënë miqtë e mi?

Kjo festë e madhe, meritonte të ishte gjithëpërfshirëse. E përsëris gjithëpërfshirëse. Por nuk shkoi e tillë. U ndanë në mos gaboj, 16 Fletë Mirënjohje nga Bashkia e Durrësit. Por shumica që i shpërndanë këto vlerësime, ishin nga Tirana. Ato le të ftohen, por jo t’i bësh primarë. Si mund të jenë ndjerë ustallarët e drejtimit të teatrit, që i kemi ende me frymë Naim Nova dhe Enver Plaku, që nuk i provokuan daljen në skenë qoftë edhe për të ndarë një fletë mirënjohje, e jo më për ta merituar?

Ju kujtoj që jemi në 70-të vjetorin e krijimit të teatrit “A. Moisiu” dhe jo të Teatrit Popullor. Ndanë vlerësime Altin Basha, Gëzim Kame, Ervin Çuli, Yllka Mujo, madje edhe më të rinjtë se ata Rozi Kostani dhe Sajmir Braho, deri në aktorë të rinj të trupës aktuale, por jo ato që kanë mbushur kova djerse, për t’i dhënë shkëlqim kësaj skene të shenjtë dhe për të çimentuar emrin e ndritur të aktorit me famë Aleksandër Moisiu. Ky eveniment duhej kthyer transmetim brezash dhe jo në evidentim të simpative personale.

U fol shumë që teatri i takon spektatorit. Por nuk do të ishte mirë, që disa pasionantë të thekur të teatrit, t’u jepnin idhujve të tyre të skenës qoftë edhe një Fletë Mirënjohje të vetme?! Shikimi jo më shumë se vetja, personalizimi i emrave të veçantë, në dëm të arritjeve në tërësi të teatrit të Durrësit, krijoi një situatë, që vetëm bashkim të interesave kulturore qytetare nuk ishte.

Sepse ashtu siç shkuan punët, fare mirë shifrën 70-të mund ta zëvëndësoje me 20 vjetorin e themelimit të tempullit të aktrimit durrsak për periudhën 2003-2023. Parë kështu, torta e 70-të vjetorit shijoi keq.

Ndryshe teksa tenton të bësh të mirën, len shijen e hidhur, që vetëm profesioniste nuk është. Është bërë një libërth për teatrin në vitin 2003. Pra ekziston një punim jo shumë i plotë, por mbetet përpjekja e parë serioze. Këtë duhet ta thuash, ashtu siç mund të pohohet me të drejtë, që një botim i plotë e ka tejkaluar kohën e të çfaqurit.

Mendimi qarkon kështu: të flasim për historinë, me emra dhe mbiemra, me arritjet dhe vështirësitë që janë hasur. Historia e teatrit të Durrësit, nuk fillon sot. U tha, se me 11 janar 2023 kemi 70-të vite teatër. Ku u pa kjo? Si u prek?

Mbaj mënd një episod, që edhe sot kur e kujtoj, më bën të skuqem dhe të ulë kryet. Ishte 11 janari i vitit 2003. Festohej 50 vjetori i krijimit të teatrit “A. Moisiu”. Isha drejtor aso kohe. Nuk e dija, as ma kishin thënë dhe as e pashë gjëkundi të shkruar. Por përgjegjësi mora. Përgjegjësi ndjeva.

Tek dera e hyrjes, çfaqet gjigandi i skenës Sulejman Pitarka. Dialogu.

-Ti je drejtori?

-Po i thashë Pitarkës së madh.

-Duhet të skuqesh për këtë që po të them! Sot ju keni ngjarje të shënuar dhe ftohen ato që janë pjesë e historisë së këtij teatri.

-Çfarë detyrimi kemi mjeshtër? belbëzova i zënë në faj.

-Jam krijuesi i lëvizjes teatrore amatore në Durrës. Flas për vitin 1946. Ndonëse djalë i ri, kam punuar shumë për të formatuar teatrin profesionist, që u hap në Durrës në fillim të vitit 1953. Asnjë ftesë! Asnjë haber nuk më dërguat. Shkon kjo?

Kujdes me historinë! Ajo nuk të fal. Ta shkruajmë, ta flasim dhe ta pohojmë ashtu siç është. Ndryshe personalizimi historik dëmton rëndë, atë që quhet identiteti dhe trashëgimia jonë kulturore.