Aurela Lamepetro/ 75-vjet nga çlirimi i Vlorës dhe fati i Ishullit të Sazanit

2155
Sigal

Sulmi heroik i Brigadës XII Sulmuese kundër forcave  naziste për çlirimin e qytetit bregdetar

Aurela Lamepetro

 (Specialiste historie në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë)

15 Tetor 1944 është një datë e shënuar në historinë e popullit shqiptar, jo vetëm si dita e çlirimit të Vlorës prej pushtuesve nazi-fashistë, por edhe si dita, e cila shënoi çlirimin e pothuajse gjithë jugut të Shqipërisë.

Me këtë 75- vjetor të çlirimit të Vlorës ngushtësisht lidhet edhe çlirimi i një pjese sa të vogël po aq dhe strategjike të qytetit dhe të gjithë vendit, pikërisht, Ishullit të Sazanit. Pavarësisht se Ishulli u çlirua një javë pas Vlorës, ngjarja shënon një pikë tjetër kthese jo vetëm për qytetin, por dhe për fatin kaq të diskutueshëm ndër vite të këtij ishulli, strategjik për nga pozicioni gjeografik dhe të rëndësishëm për nga pikëpamja e ambicieve territoriale.

Pas një sulmi të jashtëzakonshëm të Brigadës XII sulmuese u çlirua Vlora, duke i detyruar nazistët të tërhiqeshin përtej Vjosës. Çlirimi i Vlorës do të ishte jo i plotë pa çlirimin e ishullit të Sazanit. Ishte një detyrim që forcat partizane e kishin për Vlorën e 28 Nëntorit 1912 të Ismail Qemalit, për Vlorën e 1920 të Selam Musait, por edhe për Vlorën e Teli Ndinit, Lef Sallatës dhe shumë bijve të tjerë që kontribuan dhe dhanë jetën për këtë qytet. Ishte një sprovë e madhe ku për të tretën herë Flamuri Shqiptar duhet të valëvitej i lirë në Vlorën e çliruar pa kushtëzimin e aleatëve, pa kontrolle dhe survejime nga komisione ndërkombëtarësh që venin dhe vinin dhe vendosnin për fatin e popullit shqiptar edhe në 15 Tetor 1944 Vlora vendosi vet për të ardhmen e saj.

Në këtë datë forcat partizane u grumbulluan pranë Sheshit të Flamurit. Të gjithë lëviznin në lagje dhe rrugica për të takuar të afërmit e tyre. Vlora për çlirimin e saj kishte derdhur gjak, në betejat e ashpra, në të gjitha pllajat dhe luginat e saj. Çlirimi i qytetit nuk do të ishte i plotë dhe në atë kohë nuk u pa si i tillë edhe nga vlonjatët, por edhe nga Fronti Nacional Çlirimtar, pa çlirimin e Ishullit të Sazanit. Urdhri ishte mjaft i qartë përpara se në Ishull të zbarkonin forcat aleate anglo-amerikane dhe ta mbanin si zonë neutrale derisa të vendosej fati i tij në Konferencën e Paqes në Paris, trupat partizane duhet t’i paraprinin këtij plani në mënyrë që mos të përsëritej edhe njëherë situata e pas luftës së 1920-s ku edhe atëherë nëpërmjet protokollit të Tiranës, trupat italiane u larguan nga Vlora, por jo nga Ishulli i Sazanit duke e mbajtur atë nën administrimin e tyre deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Nëse në 1920 humbja e përkohshme e ishullit të Sazanit mund të justifikohej me dobësitë që shfaqte në atë kohë shteti shqiptar dhe qeveria e Sulejman Delvinës, pavarësisht përpjekjeve të saj, tanimë në 1944-n ky veprim do të ishte i pajustifikueshëm, në kohën që forcat partizane kishin shfaqur epërsi dhe gjithashtu gëzonin mbështetjen ndërkombëtare. Jo vetëm për këtë, por edhe për faktin e vetë rëndësisë që do të merrte ishulli në kohën e konsolidimit dhe rindërtimit të shtetit shqiptar, ai nuk duhej humbur kurrsesi.

Duket sikur Vlora dhe Sazani pavarësisht të ndarë nga njëri-tjetri nga deti janë identifikuar me njëri-tjetrin duke qenë pjesë komplementare. Sazani u çlirua përfundimisht në 22 tetor 1944. Refat Barjami ish-komandant i Brigadës XII sulmuese kujton se: “Atë ditë kur pashë topin që rrahu nga Sazani mbi brigjet e Vlorës, m’u hodh zemra nga gëzimi, se ishulli u çlirua dhe detyra u plotësua!”

Më 21 tetor në mbrëmje një repart i batalionit të dytë të brigadës i komanduar nga Rrapo Sejdo midis tyre dhe Androniqi Derri, u hodhën në ishull me dy varka, të cilat i drejtonin dy italianë. Një veprim i rrezikshëm, por i domosdoshëm. Nisja në drejtim të Sazanit ishte me rrezik, pasi dihej që deti ishte i minuar dhe gjithashtu parashikohej prishja e kohës. Shtabi porositi që të niseshin më të fortët fizikisht dhe ata më me përvojë. Androniqi Derri e vetmja partizane femër në ekuipazhin prej nëntë vetash kujton se: “nuk dihej cila pjesë e detit ishte e minuar, nga mund të zbarkohej dhe ç’forca kishte armiku aty”. Këto probleme ata do t’i zgjidhnin vetë duke qenë të matur dhe të disiplinuar.” Nga kujtimet e partizanëve që u nisën për në ishull ajo që vihet re ishte frika nga e panjohura dhe vështirësia që mund të shfaqej gjatë lundrimit, pasi në ekuipazhin që u dërgua jo të gjithë mundnin të notonin.

Në të gdhirë të datës 22 tetor pasi vunë re konturet e ishullit trupat zbarkuan në Sazan dhe filluan të hapnin zjarr, ndërkohë që zunë kodrat për të dominuar ndërtesat dhe të mos kapeshin në befasi nga armiku. Rrapo Sejdo kujton: “Në njërën prej ndërtesave kishte dritë dhe dëgjoheshin zëra”. Shpejt dhe pa ndonjë mundim ata do të kapnin dymbëdhjetë robër nga të cilët tetë ishin armenë, dy çekë, një polak dhe një italian, ky i fundit shërbente si kuzhinier. Nga dëshmitë e robërve të kapur, armiku gjerman, duke paranderë humbjen në gjithë jugun e vendit, ishte larguar që në mbrëmjen e datës 20 tetor në fshehtësi ndërkohë që ata ishin në krye të detyrave të caktuara. Përveç robërve në ishull u gjetën dy farmaci, një depo me materiale ushtarake dhe bagëti të imta. Në këto kushte u dha sinjali, duke qëlluar me top në drejtim të Vjosë-Treport për marrjen e ishullit.

Burhan Beqari ish-komandant i batalionit të dytë të brigadës XII Sulmuese kujton: “Të shtënat e topit dhe sinjalet me raketa i dëgjuam, por si qëndronte puna në ishull nuk dinim gjë. Pasi na ndihmuan punëtorët e portit me një motobarkë arritëm të merrnim vesh se Sazani, ishulli kala në mes të detit, ishte tanimë në duart e partizanëve”.

E ardhmja e këtij ishulli gjeografikisht shumë pranë Vlorës, por politikisht larg saj për vite me radhë, pas çlirimit do të tregonte se ndër të tjera Ishulli i Sazanit ishte dhe mbetet një ndër krenaritë e qytetit. Nëse dikur ai u çlirua duke u nisur nga ideja e rëndësisë strategjike, politike apo dhe ushtarake, pa menduar kurrë se sot ishulli do të konsiderohej si një nga atraksionet më të rëndësishme natyrore, turistike dhe historike të Vlorës dhe Jugut.