- -Kujtimet e spikeres së RTSH, Angjelina Xhara: Isha spikere kryesore, por aparat televizori, nuk kisha në shtëpinë time
- Thanas Nano: Udhëheqja të pëlqen shumë, vetëm pak më e qeshur në ekran
- – Kur jepej Festivali i Sanremos, ne shkonim me grupe të ndarë, tek miqtë inxhiniera, që kishin televizor

Gazeta Telegraf
Kordonët e kamerave
Në vitet 60-të e 70-të, prozhektorët i kishim ngjitur me portretet tona! Kordonët e kamerave e të korrentit na ngatërroheshin nëpër këmbë. Salla e transmetimeve zyrtare, ishte bërë lokali i kafeve të Radios, fillimisht! Komoditet i madh ishte, kur vajtëm te studiot e mëdha moderne të Televizionit. Kishim parukieren speciale Zhaneta Petushi, që na rregullonte flokët e na bënte grimin në fytyrë. Unë, kisha një fytyrë rozë, që s’kishte nevojë për grim, por ishte rregulli që duhej zbatuar! Një herë në 6 muaj na jepnin edhe material për zbukurim fytyre, por unë i shpërndaja si dhuratë, dhe nuk i përdora asnjëherë! Kur erdha herën e parë nga emigracioni, në Televizionin Shqiptar, pashë një ndryshim të madh! Kudo fotografi të mëdha, të varura në mur me portrete drejtorash nëpër vite dhe punonjës të të gjitha profesioneve, që përbëjnë të gjithë së bashku magjinë e ekranit të vogël! Nuk gjeta në asnjë vënd portretin tim, që në atë kohë isha e adhuruar nga populli, por edhe nga vetë punonjëset që na shihnin me shumë dashuri e simpati… Kur e bëra këtë vërejtje tek një kolegu im, skenarist e regjisor, që tani kishte edhe pozitë shtetërore, më tha: – Pa problem fare Angjelina! Ti ke atë fotografinë me Zerinën, zmadhoje dhe vëre ku të duash! Tek libri i parë për RTSH-në, Skifter Këlliçi, ka vënë dhe fotografinë time me spikeren e mrekullueshme Zerina Kuke, me diçiturën, Angjelina Xhara dhe Zerina Kuke, dy spikeret kryesore të Televizionit shqiptar.
Më vunë edhe në prezantim programi, veç lajmeve, për pak kohë. Më thirri një ditë Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thanas Nano e më tha: – Angjelina, ti ke krijuar simpati të madhe në popull, por ke konsideratë të mirë edhe nga udhëheqja lart…Kanë telefonuar për ty! (Mua më kishin thënë, se vetë Mehmet Shehu, kishte marrë në telefon dhe kishte thënë se isha spikerja, më e mirë dhe serioze e Televizionit) Por unë sot, të kam thirrur për diçka tjetër. Nëse do ti, mund të incizosh një edicion lajmesh e ta shikosh vetë, të bëhesh pak më e qeshur”. Atë fjalën “pak”, e tha sikur ta peshonte! Fjala ishte për një korrigjim të vogël. Unë iu përgjigja, se nuk kisha nevojë për inçizim, do ta realizoja, sa të mundesha…Unë isha spikere kryesore, por aparat televizori, nuk kisha në shtëpinë time! Fillimisht kur u hap zyrtarisht Televizioni Shqiptar, më 1969, në gjithë Tiranën, kishte shumë pak aparate televizive. Kur jepej “Kanconissima” apo Festivali i Sanremos, mbas transmetimit, shkonim me grupe të ndarë, tek dy apo tre inxhiniera të Televizionit, që mbas vajtjes me shërbim jashtë shtetit, për specializim, ishin lejuar të sillnin aparate të vegjël, të blera me kursimet e tyre.
Bashkshorti im, Pandeli Papalilo!
Një nga inxhinierët më të mirë, në fillimet e Televizionit Shqiptar, Pandeli Papalilo, u bë dhe bashkëshorti im! Ing. i RTSH-së, Pandeli Papalilo. Më qëlloi një herë të vija me 6 persona të tjerë, mes tyre dhe inxhinierja e parë femër e RTSH-së, Natasha Goxhaj, pikërisht në shtëpinë e Pandit, në qëndër Tiranës, afër Pastiçeri “Florës”. Të nesërmen dëgjova një teknike që tha: – Sa serioz është inxhinier Pandi, ai di të flasë vetëm për punën! Nuk ngre kokën të të shohë… Unë aty për aty, iu përgjigja: – Ja, do më shohë mua, keni për të parë! – Me portretin tënd ai rregullon figurën në ekran që nga Dajti, -vazhdoi ajo. Unë diçka kisha dëgjuar, nga një kushërira e tij, që punonte në Radio, se ai vinte mbasditeve, vetëm për të më parë mua, nga afër. Pra, me reagimin tim, unë i dërgova “sinjal televiziv” … Dhe vërtetë ashtu ndodhi. M’u afrua një ditë e më tha, se kishte diçka të rëndësishme, për të më thënë… Unë pa u menduar gjatë, i thashë: – Nëse ke mendim serioz, hajde në familjen time! Kaq ishte, erdhi brenda javës, me dajën e xhaxhanë e tij, e kërkuan dorën tek prindërit e mi!
Kolegët e rrallë
Ne spikerit e parë, kishim marrëdhënie shëmbull, pa xhelozi, por me një frymë të plotë mirëkuptimi e bashkëpunimi, njëlloj si në Radio e Televizion. Kujtoj me shumë dashuri edhe Feride Konomin, Meropi Matlien, Liljana Meçën e Elsa Xhajin, Lorenc Zadrimën, Nevzat Dibrën, Ismail Sharrën, Agim Xhekën e Kujtim Meçaj e sidomos yjet e transmetimit direkt, telekronistët magjikë, Alfons Gurashi e Agron Çobani! Me shumë mall kujtoj marrëdhëniet e punës të transmetimit direkt me tekniket e talentuara, Kasjani Gegeni e Vera Bejo, Mira Lyta e Vjosa Luto, Leta Magjistari… etj. Të më falni ju shoqe e shokë të dashur që s’ju përmenda në këto kujtime. Sigurisht, s’mund të lë pa përmëndur kameramanët, ata që na pasqyruan edhe emocionet tona të padukshme e të dukshme para ekranit të vogël magjik, Beqir Derhemi, Stefan Gajo, Pali Kuke, Bujar Kore, Astrit Omeri, Sazan Mane, Tomor Topore etj.
Pas universitetit
Mbaruam universitetin. Prisnim emërimet! Vajtëm tek Fakulteti “Gjuhë-Letërsi” dhe të gjithë ne, studentët, po lexonim emërimet! Na u lodhën sytë duke kërkuar emrat tanë. Përqafime e lotë gëzimi apo ndarje të padëshirueshme… Nuk di sesi, por pranë meje ndjeva me sy kërkues, poeten e njohur të kursit tonë, Vllasova Mustën. Ajo më shikonte mua, unë atë… Kishim ngrirë nga habia! Emrat tanë nuk ishin aty! Por ja, erdhi dhe një shtesë! Vendi ynë i punës ishte, Kinostudio “Shqipëria e Re”! Sova, e përmbajtur, nuk tha gjë, ndërsa unë, thirra nga gëzimi! “Ua ëndrra ime më e madhe është të shikoj filma. Unë jam rritur me filmat te “Kinema 17 Nëntori”, ku e kam shtëpinë” Nuk di çfarë tha Sova, se shoqet tona më të afërta, na përqafuan me mall “Urime, urime…!” Shumë nga ne ishin edhe të menduar! U gëzova që shokët tanë, Violeta Vila, Timo Luto, Natasha Cerga, Liljana Harapi e Fatmira Veisllari ishin caktuar për punë definitive në institucionin e adhuruar, RTSH! Jeta nuk është fushë me lule, ka dhe gjëmba, baltë rrëshqitëse, por edhe rrëpira të rrezikshme! Sa kënaqësi kur takohemi tani si pensionista, pimë kafe të oganizuara aq bukur nga Marjeta, nismëtare edhe për çeljen e linkut tonë në Facebook! Kur hyra për herë të parë në oborrin e Kinostudios m’u duk një mrekulli, lulëzonte pranë ndërtesës monumentale, kopshti i madh, me lloj-lloj lulesh, trëndafila të kuq, vjollca fytyrë çelura, shkurre të vogla me një jeshile dehëse, lë era e mirë e dafinave, që bashkë me aromën e trëndafilave, sillnin vërtet një fllad krijues! Trokita tek dera e drejtorit të institucionit, Vaskë Aristidhi. Si tani më kujtohen fjalët e tij: “Lexuam dosjen tënde, je familje e mirë dhe studente shembullore, të kemi dhe nga Korça… Këtu në Kinostudio, ka dy palë njerëzish, një palë që punojnë, një palë që rrinë. Mundohu të bashkohesh me njerëzit që punojnë” Dhe unë vërtetë punova me shumë pasion e krahas me punën po kuptoja dalngadalë jetën në një mënyrë të re. Arti, studimi, kolegë të shquar, emra të mëdhenj skenaristësh e regjisorësh dhe operatorë fantastikë. Kujtoj me respekt të thellë të gjithë ata me të cilët punova, duke përvetësuar praktikisht dhe teorikisht artin magjik të filmit! Puna kryesore fillimisht ishte xhirimi i suzheteve, që ishin pjesë të kinokronikave. Këtu figurë kryesore ishte operatori. Pra, krahas tyre ne po mësonim abc-në e filmit! Ndërkohë, hapi i dytë ishin dokumentarët, dhe hapi më i lartë filmi artistik. Në atë kohë, figurë kryesore për ne të rinjtë e Redaksisë, ishte i paharruari Peçi Dado, që vdiq shpejt, po ne na dha mësimet e para të dramaturgjisë së fimit, nga diskutimet e skenarëve letrarë në Redaksi, te mendimi kritik në Kolektivin Krijues dhe arti i tij i derdhur në filmin Artistik. Figura e dytë për mua, por e para për të gjithë krijuesit e rinj, ishte udhëheqësi artistik, Kristaq Dhamo, i diplomuar për regji në Hungari dhe me talent të lindur, si regjisor e drejtues i aftë! Figura e tretë drejtuese si dokumentalist, ishte regjisori i shquar i dokumentarit shqiptar, i diplomuar në Bashkimin Sovjetik, Endri Keko. Jam skenariste e disa filmave dokumentarë me të, si për gjimnazin “Qemal Stafa”, për “Lasgush Poradecin”, për nënën vlonjate me 11 fëmijë nga Vlora etj. Një punë shumë bashkëpunuese kam patur me regjisoret femra të dokumentarit, Adriana Elini, Marjanthi Xhako, Vitori, Çeli, Liri Brahimi, Donika Muçi. Dokumentarët që ngelën në themelet e kësaj gjinie të veçantë, janë filmat “Onufri dhe piktura mesjetare” me regjisor Ilo Pando e operator Sokrat Mushën.
Filmat “Dy endje”, ”Qilimat tanë”, “Shkolla Rrëzë Alpeve”, etj. me regjisoren e talentuar, Adriana Elini! Bashkëpunova si skenariste me regjisoren pa fjalë, por shumë të mënçur, Vitori Çeli në realizimin e filmave, “Profesor doktor Aleksandër Xhuvani” e ”Pasioni për shkencën” etj. Me Marjanthi Xhakon, regjisoren e shkolluar në Rusi, kam bashkëpunimin më të gjatë për prodhime dokumentarësh, siç janë filmat “Viti 24”, “Piktori Buza”, etj. Me Donika Muçin, regjisoren e mrekullueshme, kam filma shumë të veçantë dhe të mirëpritur kudo në botë “Fëmijët tanë, “Një këngë e bukur”, “Vogëlushët e fshatit”, “Qyteti Studenti” etj. Me Liri Brahimin, kam realizuar dokumentarin, “Vajzat ushtarake” dhe “Një ditë në Kutalli” etj. Kam kujtime të paharruara nga ky institicion shkollë, që më pajisi me pashaportën e kineastes saqë në vitet e fundit, fillova të punoja si krijuese e pavarur. Do veçoj disa kujtime nga xhirimet e filmave të mi, ose nga puna me skenarët. Unë mbarova një kurs pas universitar për skenariste e kritike filmi, duke u diplomuar në vitin 1977. Gjithashtu, pas universitetit, kam dhënë edhe provimin për gjuhën frënge. Skenarin tim të parë, “Makinat ju presin”, e realizova me operatorin e shquar, Faruk Basha. Me shumë dashamirësi, ai e kishte lexuar vetë skenarin, m’u afrua e më tha: -Filmin mund ta bëjmë bashkë edhe pa regjisor, do e shohësh vetë! Ka qenë i veçantë bashkëpunimi me regjisorin e shquar, Endri Keko. E frymëzuar nga një fakt që lexova tek “Zëri i Popullit” për një nënë vlonjate, që merrte nga shtëpia e fëmijës, të birësonte një fëmijë tjetër, bashkë me 11 fëmijët e saj, shkrova skenarin, duke shtuar shumë detaje nga jeta e një familje të madhe, ku isha rritur unë vetë. Mbasi vajtëm dhe i takuam nga afër pjesëtarët e familjes së madhe vlonjate, unë e gdhiva një natë të tërë dhe të nesërmen lexova skenarin e ripunuar, para gjithë grupit të xhirimit. Pashë se Endrit i shkëlqenin sytë!
Me vete thashë, – e kalova provimin…! Por jo, Endri këmbënguli akoma për detaje më pranë me psikologjinë e familjes si do ta shprehim me gjuhën e filmit, me çfarë detajesh familjare… Dokumentari është zbulim i shkallëzuar në film… Si tani i kam në vesh fjalët e tij, të sinqerta e shumë bashkëpunuese. Dhe vërtet detajet e filmit, vinin vetë para syve. Katër bukë të mëdha, që përditë hynin në shtëpi, të ngrohta që nga dyqani i porsaçelur… Këpucët e fëmijëve, që i lustronte më i vogli me ndihmën e babait, ishin gati çdo mëngjes pas portës së madhe! Për secilin pjesëtar të familjes regjisori gjente diçka për t’i përfshirë në kuadrin e kamerës filmike! Tani e shoh filmin dhe mallëngjehem, njëkohësisht e kritikoj veten për një tekst emfatik, shumë herë, të tepërt dhe të ideologjizuar! Por kështu ishim mësuar, do thoshim patjetër fjalë për Partinë e shokun Enver! Mbaj mënd, kur vajta në Melburn, tek daja im, i arratisur, i tregova dokumentarët e mi, mes tyre edhe atë për traditën e punimit tradicional të qilimave. Papritur një frazë për Partinë e shokun Enver! -Po kjo përse duhet thënë në një film për qilimat? -Eh, u përgjigja unë, është si pashaporta e filmit…!
Regjisori i shquar, Kristaq Dhamo, njëherë në përpjekje për të mos i lënë pa shfaqur, dokumentarët e kohës së Socializmit tha se po t’i heqësh tekstin e mbingarkur me mesazhe ideologjike, nga ana figurative, dokumentarët janë pasqyrë e një kohe të caktuar të historisë sonë. Krejt ndryshe paraqitet situata me xhirimet e filmave artistikë apo ato të filmit vizatimor e me kukulla. Filma artistikë, me nivel cilësor, edhe se të prodhuar në Socializëm janë shumë të dobishme edhe sot, sepse janë filma educative, që flasin përmes karaktereve realiste, për ngjarje e fenomene shoqërore, që kanë rëndësi për të kuptuar edhe të vërteta të pashprehura direct, por të nënkuptuara qartë, në komunikim me shpirtin njerëzor ! Kam parë një film artistik të njërit prej regjisorëve më të mirë grekë, Vulgaris, me temën e kurbetit në Amerikë, dhe m’u duk se kishte zgjidhje artistike cilësore, të ngjashme me filmin tonë të regjisorit të njohur Esat Mysliu, po me këtë temë. Gjuhën simbolike me mesazhe universale i gjejmë në shumë filma artistikë të regjisorëve mjeshtër, Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani, Vladimir Prifti, Gëzim Erebara, Muharren Fejzo, Esat Mysliu, Rikard Ljarja, Albert Xholi, Spartak Pecani etj. Edhe RTSH-ja nxorri regjisorë me nivel të lartë profesional si: Albert Minga, Mevlan Shanaj, Ylli Pepo, Pluton Vasi, etj. Filmi multiplikativ në Kinostudio filloi me veprën e Vlash Dobronikut,”Pika e ujit”, ku unë flas, si spikere. Ishte e çuditshme, pse nuk shkruhej emri i spikerit në atë kohë?! Një komponent krijues themelor siç është zëri, i hiqej e drejta e autorësisë! Isha në Pallatin e Kongreseve, ku u shfaq filmi, dhe zëri im mbushi gjithë sallën madhështore!






























