Albert Habazaj: Konferenca shkencore: “Kontributi i Vlorës në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare”  

Kumtesë: Çlirimi i Sarandës dhe Himarës – ngjarje e shënuar historike

 Msc. Albert HABAZAJ

NOA

Shkurtore

Në nderim të 80 – vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe lakenjtë kolaboracionistë, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë zhvillon konferencën shkencore “Kontributi i Vlorës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Si pjesë e së tërës shqiptare, vendi dhe roli i qarkut të Vlorës në LANÇ është shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të kuptohet i cunguar pa kujtesën historike që vjen nga trevat jugore të qarkut, si Himara, Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi kaon, të cilat, sipas Ligjit Nr. 115/2014 për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë (miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 korrik 2014), janë bashki më vete, pjesë integrale e qarkut të Vlorës.

Për të përditësuar në kujtesën sociale të kohës që jetojmë, së pari për të qenë korrekt me veten dhe të tjerët, na është dashur të bëjmë edhe një vështrim krahsimtar, si janë trajtuar dje dhe si trajtohen sot këto ngjarje historike, që janë shkruar me luftë për liri, me gjak e sakrifica, me vulë trimërie në beteja. Në ndonjë rast kemi vërejtur se ka pasur mospërputhje në dy gjëra që duken dytësore, tek forcat pjesëmarrëse dhe tek datat e çlirimit për secilin qytet, por gjykojmë se nuk ka përse të ketë mëdyshje, aq më tepër që kemi të bëjmë me histori: tek forcat pjesëmarrëse dhe tek datat e çlirimit për secilin qytet.

Për këtë qëllim kemi shfrytëzuar burimet dhe literaturën kryesore retrospektive dhe korente, arkivat, dokumentet e botuara, shtypin, si dhe literaturën e mundshme plotësuese historiografike. Botimet e reja i japin përparësi veprimeve luftarake dhe çlirimtare të forcave partizane dhe aleatët anglezë gjatë L2B pothuaj i shpërfillin apo sa i cekin, si dhe përdorin emërtime të tjera për forcat luftarake të çlirimit. Ndërsa botimet e sotme bëjnë të kundërtën, duke i dhënë përparësi forcave aleate dhe lënë në hije apo i japin rol të dorës së dytë forcave kryesore të çlirimit – 27 brigadat sulmuese të UNÇSH.

Nëqoftëse historianët e kaluar gabuan a bënë faj një herë, këta të sotmit bëjnë dy herë faj. Po pse kështu shkruhet historia?! Këtë do t’u lëmë brezave?! Kështu na qorton koha. Të vërtetën duhet ta themi në sy të vetëtimës, ashtu siç ka ndodhur. Edhe në shtëpi , peshën kryesore e mban i zoti i shtëpisë për çdo situatë, miku të na rrojë, por ndihmës është dhe, kur e ka me shpirt, i shprehim mirënjohjen. Nuk mund të pohojmë, se s’ka logjikë, ngaqë nuk ka ndodhur ashtu siç shkruhet nga disa gjithologë trushkulur, sikur 9 Tetori 1944, qënka dita kur trupat britanike çliruan Sarandën nga forcat gjermane. Sipas këtyre shkruesve, pas disa orë luftimesh, britanikët arritën të çlirojnë pikat strategjike, të cilat mbaheshin nga forcat gjermane, që më pas u larguan drejt Greqisë (?!…). Gjykojmë që nuk vlen të diskutojmë rolin vendimtar të UNÇSH dhe të popullit shqiptar në fitoren historike të Çlirimit të Atdheut tonë të dashur, asnjëherë pa mohuar ndihmën e Aleatëve, apo bashkëpunimin me Lëvizjen Çlirimtare Greke (EAM) dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Greqisë (ELAS).

80 – vjetori i Çlirimit të Sarandës, Himarës dhe trevave jugore të qarkut të Vlorës, njëkohësisht dhe të Shqipërisë është ngjarje e shënuar historike për historinë e popullit shqiptar në rrjedhat e kohës.

Çlirimi i Himarës nderohet çdo 1 gusht, i Sarandës më 9 tetor, i Delvinës më 10 tetor, i Konispolit më 28 gusht dhe i Finiqit më 30 gusht.

Duke u mbështetur në dokumentet e kohës, botimet enciklopedike, të nivelit akademik, në burimet referenciale mbi agresionin nazist dhe qëndresën ndaj tij, po aq, duke studiuar kronikën e ditëve të stuhishme hartuar nga Lefter Kasneci, Raqi Janushi e Stiliano Sallabanda, mund të shprehim dy fjalë nderimi, vlerësimi dhe mirënjohjeje për çlirimtarët e qytetit jonian, duke marrë prej tyre mesazhet e larta të atdhedashurisë dhe të sakrificës sublime për lirinë e Atdheut, 11 tetori 1944 ka hyrë në Historinë e popullit shqiptar si data e çlirimit të qytetit të Sarandës nga forcat e pushtimit nazifashist.

  1. Forcat çlirimtare

Ishin forcat partizane të Brigadës XII e të XIV, si dhe të brigadave VII, VIII e XIX S që çliruan Himarën, Konispolin, Delvinën, Finiqin dhe Sarandën me rrethinat, si krahina të qarkut të Vlorës.

Brigada XII S, e formuar më 20 Maj 1944, në zjarrin e luftës kundër pushtuesve hilterianë në fshatin Sukë të Përmetit, me partizanë të Zonës I Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër,

         Brigada XIV S e UNÇSH u përurua më 17 Gusht 1944 në fushën e Sheperit – Gjirokastër, me luftëtarë të Grupit I të Kurveleshit, të Grupit III të Mallakastrës dhe të Grupit IV të Çamërisë, që bënin pjesë në Zonën I Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër. Goditjet e vazhdueshme të kësaj brigade, e detyruan armikun në qarkun e Gjirokastrës të mbyllej në vende të fortifikuara.

Më 18 shtator 1944, brigada sulmoi kalanë e Borshit dhe forcat armike në bregdetin e Sarandës. pas luftimesh të ashpra, partizanët jo vetëm që muarën kalanë e Borshit, por futën nën kontroll pjesën më të madhe të bregdetit të Sarandës. Më 9 tetor, Br.XIV, së bashku me Br. XII, mori pjesë në luftën kundër forcave fashiste gjermane që ishin përqëndruar në Sarandë. Në këtë luftë të ashpër që zgjati 3 ditë, armiku pësoi humbje të rënda në njerëz dhe teknikë luftarake.

Brig. XIV S, në bashkëveprim me partizanët e Br. XIX S dhe forca të tjera u hodh në sulm për çlirimin e qytetit të Delvinës, ku ndodheshin 800 fashistë gjermanë. Delvina u çlirua më 10 tetor 1944.

Brigada VIII Sulmuese e UNÇSH u përurua më 25 Prill 1944 në Sheper të Zagorisë dhe u formua nga një pjesë e partizanëve të batalionit “Çamëria”, , më 18-19 korrik zhvilloi luftime për çlirimin e qytetit të Gjirokastrës dhe më 28 gusht çliroi Konispolin”.[1]

Brigada XIX Sulmuese e UNÇSH u formua më 30 Gusht 1944 në (Cerkovicë)  Theollogo (sot “Partizani”) të Delvinës, me luftëtarë të batalioneve “Thoma Lula”, “Thanas Ziko” dhe “Pandeli Boçari” të Grupit IV të Zonës I Operative. Kjo brigadë kishte në përbërjen e saj shqiptarë e minoritarë grekë (Brigada e vëllazërimit) si dhe batalionin italian “Mateoti”.

Më 18.09.1944, batalioni i dytë i saj, në bashkëveprim me forcat e Br. XIV S, çliroi Gjirokastrën.

  1. Luftimet dhe çlirimi i Himarës, Sarandës dhe rrethinave

Duke iu referuar dokumenteve burimore, “më 29 Korrik 1944 forca të Br. XII S asgjësojnë garnizonin gjerman në Spile dhe çlirojnë Himarën, pas disfatës që pësuan komandat angleze në orvajtjen e tyre për ta marrë atë nga deti. Më 26 Gusht 1944 çlirohet Konispoli nga Brigada VIII S dhe forca të Zonës I Operative.[2] Këto data, nuk mund t’i quajmë referenciale, pasi datat simbolike që kujton çdo qytet kaon qarkun të Vlorës i cituam qysh në fillim të këtij punimi.

Një vend dhe rol të rëndësishëm ka pasur popullsia çame, historikisht si pjesë integrale e popullit shqiptar. Kujtojmë që në shkurt të vitit 1943, u krijua çeta “Çamëria” dhe pak më vonë batalioni “Çamëria

III. Udhëtim në Kujtesën historike dhe refleksione

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 9 tetor të vitit 1944, u çlirua qyteti i Sarandës. Dy luftanije britanike arritën të bombardonin me sukses pozicionet gjermane. Në bashkëpunim me trupat shqiptare. Të nesërmen e kësaj dite, më 11 tetor 1944, u njoftua edhe çlirimi i Delvinës[3].

Pjesëmarrja e popullit të Sarandës në LANÇL

Rezistenca filloi që me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste 7 Prill 1939,ku ra heroikisht dëshmori i parë i rrethit Mitro Dhimertika. Në vitet që do pasonin u rritën format e rezistencës të popullit kundër pushtuesve italianë dhe më vonë atyre gjermanë.

Gjatë LANÇ kanë rënë dëshmorë 342 partizanë nga të cilët 3 heronj të popullit, 180 viktima lufte, 340 të internuar në kampet e përqendrimit. Dëmet e llogaritura nga lufta arrijnë në 15 milion franga shqiptare, 1500 shtëpi të djegura, 15 mijë bagëti të zhdukura etj.

Konispoli dhe zonat çame kanë kontribuar në LANÇL. Me luftë kjo zonë ka treguar me fakte të shumta e mbresëlënëse për pjesëmarrjen e popullit të Konispolit në luftën çlirimtare. Me 2 Shkurt 1943, në fshatin Markat krijohet çeta “Çamëria” me patriotë nga e gjithë zona dhe me vonë me zgjerimin e saj u formua Batalioni Partizan “Çamëria”.

Në frontin e madh që u krijua kundër pushtuesve, gratë nuk kishin si të mungonin. “ndër to dhe partizania 16-vjeçare  Anife Meto Kiçaj nga Tërbaçi i Vlorës (bashkia Himarë) mori pjesë për çlirimin e Gjirokastrës, të Delvinës. “Ishe rritur me të keq/ Anife, bonjake,/ Mbetur bonjake në djep/ Kur mbushe gjashtëmbëdhjetë/ Shkove me shoqet në çetë/ Luftuat bashkë me djemtë,/…!”[4]. Ollga Boçi në fshatin Piqeras . Partizania dëshmore Lejla Malo nga qyteti i Delvinës. “Lejla Malo, o delvinjote/ Vajzë në lule të lirisë, “Bamp”! – ia bënte pushka jote/ Mu në ball të tradhëtisë”. Gratë u bënë një shtyllë e fortë e LANÇL. Kjo që po ndodhte ishte një mrekulli shqiptare, kjo luftë e ngriti për herë të parë gruan shqiptare në piedestalin e historisë.

Çlirimi i Sarandës dhe i Delvinës

Luftimet u zhvilluan gjatë gjithë ditës, natën e 9 tetorit dhe në mëngjesin e 10 tetorit forcat partizane hyjnë në Sarandë nga tre drejtime, Nga jugu, nga lindja dhe nga veri-perëndimi, ndërsa nga deti sulmonin forcat aleate britanike me artileri të rëndë nga luftanijet e tyre. Kështu Saranda u çlirua. Duke u gdhirë 11 tetori 1944, në orën 04:30’, komanda gjermane filluan tërheqjen e trupave të tyre në drejtim të Kakavijës., më 11 tetor 1944 qyteti i Delvinës u çlirua. Kjo datë është dita e çlirimit të krejt rrethit të Sarandës.

Përveç dëshirës dhe mundësisë për të regjistruar ngjarje dhe data, njerëz dhe histori në kujtesën sociale të brezave, na jep krahë edhe Herodoti i lashtësisë, i cilësuar si “Babai i Historisë” me mesazhin simbolik dhe kuptimplotë “që bëmave të njerëzve të mos u fashitet kujtimi me kohën”[5].

Lavdi Çlirimtarëve dhe udhëheqësve të Çlirimit të Atdheut!

Përulje me nderim para heronjve dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e Shqipërisë!

Rrofshin nderimtarët e LANÇ!

[1] ) “FJALOR Enciklopedik Shqiptar”, vep. e cit. , f. 303.

[2] ) “KRONIKË e ditëve të stuhishme”, vep. e cit., f. 524.

[3]) https://www.kultplus.com/lajme/clirimi-i-qytetit-te-sarandes-me-ndihmen-e-ushtareve-britanike/

[4]) “ATA janë të pavdekshëm”, vep. e cit.: f. 212.

[5] ) HERODOTI, “Historitë”, Tiranë, Botimet IDK, 2014,  f. 23