80-vjetori/ Xhevahir Spahiu, gjenia poetike e papërsëritshme

Marsi fillon me një emër të madh të letërsisë shqipe

Më 1 mars 2025 Xhevair Spahiu mbushi 80-vjeç. Është fat që poetin e kemi midis nesh,
teksa takohet dhe përqafon miqtë me atë dashuri dhe dhemshuri për të cilën të merr
ende malli. I rrethuar nga miqtë e zemrës, ndihet fatlum kur 80 vjetët – ka lindur
në muajin e parë të stinës së Pranverës –i feston i qetë, i gjallë, fitimtar ndaj sëmundjes që
nuk e mposhti shpirtin luftarak. Ndihet mirë të presë urimet dhe surprizat e të njerëzve të
afërt, por nuk pranon të japë intervista për mediat e shkruara dhe vizive. “Jam mirë
vërtetë, por s’flas dot, s’mund të flas”. Në rrethet letrare dhe akademike Spahiu është poeti
më i dashur, “është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria”, është shprehur Dritëro Agolli. Një vit më parë, kur ai kishte 70-vjetorin, institucionet shtërore e shpallën si vitin e tij dhe u kryen njëra pas tjetërs shumë veprimtari. Po në këtë përvjetor u ribotua vëllimi poetik “Udha”, i botuar më parë në vitin 2005. Ky ribotim ka edhe disa poezi shtesë të vëllimit të tij më të fundit “Vetëtimë” janë botuar nga shtëpia botuese “Poeteka”. Akademia e Shkencave zhvilloi vitin e kaluar një takim solemn me shkrimtarin, ndërsa “Poeteka” organizoi në sallën e Teatrit të Metropolit aktivitetin “Ora poetike”.

Sigal


Kush është Xhevahir Spahiu

Xhevahir Spahiu u lind më 1 mars 1945 në fshatin Malind të Skraparit. Diplomohet në vitin 1967 për letërsi në Universitetin e Tiranës. Ka punuar si gazetar, mësues, botues, skenarist. I cilësuar si një nga poetët në zë shqiptarë të dalë në vitet ’70, Spahiu ka botuar një sërë vëllimesh poetike si “Ti qytet i dashur (1973)”, “Vdekje e perëndive (1977)”, “Dyer dhe zemra të hapura (1978)”, “Poezia shqipe (1990)”, “Kohë e krisur (1991)”etj. Së fundi është botuar vepra e tij e zgjedhur, krijimet më të mira ndërmjet viteve 1965-2000. Janë dy vëllime me të njëjtin titull, “Udha”. Viti 1993 e gjen Spahiun sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, struktura bazë e organizimit dhe orientimit të artistëve në 45 vite të regjimit. Shumë shpejt ai emërohet kreu i kësaj strukture, funksion të cilin e kryen deri në vitin 1998. Ndërsa Akademia e Shkencave gjatë zgjedhjeve të saj të fundit e vlerësoi Spahiun duke e bërë anëtar të saj. Për krijimtarinë e Spahiut kanë shkruar mjaft personalitete, mes të cilëve Alfred Uçi, Ali Aliu, Agim Vinca, Robert Elsie, Aleksandër Zoto, Ante Popovski, Xhevat Lloshi, Ali Podrimja, Pano Taçi, Bardhyl Londo, Zija Çela, Rafaele Nigro, etj.

Kanë thënë për poetin

Dritëro Agolli:

Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse

ROBERT ELSIE
(Historia e letërsisë shqiptare, Nju Jork 1995):

Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.

ANTE POPOVSKI,
Shkup, 1998:

Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkojnë rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij…

NDOC PAPLEKA:

Poezia e Xhevahir Spahiut është poezi kryeneçe në ndeshje me vetveten dhe me jetën. Poezitë e tij janë skulptura.

ALEKSANDËR ZOTO,
Antologjia e prozës shqipe, Fajar, Paris, 1984:

Xhevahir Spahiu shquhet për një art origjinal të “poezisë që godet”.