Prof.Elizabeta Susaj: Ndikimi në mjedis i zhvillimit të komunikacionit

279
Sigal

 

-Ndikimi mjedisor i transportit është i rëndësishëm, sepse transporti është një përdorues i madh i energjisë dhe djeg shumicën e naftës në botë.

Prof. Asoc. Elizabeta Susaj

“Globalizimi i ka shtuar një dimension të ri sfidat me të cilat përballemi. Integrimi i shpejtë i tregjeve, lëvizshmëria e kapitalit dhe rritja e konsiderueshme e flukseve të investimeve në të gjithë botën kanë hapur sfida dhe mundësi të reja për ndjekjen e zhvillimit të qëndrueshëm”

Pika 14 e Deklaratës së Johanesburgut, 2002, në paragrafin “Sfidat me të cilat përballemi”

Ndikimet e përgjithshme të transportit në mjedis.

Shoqëria moderne nuk mund të bëjë pa transportin dhe komunikimin. Transporti dhe komunikacioni shërbejnë për qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe transmetimin e informacionit. Transporti dhe komunikacioni luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për aktivitetin jetësor të njerëzimit. Karakteristikat e tyre varen nga madhësia e popullsisë, struktura e habitatit, niveli ekonomik, të dhënat e gjeografisë ekonomike, si p.sh, potenciali i përdorimit të tokës, gjendja e lëndëve të para dhe qendrat e prodhimit, etj, strategjitë e prodhimit dhe topografia.

Sipas Deklaratës së Samitit Botëror mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm, të zhvilluar në Johanesburg, Afrika e Jugut, nga 2 deri më 4 shtator 2002, riafirmohet angazhimi i shteteve pjesëmarrëse për një zhvillim të qëndrueshëm në rang global, në të gjitha fushat e zhvillimit, mes të ilave edhe transporti dhe komunikimi.

Në pikën 14, në paragrafin “Sfidat me të cilat përballemi”,- theksohet: “Globalizimi i ka shtuar një dimension të ri në sfidat me të cilat përballemi. Integrimi i shpejtë i tregjeve, lëvizshmëria e kapitalit dhe rritja e konsiderueshme e flukseve të investimeve në të gjithë botën kanë hapur sfida dhe mundësi të reja për ndjekjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Por, përfitimet dhe kostot e globalizimit shpërndahen në mënyrë të pabarabartë, me vendet në zhvillim, që përballen me vështirësi të veçanta në përmbushjen e kësaj sfide”.

Që nga ajo kohë, transporti dhe komunikacioni kanë njohur nivele shumë të shpejta zhvillimi. Në vitin 2050 mendohet se do të ketë një makinë për çdo dy njerëz, kjo do të thotë se në rrugë do të qarkullojnë 5 miliardë makina. Duke pasur parasysh bllokimin e trafikut, ndotjen, përdorimin e karburantit dhe nevojën për parkim dhe rrugë për të 500 milionë makinat që qarkullojnë sot në botë, atëherë ndikimi i trafikut është gati i paimagjinueshëm.

Aktualisht përdoren mjete të ndryshme, të cilat furnizohen me lloje të ndryshme të energjisë për të siguruar lëvizjen, si:

mjete të transportit rrugor – automobilë (autobusë, vetura, mikrobusë),

mjete të transportit hekurudhor (metro, trena, trena elektrikë),

mjete të transportit ujor (anije, anije për transport kontejnerësh, cisterna, tragete, anije udhëtimi – kroçere),

mjete të transportit ajror (aeroplanë, helikopterë, etj),

mjete të transportit elektrik (metrotë, tramvajet, tralejbusët).

Përveç faktit se transporti bën të mundur përshpejtimin e kohës së të gjithë lëvizjes së njerëzve jo vetëm në sipërfaqen e tokës, por edhe përmes ajrit dhe ujit, mjetet e ndryshme kanë një ndikim të ndryshëm në mjedis.

Forma të ndryshme të transportit shoqërohen me ndikime të ndryshme mjedisore.

Disa nga ndikimet mund të jenë aksidentet, ndotjet, zhurmat, vibrimet, mbetjet e ndryshme, etj. Aksidentet me pasoja të rënda janë konsideruar si dëme – ndikime direkte për njerëzit. Këta ndikime nuk ndodhin vetëm gjatë funksionimit, por edhe gjatë ndërtimit, gjatë procesit të mirëmbajtjes ose zgjerimit dhe gjatë vendosjes së instalimeve të reja.

Ndotjet dhe zhurmat shkaktohen kryesisht nga transporti i motorizuar, veçanërisht nga qarkullimi i automjeteve. Vibrimet shkaktohen kryesisht nga transporti rrugor dhe ajror në zonat afër rrugëve, autostradave, aeroporteve, etj.

Ndotja e mjedisit

Të gjitha llojet e transportit e ndotin mjedisin, por llogaritet që rreth 75% e ndotjes kryhet nga transporti rrugor, i cili lëshon gaze të ndryshme. Makinat, autobusët dhe automjetet e tjera të këtij lloji çojnë në probleme të tilla, si:

– ndotja e ajrit, efekti serrë,

– ndotja nga zhurmat,

– ndotja elektromagnetike,

– përkeqësimi i shëndetit të njeriut dhe kafshëve.

Transporti detar ndot hidrosferën mbi të gjitha, pasi uji i ndotur i tualeteve dhe uji që përdoret për larjen e enëve të personelit dhe pasagjerëve derdhen në oqean. Motorët e anijeve ndotin ajrin me gaze të ndryshëm, ndërsa nga cisternat që mbajnë produkte të naftës, ekziston rreziku i ndotjes së ujit me naftë dhe me vaj.

 

Transporti ajror ndot kryesisht atmosferën me ndotës të tillë, si dioksidi i karbonit dhe oksidet e azotit, avujt e ujit dhe oksidet e squfurit, oksidet e karbonit dhe grimcat në ajër që çlirohen nga motorët e avionëve.

Transporti elektrik (metro, tramvaj, trolejbus) kontribuon në ndotjen e mjedisit përmes rrezatimit elektromagnetik, zhurmës dhe dridhjeve. Gjatë mirëmbajtjes së tij, hyjnë në biosferë substanca të ndryshme të dëmshme.

Kështu, kur operon një larmi të madhe automjetesh, ndodh ndotje e konsiderueshme e mjedisit. Substancat e dëmshme ndotin ujin, tokën, por mbi të gjitha ndotësit hyjnë në atmosferë. Këta janë monoksid karboni, okside azoti dhe squfuri, përbërje të metaleve të rëndë dhe substanca avulluese. Si rezultat, ndodh jo vetëm efekti serrë, por edhe shirat acidë, rritet numri i sëmundjeve dhe përkeqësohet gjendja e shëndetit të njeriut.

Shkarkimet e gazeve nga transporti rrugor ndikojnë në mënyrë të veçantë në shtimin e rasteve të smogut dhe të përqëndrimeve të larta për një kohë të zgjatur të lëndëve të rrezikshme në ajër, të tilla si plumbi, benzeni dhe PM10 e PM 2.5. Transporti rrugor është përgjegjës për më shumë se 50% të shkarkimeve të NOx dhe 35% të shkarkimeve të VOC-ve. Makinat me naftë lëshojnë grimca shumë të vogla (PM), të cilat janë tepër të rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Përdorimi i gomave me zinxhirë gjatë dimrit në vendet skandinave sjell probleme të mëdha të ndotjes së ajrit. Gomat me zinxhirë gërryejnë rrugët duke prodhuar një pluhur të imët që qëndron pezull në ajër.

Politikat ekonomike të lidhura me zhvillimin e bujqësisë, industrisë dhe sektorëve të tjerë, si dhe politikat e manaxhimit dhe administrimit të territorit mund të orientojnë kërkesën për transport dhe komunikacion. Natyra dhe intensiteti i transportit dhe komunikacionit varet nga:

– rrjeti ekzistues i transportit dhe komunikacionit,

– administrimi dhe shfrytëzimi i transportit,

– vendimmarrja lidhur me tarifat, taksat, kuadrin ligjor, formën e pronësisë, etj.

Transporti i motorizuar shkakton më shumë dëme dhe ndotje për shëndetin e njerëzve dhe për mjedisin. Shpesh herë, rrugët e transportit mund të kontribuojnë për një përdorim irracional të burimeve dhe të shkaktojnë probleme të rënda për mjedisin.

Në nivel ndërkombëtar, Programi Mbarë-Europian i Transportit, Shëndetit dhe Mjedisit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Komisionit Ekonomik për Evropën i Kombeve të Bashkuara (UNECE) është një politikë që i përgjigjet problemeve të lidhura me presionin urban. Programi paraqet nevojat që qendrat urbane të jenë zona pa trafik, të kenë sipërfaqe të gjelbra të mjaftueshme dhe që të jenë të arritshëm prej gjithkujt, të merren masa për të mbrojtur veprat historike, të artit dhe kulturës, të përkrahet lëvizja aktive në këmbë dhe me biçikletë, të mbështeten mënyrat e shëndetshme të jetesës për një mirëqenie fizike dhe psikologjike dhe ku të fuqizohet ndjenja e komunitetit.

Ndikimi mjedisor i transportit është i rëndësishëm, sepse transporti është një përdorues i madh i energjisë dhe djeg shumicën e naftës në botë. Kjo krijon ndotje të ajrit, përfshirë oksidet e azotit dhe grimcat e imta, dhe është një kontribues i rëndësishëm në ngrohjen globale përmes emetimit të dioksidit të karbonit. Brenda sektorit të transportit, transporti rrugor është kontribuesi më i madh në ngrohjen globale (Fuglestvedt et al., 2008). Edhe pse sektori i transportit është përgjegjës për një pjesë të madhe dhe pjesa në rritje e emisioneve globale, që ndikojnë në klimën, në përgjithësi kontributi nuk është vlerësuar. Studimet tregojnë se që nga kohërat paraindustriale, transporti ka kontribuar përkatësisht me 16% dhe 31% të  totalit të CO2 dhe O3 të krijuar nga njeriu.

Kontribuesi kryesor në ngrohjen globale është CO2, ndjekur nga O3 troposferik. Transporti rrugor është kontribuesi më i madh në ngrohjen globale. Sektori i transportit gjithashtu ushtron ftohje përmes metanit të reduktuar dhe efekteve të aerosoleve atmosferike. Pjesa më e madhe e detyrimit nga transporti vjen nga emetimet, që nuk mbulohen nga Protokolli i Kiotos (Fuglestvedt et al., 2008).