Flet Angjelina Xhara: Ja aktoret më të bukura të Kinostudios që sollën pranverën në filimin shqiptar. Prapaskenat e viteve 80’, ndrrimi i sistemit dhe loja e hakmarrjes me dehjen e dasmorëve

824
Sigal

Aktoret e mrrekullueshme të viteve 80,90- të, që sollën Pranverën e përjetëshme të kinematografisë shqiptare

Pranvera e Filmit Artistik Shqiptar nuk mund të përsëritet!

Ato janë Matilda Makoçi, Rajmonda Bulku, Yllka Mujo, Eva Alikaj, Elvira Diamanti, Elida Cangonji, Marjeta Ljarja, Luiza Xhuvani, Anisa Markarjan, Anila Bisha

Angjelina Xhara, kritike dhe kineaste.

Në 70- vjetorin e kinematografisë shqiptare do mund të shkruaja për themeluesit e saj, Endri Keko me shokë, do mund të shkruaja për regjisorët e mëdhenj si Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani ,Vladimir Prifti etj…Për Udhëheqësin Artistik, Kristaq Dhamo, për skenaristët e shquar si Peçi Dado,Vath Korreshi, Teodor Laço, Kiço Blushi, Natasha Lako, Nexhati Tafa etj, Do të shkruaja për regjisoren e jashtëzakonshme të filmave për fëmijë, Xhanfise Keko, do të shkruaja për aktorët gjenialë , gati ndërkombetarë, nga Sandër Prosi deri te Timo Flloko…nga Marie Logoreci, Roza Anagnosti, Margarita Xhepa e Tinka Kurti, deri tek Luli Bitri e Ermela Teli…

Por sot, unë do shkruaj dy fjalë, për aktoret e mrrekullueshme të viteve 80,90- të, që sollën Pranverën e përjetëshme te kinematografisë shqiptare…

Ato janë Matilda Makoçi, Rajmonda Bulku, Yllka Mujo, Eva Alikaj, Elvira Diamanti, Elida Cangonji, Marjeta Ljarja, Luiza Xhuvani, Anisa Markarjan, Anila Bisha etj.

Dhe për të thënë të vërtetën e filmit, bashkë me to, nënkuptoj bashkëkrijuesit e artit kompleks filmik, regjisorët, skenaristët, operatorët e figurës e të zërit, kompozitorët, piktorët, montazhierët e filmit, që sollën kthesën e madhe, për filma të tillë, që do të shihen pa komplekse ose pa njollën e filmit të krijuar në diktaturën komuniste!

Kolana e filmave artistike me tema sociale filozofike, ku zbërthehen e portretizohen portrete të plota femërore përbëhet nga filmat e njohur, “Të mos heshtësh”, “Treni niset në 7 pa pesë”, “Apasionata”, “Në shtëpinë tonë”, “Rrugë të bardha”,’”Përrallë nga e kaluara” ” Shirat e vjeshtës “Hije, që mbeten pas”,”Pranvera nuk erdhi vetëm”,” Flutura në kabinën time”, “ Në çdo stinë,,” Fillim i vështirë”, “Jeta në duart e tjetrit”,” Ballada e Kurbinit”,”Vitet e pritjes”, “Rrethi i kujtesës”, “ Vdekja e kalit”, “Përdhunuesit”, “Bolero “ etj.

Këta janë filma shkollë në ndërtimin dramaturgjik të subjekteve, në origjinalitetin krijues të skenarëve, në atmosferën krijuese regjisoriale, në drejtimin e të gjithë komponentëve krijues të filmit, dhe sidomos në lojën aktoriale!

“Përrallë nga e kaluara”.

Elvira Diamanti, kapërceu çdo përfytyrim krijues në krijimin e rolit te saj tek filmi i Anagnostit , “Përrallë nga e kaluara”. Por ajo u shqua edhe te” Muri i gjallë” e “Dasma e Sakos”…Ajo sjell me të gjitha nuancat e lojës filmike rolin e Marigosë, në një bashkëpunim magjik me regjisorin Mjeshtër, Anagnostin dhe me partnere aktore të mëdhenj, Robert Ndrenika e Hajrie Rondo…

Le të kujtojmë lojën e saj tek nata e hakmarrjes me dehjen e dasmorëve, natën e parë të dasmës së saj. Një lëvizje e saj si e pavetëdijshme, surealiste…Portreti i saj i raskapitur nga situata absurde e jetës e “martesës” me një fëmi…Ajo kalon si sonambul duke ju derdhur rakinë në tru, atyre burrave, që janë pa tru…gjersa pranojnë absurditete të pashpjegueshme njerëzore! Arti eksperimenton gjithmonë në tendencë për të zbuluar kompleksitetin e jetës! Elvira, në këtë film, kalon prova të shumta…Le të vazhdojmë me rikujtesën e episodeve fantastike të filmit, kur i lan këmbët, vjehrrit dhe natën e “helmimit, ose jo” , përballë me të madhin Robert Ndrenika! Loja e saj sikur e vë në vështirësi dhe vetë, kolegun e saj të sprovuar…

Dua ta bëj bëj pak më interesant këtë shkrim edhe me disa çaste personale, që kam kaluar me këto vajza të mrrekullueshme!

Erdha nga emigracioni në çastin kur Arkivi i Filmit, po bënte veprimtari për krijuesit e dokumentarit, ku bëj pjesë edhe unë. E gjeta drejtore, aktoren e njohur,Elvira Diamanti, pa poza, por me thjeshtësi të bukur marrëdhëniesh njerëzore, në zyrën e saj të bukur!

Folëm si dy mike të vjetra me distancë moshe, por me një lidhje të bukur me filmin!

Nga Elvira dua ta kaloj shkrimin tim tek Luiza!

E pashë se fundi tek provat që po bënte te Teatri Eksperimental, Kujtim Spahivogli! Nga emigracioni kisha folur vetëm njëherë në telefon, me të, kur doja të merrja mendim për një skenarin tim nga vjehrri i saj, Dhimitër Xhuvani!

U mundova ta ngushelloja për hallet e jetës…Ajo qante me sytë e bukur…

M’u kujtua shprehja e një kritike për Xheni Kerezin, aktoren e madhe të kinemasë greke…Ç’mund të bënte filmi pa sytë e bukur të Kerezit, që e përktheva me gjithë shpirt, me emrin e Luiza Xhuvanit!

Ç’mund të bënte filmi shqiptar pa sytë e bukur, aq shprehës të Luiza Xhuvanit?!

Sa e sa skena, episode e sekuenca filmi, me shpejtësi skëterre, më kaluan para syve!

Por butësia e saj fenomenale më erdhi pranë me rolin e saj të mrekullueshëm, tek filmi artistik “Muri i gjallë”, kur ajo si shtojzovalle vërtitet në subjektin e dalë nga legjenda, duke u bërë kurban, për të dhënë përkushtimin mëmësor, me gjirin e saj të mbetur jashtë mureve të kështjellës, për t’i dhënë gji foshnjes së saj!

Dhe meqë jemi në këtë film ku ka skalitje të karaktereve femërore nga regjisori i paharruar, Muharem Fejzo, do kaloj tani me dy fjalë për aktoren tjetër të veçantë e shumë të adhurueshme në filmin shqiptar, Rajmonda Bulku!

Më dhëmbi në shpirt, kur më thanë që po vuan pak nga këmbët…por u mbusha me optimizëm kur e takova edhe atë, mbas shumë viteve, tek bënte provat në skenë, duke sfiduar gjithshka!

Rajmonda, është aktorja me rolet më të shumta, që janë dhe kryesore në filmin shqiptar, por unë do të sjell vetëm tre filma të saj,”Duaje emrin tënd”, “Treni niset në shtatë pa pesë” dhe “Vitet e pritjes”!

Ajo personifikon dy role me temë sociale, tek dy filmat e parë , e treta, nga historia e kurbetit, dikur!

Ajo i qendis këto role me një termometër të lartë ndjenjash , përmes një delikatese të rrallë, të ndërthurur me dramatizmin e thellë…Të mahnit sjellja e saj sa e natyrshme, aq dhe krenare…Vetëm me lëvizje të kujdesshme të kokës, apo vetëm me vështrimet e saj, aq shprehëse me të dy partnerët e saj, Ndriçim Xhepa e Kristaq Skrami në filmin,” “Duaje emrin tënd”, na transmeton krenarinë e vajzës, që di të mbajë qëndrim të bukur njerëzor, në çaste të rëndësishme të jetës!

Kur shkruajta monografinë e parë për të madhen, Margarita Xhepa, doja ta krahasoja me aktore ndërkombetare, ajo nuk më la…

Kështu janë edhe aktoret e këtij brezi, të thjeshta, modeste, por me interpretime të mëdha artistike, që mbeten në themelet e artit kontemporan shqiptar!

Roli i Rajmondës, tek “Vitet e pritjes”, të cimbon në shpirt, me skenat e vuajtjeve pafund, me ëndrrën e saj të djegur nga thashethemet e një mjedisi patriarkal e të padenjë për sakrifica të shpirtit të trazuar femëror…

Shpatullat e njoma të këtyre vajzave të reja, mbajtën me forcë të vërtetën artistike tema të mëdha nga historia dhe nga tema e ditës, dhe pse jo, edhe në temën e luftës!

Por filmi artistik shqiptar mori frymë bukur, si art i shtatë, sidomos me shpërthimin e trajtimit të temës sociale, me ballafaqime shoqërore të jetës së përditshme dhe me veprime e meditime filozofike, të thëna me guxim në një atmosferë, ku propaganda bërtiste dhe të asfiksonte!

Këto vajza të bukura, me lojën e tyre” të heshtur” e të thjeshtë , u futën në labirinthin e shtigjeve të pashkelura me parë !

Kjo ndodhi pikërisht në vitet 80 e më pas, deri në prag të ndrimit të sistemit!

Nga mesi i viteve 80-të, u reklamua shtimi i numrit të filmave, duke arritur në numrin rekord, 14 filma në vit, duke futur edhe filma të stisur!

Interesant të ndjekësh statistikën e kësaj teme nëpër vite për të treguar sa vështirësi pati në projektimin e temës së ditës në ekran!

Në vitet 1980,81,82,83, vetëm një film, në 84, 85, me tre filma, 86, 87, 88,dy filma, në vitet mbas 90 -ës, pak filma, por me tema të fuqishme bashëkohore dhe nga historia!

Dy tema nga historia, do ishin filmat e mëdhenj, “Ballada e Kurbinit”(Matilda Makoçi) dhe “Vitet e pritjes “(Xhepa, Bulku, Ljarja).

Sot do tregoj pulsimin e temës shoqërore, duke tentuar edhe në trajtimin e temës së dashurisë në filmin e Kinostudios “Shqipëria e re”.

Ishte talenti i këtyre vajzave të reja, që hynë në film në moshën e dashurisë…

Le të kthehemi katër dekada më parë, kur u krijuan këto filma…Tani I shohim me kënaqësi estetike sikur të jenë krijuar dje. Ku është çelsi i suksesit? Ato janë filma klasikë, mbështetur në parimet e një kinematografije realiste, mbështetur në tradita të filmit italian e francez, ai indian, dhe pse jo ai amerikan, po kryesisht te përvoja e kinemasë në vendet e lindjes, asaj ruse, çeke, rumune, ku u përgatitën kineastët tanë

 

Dashuria shpërthen si gonxhe, nga këngët e veçanta në festivalet e këngës, tek festivalet e filmit, në ekranin e madh të kinemave, me sytë e bukur enigmatikë e të ëmbël të Eva Alikajt te “Shirat e vjeshtës” e “Njeriu i mirë”, me interpretimin aq të ngrohtë të Matilda Makoçit te “Apasionata”, me zërin intrigues e aq tërheqës të Anisa Markajan, që shpaloset si personalitet i freskët femëror në artin shqiptar nga aktore në skenariste apo anasjelltas. Paraprinte enigma e bukur, Elida Cangonji me fjalët e saj thënë Dedës, po bukën e djegur, e harrove, hajde Dedë, Ktheu sa më parë…Të gjithë filmat shoqëruar me muzikë të jashtëzakonshme…

Të gjithë të rinjtë binin në dashuri me këto portrete, që shpërthyen bukur në ekranin shqiptar..

Drama e dashurisë në formë poetike kinematografike u shpalos tek filmi “Në çdo stinë” i të madhit regjisor, Viktor Gjika!

Si është e mundur që për tema të mëdha vendosim në moshë kaq të re ?!-thotë Anisa në meditimin e saj

Kam shoqëruar mamanë e Anisës në shikimin e filmit në Kinostudio…kur më tha,” Këtu nuk është puthur Anisa, por një vajzë tjetër…”(episodi ku dy të dashuruarit puthen në errësirë gjatë alarmit kushtrim për në luftë)

E them këtë për të kuptuar sesa të emancipuara ishin këto vajza të mrrekullueshme në atë kohë, që shkelën mbi mentalitetin e prapambetur dhe dhanë shëmbuj të një jete, ku njeriu, dashurohet, zhgënjehet, lufton me veten, me të dashurin, me të tjerët për të qënë sa më afer ëndrrës së jetës!

I kam njohur nga afër dhe e ndjej si rreh zemra e tyre edhe në këto çaste, kur lexojnë këtë shkrim tim!

Ato janë yjet e vërteta të ekranit shqiptar!

Jo, Llav story i ditëve tona, kur pa asnjë lloj drejtpeshimi, jashtë realitetit pasqyrohen si modele të së arthmes, vajza të veshura Alla moderne që të trëmbin me pretendimet e tyre drejt luksit!

Jeta ecën në rrymën klasike, e dimë mirë të gjithë dhe sa më shpejt ta kuptojnë dhe disa që kanë në dorë median ,aq më mirë do jetë!

E thashë, si intermezzo, këtë mendim dhe do kaloj me kënaqësi te tema e aktoreve tona yje, duke u ndalur me shumë dashuri te portreti idhull i asaj kohe, Matilda Makoçi, shembull i çiltërsisë së vajzës shqiptare të kohës, i forcës e dinjitetit absolut…

Filmi “Të mos heshtësh”u realizua në vitin 1985!

Të më falin regjisoret e skenaristët, se nuk po shënoj emrat e tyre, duke e theksuar se pa regji e skenar të mirë, nuk ka film të mirë, por interpretimi i këtyre talenteve dhe puna me këto dallandyshe ishte nder i madh për krijimin e kryeveprave të filmit

Matilda jeton dramën e dashurisë, ajo nuk hesht, por ulërin, kur partneri i saj, luajtur aq bukur nga Ndriçim Xhepa, zbulohet me karakterin e tij negativ!

Sot këtë filma janë shkollë, në të gjitha kuptimet…

Eva Alikaj e Marjeta Ljarja janë personalitete në krijimin e roleve të tyre të qendisura në ekran, përmes filmave aq të njohur, ” Njeriu i mirë”,”Shirat e vjeshtës”, “Hije që mbeten pas…Eva ka ditur të zgjedhë një ton të komunikimit të ëmbël, duke u bërë mike e ëmbël me të gjithë spektatorët, që dëgjojnë luftën e saj të brendshme e dashurinë e saj pa kushte…

Marjeta rritet nga filmi në film me thjeshtësi në interpretim dhe dritën që e mban ndezur gjithmonë në sytë e saj…Tek” Rrethi i kujtesës” ajo luan me mjeshtëri rolin më të vështirë të gruas në filmin shqiptar!

Yllka Mujo ka qënë e privilegjuar se ka hyrë herët në filmin shqiptar, nga të gjitha aktoret e reja në moshë…Ajo shkëlqen në teatër në vazhdimësi, por filmi i ka dhënë më shumë famë…Tek filmi, Taulanti kërkon një motër, ajo sjell me origjinalitet gruan intelektuale me luftën e brendshme mes karrierës e familjes…Ka shumë emra të rejash që hynë në filmin shqiptar edhe në role të dyta ose episodike dhe ngjitja me artin e kinemasë i bën ato të pavdekshme.

Po flas gjithmonë për filmat më të mirë të Kinostudios sonë, që nëse do vazhdonte normalisht do kishte kryevepra, që tash i kanë kaluar kolegëve tanë në Kosovë.

Mbaj mend kur isha kthyer njëherë nga emigracioni, pashë filmin ” Hije që mbeten pas”, dhe u emocionova njëlloj si në rastin e premierës së dikurshme! Natyrisht aty brenda është dhe talenti i padiskutueshëm i skenaristes, Diana Çuli!

Matilda e Xhevdet Ferri shkëlqejnë në shtjellimin e filmit me tensionon të vërtetë dramatik, ashtu si Eva Alikaj e Ndriçim Xhepa!

Po filmat “Vdekja e Kalit”, ose “Përdhunimi”…

Çfarë intensiteti dramatik kalojnë heroinat e filmit të luajtura me aq mjeshtëri nga Rajmonda Bulku e Eva Alikaj?

E jashtëzakonshme, Elvira Diamanti te filmi i njohur “Dasma e Sakos”!

Këto interpretime të jashtëzakonshme dhe të paarritëshme ngrihen në nivele më të larta, kur mendohet edhe koha kur u krijuan.

Kinematografia është art modern, që pasurohet vazhdimisht me mjete shprehëse, me mesazhe që brumosin njeriun përjetë!

Heronjtë e filmit ndiqen në jetë me simpati, në mënyrë të ndërgjegjshme ose edhe vetvetiu, ndaj vëndi i tyre kalon përmes tapetit të kuq të festivaleve, ku rrëmbehen çmime brënda dhe jashtë vendit!

Me mendjen time do të doja që këto personalitete të ecnin në tapetet e kuq e të merrnin çmime botërore!

Të gjithë këto vajza të reja bashkë me ikonat klasike të mëparshme, janë pranë nesh, duke na kujtuar se arti nuk njeh kufizim, arti i vërtetë shpërthen mbi çdo paragjykim!

Ju kam borxh një libër, mike të dashura, që po e shkruaj dalëngadalë dhe do ta botoj para se të vdes..