Prof. Dr. Agron Fico: Gjenocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë

452
Sigal

Gjenocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë

(Memorandum që nuk duhet harruar kurrë)

Prof. Agron F. Fico, H.C.

Vijon nga numri i kaluar

Eshref Himi, qytetar nga Paramithia, deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi:

“Të martën më 27 qershor 1944, në orën 7 të mëngjesit, hyjnë në Paramithi monarko-fashistët grekë të komanduar nga kolonel Kamora, major Kranja, kapiten avokat Kristo Stavropulli, kapiten avokat Lefter Strugari, N-toger Nikolla Çenos etj. Porsa hynë në qytet, u dha urdhëri që kurrkush mos të lëvizte nga vendi, sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin në asnjë mënyrë. Mbas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe çiliminj, kurse nga ana tjetër filloi vjedhja. Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë. “Pasi më mbajtën katër ditë në burg, më lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur “Kisha e Ajorgjit”, munda të njoh pesë nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara. Të pesë viktimat të njohura prej meje janë: Met Qere, Sami Asimi, Mahmut Kupi, Adem Beqiri, Haki Mile. Pas dy ditësh më shpunë pas “Golatajt”, në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollës, ku kishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh se i kishin bërë copa-copa. Ngado shiheshin kufoma njerëzish. E quajtura Sanie Bollati pësoi tortura të frikshme, e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjedi pati vend të mërkurën dhe të premten në mëngjes trupi i saj u transportua i mbuluar me një batanie nga e ëma dhe dy bashkëqytetarë, të cilën e vendosën në një qilar me urdhër nga monarko-fashistët, që s’linin asnjë ta shikonte. Atje, ajo grua e mjerë, vdiq pas pesë ditësh dhe kufoma e saj ishte plot me krimba. Gjithçka deklaroj, – i kam parë me sytë e mi. Në fillim u fsheha për pesë ditë rresht në një tavan, kur monarko-fashistët më arrestuan dhe më prezantuan para major Kranjajt, i cili pas pyetjesh të shkurtëra, urdhëroi burgimin tim. Në burg gjeta 380 persona, ndër të cilët gra dhe fëmijë. 120 nga këta vdiqën urie. Katër persona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe prej andej na përcollën për në Prevezë, prej kah shkuam në Janinë ku qëndruam 40 ditë. Atje pësuam tortura të pa përshkruara. Pastaj me ardhjen në këtë qytet të trupave të EAM-it ne u liruam.

Dervish Sulo nga katundi Spatar i Filatit i përshkruan në këtë mënyrë masakrat në Spatar:

“Në mëngjesin e një të shtune të shtatorit 1944 e gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit (Spatar). Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani, 50 vjeçare, u çnderua, u grabit, iu prenë flokët mandej veshët dhe më në fund u vra në bahçen e saj në afërsi të Muços. Në shtëpinë tonë ishte instaluar familja e Sako Banushit nga Skropjona prej tetë vetash, gra, burra dhe fëmijë. Pasi u çnderuan gratë, të cilave iu shpuan gjiret me thika, të gjithë u masakruan… Në shtëpinë e Damin Muhametit u vranë 5 gra dhe 3 fëmijë… Në shtëpi te Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër… Në shtëpinë e Dule Sherifit ju pre koka plakut 80-vjeçar Sulejman Dhimicës dhe të shoqes së tij. Në shtëpi të Meta Brahos u dogjën të gjallë 20 persona, gra, fëmijë dhe burra… Kije Nurçia, 76 vjeçar, u ther me thikë… Në vreshtin e Zules dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 20 persona të masakruar… Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderua vajza e Haxhi Gulanit, kurse në banesën e Mejdi Metos u çnderua Hava Ajshja dhe Nano Arapi, madje kjo e fundit u masakrua.”

Viktimat dhe humbjet, sipas statistikave të deritanishme, gjatë masakrave të viteve 1944-1945 në kurriz të minoritetit shqiptar në Greqi, arrin numrin 2.877, të ndarë si vijon: Filati dhe rrethe 1286, Gumenicë dhe rrethe 192, Paramithi dhe rrethe 673 dhe Magellç e Parg 626. Ky qe fati i gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria me përjashtim të disa grave që janë sot dëshmitare të gjalla të kësaj masakre ngjethëse në Paramithi, në Pargë, Spatar dhe Filat. Përmes gojës së tyre del qartë dhe lakuriq kriminaliteti i akteve barbare të organizuara nga reaksioni monarko-fashist grek në Çamëri. Kjo kasaphanë e frymëzuar prej ndjenjave më të ulëta të urrejtjes shoviniste dhe fetare, përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 23,000 çamëve, që erdhën e u strehuan në Shqipëri në konditat më të vajtueshme. 68 katunde me më se 5800 shtëpi u grabitën, u shkatërruan dhe u dogjën. Nga llogaritjet e dëmeve rezulton të kenë mbetur në Çamëri dhe grabitur nga forcat monarko-fashiste të Zervës 17.000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21.000 kv bereqet dhe 80.000 kv vaj; gjithashtu edhe produkti i vitit 1944-1945 që arrin në 11.000.000 kg bereqet dhe 3.000.000 kg vaj. Gjatë emigracionit 110.000 bagëti të holla dhe 2.4000 bagëti e trasha ngordhën dhe humbën. Nga kjo del e qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoi popullata e jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit. Kjo katastrofë ndodhi se populli i ynë u hodh në luftë së bashku me popullin grek, përkrah EAM-it dhe nuk u gjendën në prehërin e okupatorit në aleancë me kolaboracionistët.

Çamëria në Luftën e madhe Antifashiste kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamër u hodhën, në radhët e ELAS-it, kur EAM-i lëshoi kushtrimin për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër okupatorit dhe formoi Batalionin e katërtë të Regjimentit XV-të të ELAS-it. Nga popullata e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan me vendosmëri kundër okupatorëve nazi-fashistë dhe tradhtarëve… zervistë. Gjaku i Heroit kombëtar Ali Demi, dhe i dëshmorit Bido Sejko, gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezaj, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli etj., që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafën e Qeramicës, dëshmon konkretisht këtë fakt. Në përfundim të luftës dhe në Çamërinë e okupuar, trupat e komanduara nga gjeneral Napoleon Zervas operonin në krahinat dhe fshatrat tona jo si çlirimtarë, por si xhelatë dhe armiq të betuar të elementit shqiptar në Çamëri. Në marrëveshjen e Casertas (Sarafi-Zervas) gusht 1944, trupat e rezistencës viheshin në fronte të përbashkët kundra ushtrive naziste nën një komandë të përbashkët në zona të caktuara operative. Kjo marrëveshje u shkel në Çamëri. Trupat zerviste ranë në kompromis me gjermanët duke qëlluar forcat tona, penguan veprimtarinë e batalionit të IV-të të Regjimentit XV-të në zonën e caktuar të Filatit. Operacionet dhe masakrat në krahinën e Filatit lidhen direkt me këtë situatë dhe janë në kundërshtim të hapur me besimin dhe frymën e bashkëpunimit të vendosur në Caserta. Akoma dhe fshati i fundit i Çamërisë –Koska, një nga bazat e organizimit të forcave të rezistencës së Frontit Nacionalçlirimtar në Çamëri, u shkatërrua dhe u dogj si përfundim i aktit për shkatërrimin e Çamërisë. Një komision i Këshillit Antifashist Çam u dërgua më 30-10-1944 në Athinë, pranë qeverisë greke të z. Papandreu me një votim proteste kundër masakrave në Çamëri duke kërkuar njëkohësisht dënimin e tyre. Qeveria e Papandreut nuk deshi të merrte asnjë masë dhe angazhim për sa iuparashtrua. Mbas operacioneve të dhjetorit 1944, me çlirimin e Çamërisë nga okupacioni zervist, një pjesë e popullatës sonë u riatdhesua përsëri dhe u vendos në krahinën e Filatit. Më 12 mars 1945 forcat qeveritare të garnizonit të Korfuzit, duke shkelur marrëveshjen e Varkizës (shkurt 1945), organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanres (Filat), të cilat nxorën në shesh edhe një herë lakuriq qëndrimin dhe politikën e autoriteteve përgjegjëse të qeverisë greke në lidhje me shfarosjen e popullatës shqiptare të Çamërisë. Me mërgimin tonë në Shqipëri, qeveria demokratike e Shqipërisë i dha masës sonë një ndihmë materiale dhe morale pakufi. Një fond prej 240.000 fr. në muaj që u caktua nga Qeveria shqiptare në favor të popullatës sonë, përkrahje të shumanshme kanëbërë përmirësimin e gjendjes sonë të keqe. Në mbështetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni i UNRRA-s në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Uashingtonit për akordimin në favor të emigrantëve të 1.450.000 dollarëve si ndihmë imediate ndaj gjendjes sonë të vështirë. Edhe në këto kondita emigrantët çamë vazhduan të kontribuojnë gjithnjë e më tepër për frontin. Në Konferencën e Shalësit (Konispol) mbajtur në fund të shtatorit 1944 zëri i çamëve në emigrim u ngrit i fortë për bashkëpunimin kundër okupatorit dhe padrejtësive të monarko-fashistëve grekë. Më 23 shtator 1945, në Kongresin e Vlorës, delegatët çamë që përfaqësonin të gjitha grupet e emigrantëve çamë në Shqipëri u shprehën kundër masakrave të monarko-fashistëve grekë të kryera mbi ta dhe kërkuan, me anë memorandumesh drejtuar Konferencës së Londrës, shqyrtimin e problemit të tyre dhe dënimin e shkaktarëve të gjakderdhjes së kotë në Çamëri dhe të vuajtjeve të pakufi. Kongresi përfundoi në një rezolutë ku përmblidhen gjithë punimet e tij. Gjatë emigracionit për shumë herë i jemi drejtuar botës për të drejtat tona të mohuara dhe kemi kërkuar riatdhesim. Më 30 tetor 1944 Këshilli Antifashist Çam i drejtonte një notë proteste qeverisë së Bashkimit Kombëtar Grek, Shtabit të përgjithshëm të Mesdheut, Qeverisë Aleate, Komitetit Qendror të EAM-it ku flitet për barbarizmat e fashistëve grek në Çamëri. Më 9 maj 1945 Këshilli Antifashist Çam iu dërgon Misioneve Ushtarake kopjen e telegramit drejtuar Kryetarit të Konferencës së San Franciskos mbi të drejtat e çamëve në bazë të Kartës së Atlantikut. Më 27 qershor 1945, telegrame proteste kundër masakrave në Çamëri, drejtuar nga Këshilli Antifashist Çam Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Misioneve Aleate Ushtarake Sovjetike, Angleze, Amerikane, Franceze, Çekosllovake, Legatës Jugosllave, Shqiptarëve të Amerikës, Italisë dhe Bullgarisë. Promemorie drejtuar z. Hutchinson, deputet Laburist i Britanisë së Madhe më 26.11.1945. Telegrame drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të UNRRA-s nga Komiteti Antifashist Çam (25-9-1945), ku kërkohen ndihma. Memorandum drejtuar Kryesisë së Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleatë në Londër nga delegatët e Kongresit Çam, shtator 1945. Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Londër prej Komitetit Antifashist Çam më 11 janar 1946, ku ri-lëvrohen masakrat dhe kërkohen të drejtat. Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nga Komiteti Antifashist Çam më 25 tetor 1946 etj. Ne jemi viktima të regjimit monarkist që sot sundon në Greqi. Së bashku me popullin vëlla grek ne vuajmë konseguencat e terrorit të zi të shpërthyer prej tyre në gjithë Greqinë. Për dy vjet e gjysmë ne po vërvitemiShqipërisë, në mizerje, larg Atdheut, ndërsa vendet tona të pasura shfrytëzohen pa të drejtë nga agjentët e monarko-fashistëve në Çamëri. Vuajtjet tona gjatë emigracionit kanë qenë dhe janë të pa kufi. Me mijëra kanë vdekur nga kjo situatë e krijuar. Me gjithë protestat e bëra dhe të drejtat që na përkasin, ne vazhdojmë të qëndrojmë në emigracion, ndërsa Qeveria Greke merr masa dhe vendos në Çamërinë tonë pa asnjë të drejtë banorë të huaj për të penguar kthimin tonë. Në emër të popullatës sonë ne protestojmë edhe një herë për të gjitha këto dhe parashtrojmë para Komisionit hetimor të Këshillit të Sigurimit të UNO-së tragjedinë e luajtur në Çamëri dhe heqim vërejtjen për një akt barbar të kryer me qëllim çfarosjeje të popullatës çame.

Ne theksojmë nevojën e përfundimit të shpejtë të problemit Çam dhe kemi bindjen se do të gjejnë zgjidhje kërkesat tona që janë:

  1. Marrjen e masave imediate për pengimin e vendosjes së elementëve të huaj në vatrat tona.
  2. Riatdhesimin e të gjithë çamëve.
  3. Kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmeve tona shkaktuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
  4. Ndihmë për rindërtimin e vatrave dhe vendosjen tonë.
  5. Sigurimin dhe garancinë që rrjedhin prej traktateve dhe mandateve ndërkombëtare, si sigurimin e të drejtave civile, politike, kulturore dhe sigurimin personal.
  6. Gjykimin dhe dënimin e gjithë përgjegjësve të krimeve të kryera.

Duke ju shprehur konsideratat tona më të shquara:

KOMITETI ANTIFASHIST I EMIGRANTËVE ÇAMË

Taho Sejko,Kasëm Demi,Rexhep Çami

Tahir Demi,Vehip Demi,Dervish Dojaka

Hilmi Seiti

Poeti i madh çam dhe i mbarë Shqipërisë, Bilal Xhaferi, e ka sintetizuar poetikisht thelbin e këtij memorandumi historik, vite më vonë, në “baladën çame”, këtë perlë të përgjakur artistike:

Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta thesprote

Mbi të shtrenjtat trojet tona stërgjyshore,

Mbi kullotat e braktisura kullotnin rrufetë.

Ullishtat e pa vjela gjëmojnë si dallgë nëpër bregore,

Dhe kudo toka çame nën savanin e reve,

Me thikë në ije, në gjak e mbytur dergjet.