Çlirimi nga zgjedha e huaj e rikthimi i pavarësisë, ishin në duart e shqiptarëve, dhe do të arriheshin me luftë
Pavarësia dhe Lufta Nacionalçlirimtare
Asgjë nuk do të na vinte, as nga qielli e as nga të huajt, nëse shqiptarët nuk bënin, detyrën si popujt e tjerë
– Shqipëria, i kreu me sukses deri në fund, obligimet ndaj Luftës e ndaj Aleancës Antifashiste
Nga Prof. Xhelal Gjeçovi
Fillimi i Luftës se Dytë Botërore, më 1 shtator 1939, e gjeti Shqipërinë të pushtuar, pa pavarësinë dhe pa shtetin e vet, të themeluar në nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij, patriotë të njohur, nga të gjitha krahinat e vendit, pasi pesë muaj para saj, me agresionin e 7 prillit 1939, ato qenë rrënuar e mohuar, nga fashistët italianë. Situatën e krijuar me këtë rast e rëndonte dhe fakti që vendi ishte i copëtuar e përgjysmuar në kufijtë natyrorë, pa Kosovën e Çamërinë, të cilat qenë shkëputur e aneksuar nga Jugosllavia dhe Greqia gjatë luftërave ballkanike dhe që, për çudinë e marrëzinë e kohës, qenë njohur edhe nga Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, më 1913. Këto dy ngjarje, copëtimi i territorit dhe humbja e pavarësisë, natyrisht, kishin shokuar e bllokuar vendin. Ato përbënin shqetësimin e preokupimin më të madh për shqiptarët, boshtin rreth të cilit sillej e gjithë jeta shoqërore e intelektuale, në vendin më të varfër të Europës. Vendi ndodhej në kolaps, në udhëkryq të historisë. Njerëzit, të shokuar, ishin në pritje të daljes së forcave patriotike, të interesuara, që ta nxirrnin nga amullia dhe ta hidhnin në fushë të veprimit. Ndryshe, asgjë nuk do të lëvizte e nuk do të ndryshonte, okupacioni do të përjetësohej.
Në rrethana të tilla, iniciativa për të vepruar, do të vinte nga një forcë e re, e sapodalë në arenën e historisë shqiptare, nga PK dhe Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i krijuar në Pezë, më 16 shtator 1942. Fronti, pa marrë parasysh çmimin, që mund të paguhej dhe sakrificat që kërkoheshin, do të mbushte e plotësonte boshllëkun e krijuar me largimin e turpshëm të ish mbretit Zog, nga vendi, duke e lënë në mëshirën e fatit, pa mbrojtje e pa drejtim, në momentet më të rënda në të gjithë historinë e tij. Fronti mori përsipër t’i dalë zot vendit dhe t’i prijë popullit në luftë kundër dy fuqive më të mëdha agresore të kohës, Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, që njëra pas tjetrës, pushtuan vendin. Fronti angazhohej t‘u jepte gjithë ndihmën e duhur Lëvizjeve Antifashiste, në Kosovë e viset e tjera, që edhe ato të arrinin çlirimin nga zgjedha nazifashiste e, më pas, bashkimin me trungun e vet, me Shqipërinë, nga e cila qenë shkëputur në mënyrë të dhunshme. Natyrisht, çlirimi nga zgjedha e huaj e rikthimi i pavarësisë, ishin në duart e shqiptarëve, e do të arriheshin me luftë, e jo, duke pritur që të na i sillnin të huajt, siç predikonte Mit‘hat Frashëri. Asgjë nuk do të na vinte, as nga qielli e as nga të huajt, nëse shqiptarët nuk bënin, më së pari detyrën e tyre, siç po bënin dhe popujt e tjerë, të robëruar ose të kërcënuar nga robërimi.
Bashkimi me Shqipërinë
Kurse, bashkimi me Shqipërinë, i pjesëve të shkëputura padrejtësisht, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, për shkak të problemeve, që krijoheshin me shtetet, që i kishin aneksuar e me Fuqitë e Mëdha, që i kishin njohur, kërkonte, medoemos mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të aleatëve, që udhëhiqnin Luftën Antifashist, e do të udhëhiqnin pas saj dhe përpjekjet për ndërtimin e një Europe të Re Demokratike, në kuadër të së cilës, shpresohej se padrejtësitë e bëra në të kaluarën ndaj vendeve të vogla, si Shqipëria, do të korrigjoheshin. Por mbështetja e aleatëve donte sigurisht kohë që të arrihej. Megjithatë, shqiptarët duhet të kuptonin, se kjo mbështetje, angazhimi i aleatëve, në këtë çështje, nuk mund të sigurohej, nëse nuk ngriheshin në luftë kundër agresorëve nazifashistë. Dhe këtë duhet ta kuptonin e ta realizonin jo vetëm shqiptarët në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në viset e tjera. Mirëpo, kjo nuk ishte e lehtë të arrihej. Okupatori e regjimet kuislinge, që kishte ngritur, do të bënin çmos, do të angazhoheshin fuqishëm, që shqiptarët të mos i qaseshin kësaj rrugë, që të evitohej ngritja e tyre në luftë, duke përdorur dhunën e terrorin, por dhe demagogjinë, premtimet e mashtrimet. Në këtë kuadër, do të ofrohej e inkuadrohej dhe zgjidhja e çështjes së Kosovës, “bashkimi” i saj me Shqipërinë.
Në rrethana të tilla nisën komentet, gjykimet e diferencimet në opinionin publik
Në qendër të tyre ishte “bashkimi” i Kosovës, i realizuar nga okupatori, në thelb, vetë pushtimi. Në këto momente të vështira, okupatorit i erdhën në ndihmë disa zëra të njohur të politikës shqiptare, figura që kishin pranuar pushtimin dhe postet, që u afroi okupatori, duke u venë, në shërbim të tij.
Por Kosova po përdorej për lloj-lloj pazaresh e spekulimesh në kurriz të pavarësisë, për të justifikuar pushtimin, të cilit ata ia kishin shitur trupin e shpirtin.
Në situatën e krijuar, Lëvizja Nacionalçlirimtare, këtu e në Kosovë ndodhej para një sprove të vërtetë, përballimi i së cilës kërkonte pjekuri e kurajë politike, pasi lidhej me fatin e pavarësisë së vendit e me të ardhmen e Kosovës. Akademiku kosovar Fehmi Agani ka shkruar, se “këtë kurajë e pjekuri, që nuk e patën vende e lëvizje më të mëdha, e më me eksperiencë, e patën dhe e shfaqën, në një shkallë të admirueshme PK dhe Fronti Nacionalçlirimtar i Shqipërisë. Kësisoj, ata ia dolën të fitojnë besimin e masave popullore dhe të neutralizojnë efektet e masave demagogjike të okupatorit”. E për këtë, një meritë e veçantë i takonte, pa dyshim, Enver Hoxhës, si udhëheqës kryesor i PK e i Frontit Nacionalçlirimtar. Në përgjigje të shqetësimeve të shfaqura, në këtë rast, në Dibër, por jo vetëm, ai i shkruante Haxhi Lleshit, se në këto momente, “rëndësi të dorës së parë, kishte shpjegimi i asaj që ndodhi, asaj që realizoi okupatori. Ç’përfaqësonte ky bashkim; çfarë synohej me të dhe cili është gjykimi e qëndrimi ynë, mbi këtë çështje”?
Në këtë kuadër, shtrohej një pyetje esenciale, që duhej sqaruar e kuptuar drejt, këtu më së pari, por jo vetëm. Pas “bashkimit” të Kosovës a duhej hequr dorë nga lufta, kundër okupatorit fashist italian e, pas shtatorit ’43, kundër okupatorit gjerman, për të rivendosur pavarësinë e atdheut? Nga përgjigjet që iu dhanë kësaj pyetjeje u krijuan tre rreshtime kryesore politike. Rreshtimin e parë e përbënin qarqet kolaboracioniste, të cilave u prinin figura si Verlaci, Kruja, Bushati etj. Që, me radhë do të kryesonin qeveritë kolaboracioniste. Pa marrë parasysh faktin, se Shqipëria ishte e pushtuar e pavarësia e likuiduar, ata iu gëzuan posteve që morën, u kënaqën edhe me “bashkimin” e një pjese të trojeve etnike dhe u rreshtuan pa hezitim përkrah Italisë Fashiste.
Në rreshtimin e dytë bënin pjesë forcat që qenë bashkuar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtare. Fronti kishte pranuar Kartën e Atlantikut e, në përputhje me të, nuk e njohu bashkimin e realizuar nga okupatori, madje e konsideroi një farsë, një veprim demagogjik, që bëhej për të mashtruar shqiptarët për të krijuar iluzione e për t‘i larguar nga lufta.
Në rreshtimin e tretë, qëndronin qarqet nacionaliste, të ashtuquajtura liberale, të cilët, në fillim, nuk qenë pajtuar me platformën e kolaboracionistëve, biles kishin pranuar principet dhe frymën e Kartës së Atlantikut, që i ftonin popujt të ngriheshin në luftë kundër agresorëve fashistë. Por, në praktikë, ato nuk mbajtën qëndrim të njëjtë. Një pjesë e tyre, nacionalistët antifashistë, ndër ta dhe partizanë të ish mbretit Zog, që nuk e ndoqën atë në aventurën jashtë vendit e një pjesë u distancuan dhe e dënuan aktin e tij, u bashkuan me komunistët, në kuadër të Frontit Antifashist për të përballuar së bashku agresorët fashistë, që kishin shkelur pavarësinë e atdheut.
Kurse pjesa tjetër e nacionalistëve, me prirje antikomuniste e antizogiste, të grumbulluar në organizatën e “Ballit Kombëtar”, në fillim mbajti një qëndrim pritës, pa u angazhuar në luftë, pasi, sipas Mit`hat Frashërit, kreut të këtij grupimi, kështu kurseheshin sakrificat që kërkonte lufta, pa e dëmtuar çështjen e Pavarësisë, pasi fati i saj do të vendosej në frontet ku zhvillonin luftime Fuqitë e Mëdha. Ata mendonin që të hynin në luftë në fundin e saj, atëhere kur forcat partizane do të ishin rraskapitur nga ballafaqimi me gjermanët, për t’u dhënë goditjen vendimtare, që do të pamundësonte ardhjen e tyre në pushtet dhe për të marrë vetë pushtetin.
Shqiptarët duhet të kuptonin se fati i pavarësisë edhe i Kosovës nuk mund të lidhej me iluzionet e me premtimet e shteteve fashiste, pasi zgjidhjet që ofronin ata ishin të përkohshme. Në balancat e krijuara, ato nuk kishin të ardhme. Në të kundërt, platforma e aleatëve ofronte një zgjidhje të qëndrueshme e përfundimtare, pasi mbështetej në vetëvendosje, kërkesë thelbësore e Kartës së Atlantikut dhe garantohej nga aleatët.
Natyrisht, as pavarësia e as bashkimi i Kosovës, nuk mund të shiheshin jashtë këtij konteksti, jashtë këtyre zhvillimeve, pasi dhe lufta, në të dy pjesët e vendit që synonte arritjen e tyre, nuk do të ishte e shkëputur, e mbyllur, e izoluar nga bota.
Një rreshtim i tillë do të reflektohej menjëherë në qëndrimet e aleatëve ndaj Pavarësisë Shqiptare. Në rrethana të tilla do të shfaqej dhe iniciativa e BS dhe e Stalinit, për t’ju rikthyer kësaj çështjeje. Në nëntor ’41, Moskën e vizitoi ministri i jashtëm Britanik, A.Iden. Në takimin me atë, Stalini do t’i parashtronte propozimin që t’i rikthehemi çështjes shqiptare, të korrigjojmë qëndrimin e mbajtur ndaj agresionit të fashistëve italianë, më 7 prill ’39 dhe të deklarojmë publikisht, se e dënojmë atë dhe mbështetim pavarësinë që ky vend kishte patur para Lufte. Këtë nuk e thotë, as Stalini e as Enver Hoxha, por sekretari amerikan i shtetit, E. Stettinius, në veprën “Ruzvelti dhe ruset”, botuar në v. 1949.
Tri Fuqitë Aleate
Pas një konsultimi të përbashkët, tri Fuqitë Aleate, Britania e Madhe, BS dhe SHBA bënë të ditur, përmes ministrave të Jashtëm, deklaratat e qeverive të tyre, në të cilat, ata shpreheshin publikisht, se nuk njihnin as pushtimin e Shqipërisë dhe as pretendimet e Italisë Fashiste ndaj saj; Se ripohonin Pavarësinë e Shqipërisë dhe shprehnin dëshirën, që ta shihnin atë sa më parë të rivendosur. Kjo ishte padyshim një fitore për Shqipërinë, për luftën e popullit shqiptar e për udhëheqësit e saj, që tregonte se ata, e kishin kaluar dhe e kishin fituar provën e besimit ndaj aleatëve, që do të përkthehej në njohjen dhe mbështetjen e tyre pa rezerva; e cila do të kishte rëndësi shumë të madhe për përmbushjen e objektivave kombëtare, të parashikuara në programin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Megjithatë, ndryshe nga deklarata amerikane e ajo sovjetike, që njihnin pavarësinë e Shqipërisë pa asnjë rezervë, deklarata britanike e bërë nga ministri i Jashtëm A.Iden, më 17 dhjetor 1942, në Dhomën e Komuneve, ndonëse njihte Pavarësinë e Shqipërisë, linte të hapur çështjen e kufijve të saj, si një çështje që duhet të diskutohej në konferencën e paqes, që do të mbahej pas lufte.
Siç shihet, edhe në këtë rast, pohimi i M. Frashërit se rreziku i copëtimit të Shqipërisë, kësaj here do të na vinte nga BS, pasi Stalini do t’ia shiste Shqipërinë fqinjëve të saj, nuk u vërtetua. Për fat të keq ishte Britania e Madhe, njëra nga Fuqitë Aleate, që po e bënte këtë, duke shfaqur rezerva mbi kufijtë e Shqipërisë, me qëllim që të përmbushë një premtim të dhënë qeverisë mbretërore greke në mërgim, të vendosur në Londër. Me gjithë shqetësimin që krijoi, ndaj deklaratës britanike nuk pati ndonjë reagim publik, nga forcat politike të djathta apo të majta, pasi, mesa duket, u gjykua se, për momentin, ajo që i bashkonte të dy palët, lufta kundër fashizmit, kishte përparësi e se mbështetja e Britanisë së Madhe, njërës nga Fuqitë Aleate, që udhëhiqnin luftën dhe Koalicionin Antifashist kishte rëndësi të posaçme për njohjen e afirmimin ndërkombëtar të vendit e të Luftës sonë. Madje, shpresohej se në procesin e saj, do të sqaroheshin e kapërceheshin dhe mos pajtimet mbi këtë Çështje.
Si rrjedhojë e fitores së Koalicionit Antifashist…
Si rrjedhojë e fitores së Koalicionit Antifashist dhe e disfatës së Fuqive të Boshtit Nazifashist, u arrit çlirimi, njëri pas tjetrit i vendeve të angazhuara në luftë përkrah aleatëve, përfshi dhe Shqipërinë. Shqipëria u çlirua me forcat e veta, pa qenë nevoja që, në territorin e saj të kryenin veprime luftarake ushtritë e vendeve aleate. Kësisoj, pavarësia do të ishte dhe do të mbetej e plotë, e pa ndikuar dhe e garantuar; sovraniteti dhe kufijtë të pa cenuar, të paprekshëm. Ishte lufta, angazhimi në luftë përkrah aleateve, që i jepte pavarësisë forcën e vitalitetin e duhur, që do të shërbenin për të përballuar rreziqet me të cilat do të përballej vendi menjëherë pas lufte, e për të siguruar kështu jetën dhe punën paqësore të qytetarëve. Ndërkohë Kosova e viset e tjera, të çliruara nga zgjedha nazifashiste ndodheshin të përfshira në kufijtë e shteteve që i kishin aneksuar që më 1913, me shpresë e në pritje të korrigjimit të këtij gabimi historik. Shpresat e tyre bazoheshin në Kartën e Atlantikut, dokumenti që i kishte frymëzuar e motivuar në luftë kundër agresorëve nazifashistë. Mirëpo, ndryshe nga ç‘mendohej, shqiptarëve do t‘u rezervohej një tjetër zhgënjim, pasi aleatët, hartuesit e këtij dokumenti, të mbledhur në Jaltë e në Podsdam, në prag të përfundimit të luftës, pasi ndanë zonat e influencës, do të merreshin vesh, që çështja e kufijve dhe pretendimet për ta, të mbylleshin e ato, do të mund të hapeshin e të ndryshonin vetëm me marrëveshje në mes palëve të interesuara.
Në vitin 1946, një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, aleatët thirrën në Paris, Konferencën e Paqes, e cila do të ndërtonte hartën e re të Evropës pas lufte. Kryeministri grek Caldaris, do të shfrytëzojë tribunën e këtij forumi për të çfaqur publikisht, akuzat dhe pretendimet absurde, ndaj Shqipërisë, duke kërkuar njohjen dhe pranimin e tyre, nga aleatët, më së pari, por dhe pjesëmarrësit e tjerë në mbledhje.
Në përgjigje të tyre, kryeministri shqiptar, Enver Hoxha, deklaroi se, “Shqipëria, nuk kishte asnjë pëllëmbë tokë të huaj, brenda kufijve të vet, përkundrazi, ishin të tjerët, që kishin grabitur territore të saj”, e se “Kufijtë tanë, nuk mund t`i verë në diskutim askush, as kjo konferencë. Ato, për ne janë të shenjtë e të paprekshëm”. Shqipëria, vijon me tej kryeministri shqiptar, i “kishte kryer, deri në fund, obligimet ndaj Luftës e ndaj Aleancës Antifashiste dhe nuk kishte asnjë lidhje me kolaboracionistët, që i qenë bashkuar Italisë, në agresionin kundër Greqisë”; biles, ajo, megjithëse e pushtuar edhe vetë nga të njëjtët agresorë “kishte marrë anën e Greqisë dhe kishte mbështetur luftën e popullit grek”; prandaj “nuk kam ardhur këtu, që të jap, por t`u kërkoj llogari armiqve të përbashkët”. Në fund të debatit mbi këtë çështje, Konferenca rrëzoi akuzat greke dhe mbylli përfundimisht pretendimet për të ashtuquajturin Vorio-Epir.
Ndërkohë, në Kosovë zhvillimet, do te ishin dramatike.
Kosovarët qenë angazhuar në luftë, përkrahë vëllezërve të tyre në Shqipëri dhe popujve të Jugosllavisë, duke shpresuar se regjimi i ri, që do të vendosej në Jugosllavi, do të respektojë vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në Rezolutën e Bujanit, që mbështetej në Kartën e Atlantikut. Por shpejt do të shihej se, në qëndrimin ndaj shqiptareve, Jugosllavia e Re, nuk kishte ndonjë ndryshim, nga Jugosllavia e vjetër. Pa mbaruar ende lufta, madje në kohën kur dy divizione partizane të Shqipërisë, luftonin ende në Jugosllavi kundër forcave naziste, qeveria jugosllave, përmes një mbledhjeje, të inskenuar të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, të thirrur në Prizren, në korrik 1945, anuloi Rezolutën e Bujanit dhe e zëvendësoi, me një rezolutë tjetër, në të cilën, shprehej gjoja vullneti i popullsisë së Krahinës, që “Kosova t’i bashkohej Serbisë Federale, si pjesë përbërëse e saj”. Në këtë mënyrë, situata në Kosovë do të përmbysej totalisht e bashkë me të, do të pësonin një goditje të rëndë, shpresat e shqiptarëve për një zgjidhje të shpejtë të çështjes së tyre kombëtare.
Një shpresë, se kjo gjendje do të kapërcehej, u duk në korrik 1946, kur Jugosllavinë e vizitoi një delegacion i nivelit të lartë nga Tirana. Në bisedimet e zhvilluara në Beograd, Enver Hoxha i kërkoi Titos që Kosova t‘i kthehej Shqipërisë, pasi ishte krahinë shqiptare, e banuar në shumicë nga shqiptarët, e shkëputur padrejtësisht me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, më 1913. Tito do te pranonte qe “Kosova është krahinë shqiptare, e banuar në shumicë nga shqiptarët, e se kërkesa për bashkim me Shqipërinë, është e drejtë, por tani për tani, është e pamundur të realizohej, pasi nuk do të kuptohej nga serbët”. Në këto rrethana, Shqipëria do të nisë udhëtimin pas lufte, me kufijtë e cunguar në 13-tën, të konfirmuar dhe në Konferencën e Paqes, në 1946-tën. Ndërkohë që, Kosova, Çamëria e viset e të tjera, do të mbeteshin edhe me tej, të shkëputura nga Shqipëria, trungu i vet, brenda kufijve të shteteve, që i kishin aneksuar e që Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha i njohu, duke bërë kështu një padrejtësi të pashoqe ndaj shqiptarëve e duke u shkaktuar një drame, pasojat e së cilës ndjehen edhe sot, në jetën shoqërore e ekonomike, në të dy pjesët e vendit. Kësisoj, do të duheshin të tjera përpjekje e sakrifica mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës, të mbështetura, në mënyrë të vazhdueshme e të palëkundur dhe nga shteti shqiptar, që, në fundin e viteve 90-të, ato të kurorëzoheshin me çlirimin e Kosovës, nga zgjedha shumëvjeçare serbe dhe krijimin e shtetit të ri të Kosovës, që u bë e mundur dhe në sajë të ndihmës e të mbështetjes së fuqishme të faktorit ndërkombëtar, të BE e Nato-s dhe veçanërisht të SHBA-së.

























