Mashtrimet e Gjergj Lucës. Trafikanti që mori pasuritë e shtetit me 1 euro
Ai pranoi se Ministria e Financave i kishte vlerësuar pasuritë që kërkonte të privatizonte me 1.4 miliardë lekë, por dokumentet tregojnë se ai nuk ka paguar asgjë. Luca i ka marrë pasuritë me 1 euro copë, ka përfituar 1.2 milionë euro fonde bujqësore, naftë të subvencionuar dhe të ardhura mujore nga qiratë shtetërore.
Intervista e fundit e Gjergj Lucës te podcasti i Grida Dumës zbuloi më shumë se çfarë tentoi të fshehte. Ai pranoi se Ministria e Financave i kishte vlerësuar pasuritë që kërkonte të privatizonte me 1.4 miliardë lekë, por dokumentet tregojnë se ai nuk ka paguar asgjë. Luca i ka marrë pasuritë me 1 euro copë, ka përfituar 1.2 milionë euro fonde bujqësore, naftë të subvencionuar dhe të ardhura mujore nga qiratë shtetërore. Lista e pronave të grabitura përfshin rezervat e shtetit, tunele ushtarake, ish-miniera, pyje, troje turistike dhe zona detare strategjike, të cilat i ka marrë falë mbështetjes politike nga Edi Rama. Para një jave, në një intervistë ‘peshkatari’ Gjergj Luca u mundua të pastronte profilin e tij si trafikant ndërkombëtar droge dhe të justifikonte pasuritë shtetërore që ka grabitur me vendime të kryeministrit . Për pasuritë që ka marrë me “1 Euro”, Gjergj Luca zbuloi një fakt manovrimi, ose më saktë një aferë financiare me Ministrinë e Financave, që përbën objekt hetimi nga drejtësia. Ai tha: “Kur shkova për të bërë privatizimin e objektit, në zyrën e ministres së Financave, Anila Denaj, ishin dy punonjës që u ulën përballë meje me një preventiv 1100 euro për metër katror, në total 1.4 miliardë lekë. Unë bëra skandal në prani të ministres, duke u thënë se donin të më grabisnin. Shteti duhej të më jepte lekë, jo të më merrte për ato godina”. Pyetja që lind natyrshëm është se për cilat objekte shtetërore bëhet fjalë dhe a e pagoi peshkatari Gjergj Luca detyrimin 1.4 miliardë lekë sipas vlerësimit të Drejtorisë së Privatizimit në Ministrinë e Financave. Ai tha se e ka paguar këtë vlerë në arkën e shtetit. Por, sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti” nga burime brenda Ministrisë së Financave, rezulton se peshkatari Gjergj Luca nuk e ka paguar kurrë dhe pasuritë i ka marrë. Ai ka paguar vetëm nga 1 euro për secilën prej 4 pasurive që i ka dhënë Edi Rama, me sipërfaqe totale 150 mijë metra katrorë ndërtesa dhe troje në Labinot-Fushë Elbasan, Përrenjas, Gramsh dhe Maliq. Gjergj Luca tha se ka paguar edhe 400 milionë lekë në Ministrinë e Mbrojtjes për objektet që ka marrë nga ushtria, por edhe ky është mashtrim. Ai i ka marrë me 1 euro dhe nuk është bërë asnjë pagesë prej 400 milionë lekësh nga kompania “Rozafa Sh.p.k” për llogari të Drejtorisë së Privatizimit të Pasurive Shtetërore. Për vlerën 1.4 miliardë lekë, Luca tha se ia kishte vendosur ish-ministri i Financave para Anila Denajt, pra Arben Ahmetaj. Sipas tij, Ahmetaj kishte urdhëruar akt-vlerësimin konform ligjit të privatizimeve, ndërsa pas largimit të Ahmetajt, detyrimi i Gjergj Lucës u fshi. Ish-ministrja Anila Denaj ka detyrimin të sqarojë “historinë” e faljes së 1.4 miliardë lekëve trafikantit Gjergj Luca për pasuritë shtetërore që ka marrë. Me çfarë ligji dhe me çfarë urdhëri është bërë kjo? Peshkatari dhe trafikanti mashtroi edhe kur tha se nuk ka marrë asnjë qindarkë nga shteti. Në fakt, Gjergj Luca ka marrë 1.2 milionë euro nga fondet bujqësore, mijëra euro nga nafta me çmim 55 lekë për litër, dhe prej 12 vitesh merr nga 2500 euro në muaj për një zyrë të dhënë me qira Doganës në Lezhë sipas pamfleti.
Lista e pronave të grabitura përfshin rezervat e shtetit, tunele ushtarake, ish-miniera, pyje, troje turistike dhe zona detare strategjike, të cilat i ka marrë falë mbështetjes politike nga kryeministri.
Pasuritë shtetërore që ka marrë Gjergj Luca
– 105.127 metra katrorë ndërtesa dhe troje të Rezervave të Shtetit në Labinot-Fushë të Elbasanit dhe 1500 metra tunele.
– Ish repartin ushtarak në Çekrez të Gramshit me sipërfaqe 28.960 metra katrorë.
– Parkun e Minierës së Hekur-Nikelit në Përrenjas me sipërfaqe 10.287 metra katrorë.
– 4889 metra katrorë ndërtesa në ish-Kombinatin e Sheqerit në Maliq.
– 10 hektarë pyje në Zall-Shkumbin dhe 44 hektarë në Shmil të Elbasanit për energji fotovoltaike.
– 10.3 hektarë në Labinot-Fushë për kompleks kulturor.
– 5.1 hektarë në Klenjë të Bulqizës për resort turistik.
– Liqenin e Xarrës në Butrint si koncesion 30-vjeçar për peshk dhe midhje.
– 15 milje katrore hapësirë detare në Kakome-Qefal për rezervat e peshkut.




















