VKM e radhës/ Kilometra vijë plazhi do të kthehen 100% në privat, duke lënë shqiptarët pa asnjë cm2 plazhe publike. Bashkitë vënë në dispozicion bregdetin në shërbim të investitorëvë dhe batalionit të patronazhistëve elektoral. Në hartën zyrtare të turizmit të babëzisë përfshihen edhe lumenjtë, përveç detit dhe liqeneve.
Qeveria ka miratuar ndryshime të thella në rregulloren për stacionet e plazhit, duke i dhënë bashkive kompetenca të reja për kontrollin e çmimeve të shezlongëve dhe duke krijuar një kategori të re plazhesh publike të administruara drejtpërdrejt nga pushteti vendor.Vendimi i Këshillit të Ministrave ndryshon rregulloren e miratuar në vitin 2024 dhe vendos rregulla më të forta për sezonin e ardhshëm veror. Për herë të parë, në hartën zyrtare të turizmit përfshihen edhe lumenjtë, përveç detit dhe liqeneve.
Edhe plazhet publike bëhen me pagesë
Një nga risitë kryesore lidhet me çmimet e shezlongëve. Këshillat Bashkiakë do të kenë të drejtën të miratojnë çmime tavan për çdo zonë bregdetare përpara nisjes së sezonit. Këto çmime do të jenë kufiri maksimal që subjektet private nuk mund ta tejkalojnë gjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit.Në rast se Këshilli Bashkiak nuk merr vendim, çmimi maksimal do të përcaktohet përmes negociimit mes bashkisë dhe subjektit privat në momentin e lidhjes së kontratës. Çmimi i dakordësuar bëhet pjesë detyruese e kontratës dhe çdo tejkalim i tij konsiderohet shkelje, duke çuar deri në zgjidhjen e kontratës.Vendimi sjell edhe krijimin e një kategorie të re, të quajtur “plazh publik i tarifuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore”. Këto zona do të administrohen drejtpërdrejt nga bashkitë ose ndërmarrjet e tyre dhe do të jenë me pagesë për pushuesit, por me standarde të garantuara sigurie dhe higjiene.
“Investitorët Strategjikë” me përparësi
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për investitorët strategjikë. Ata do të kenë përparësi për marrjen e stacioneve të plazhit, por vetëm pasi struktura akomoduese të jetë vënë realisht në funksion. E drejta e përdorimit të plazhit nuk do të lejohet për projekte të papërfunduara apo kantiere ndërtimi.Po ashtu, bashkitë detyrohen të publikojnë paraprakisht hartën e zhurmave për çdo plazh, përpara nisjes së sezonit turistik.
Vendimi parashikon edhe përjashtime për disa zona specifike, ku subjektet mund të kenë stacion plazhi deri në 50 çadra edhe pa pasur hotel, por vetëm restorant ose bar. Këto zona përfshijnë Zvërnecin, Plazhin e Vjetër në Vlorë, Spillën, Vilë-Bashtovën, Gjirin e Lalzit, Currilat, Porto-Romanon, Borshin, Llamanin, Lukovën dhe Rrjollin.






















