Vezë e letra higjienike drejt Ministrisë, vijon protesta masive e studentëve

901
Sigal

Studentët e Universiteteve Publike e kanë vijuar protesten. Pas bashkimit të studenteve nga të gjithë fakultetet dhe marshimit të tyre në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, studentët kanë mbërritur tek godina e Ministrisë së Arsimit. Përveç Tiranës, protestohet edhe në Universitetet e Durrësit, Elbasanit, Korçës. Në Shkodër nuk protestohet sot, por është parashikuar të protestohet nesër në orën 11:00.

Pavarësisht thirrjeve me megafon nga kolegët e tyre për të mos hedhur objekte në drejtim të godinës së Ministrisë, disa studentë kanë hedhur vezë dhe letra higjienike

Me thirrjet “ne nuk jemi bankomat”, “S’ka më heshtje, s’ka më pritje” studentët e bashkuar kërkojnë përgjysmim të tarifave dhe heqjen e tarifave shtesë për provimet e mbartura. Studentët thonë se do ta vijojnë protestën e tyre dhe nuk do të dorëzohen deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.

Këshillat Studentore të Universiteteve Publike i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku paraqesin 4 kushtet e tyre. Ata i kanë lënë afat Ministrisë së Arsimit deri në orën 16:00 të ditës së sotme që të kthejë përgjigje për kërkesat e tyre.

Katër kushtet e studentëve drejtuar MASR:

1. Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:

Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.

2. Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

3. Përmiresimi i kushteve të konvikteve.

4. Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë).