Ja si Kompania koncensionare e Hemodializës, “DiaVita” shpk, vijon të marrë qindra mijëra euro nga Buxheti i Shtetit për shërbime të pakryera ndaj pacientëve në Shqipëri
Pas raportit të KLSH për mashtrime dhe falsifikime me koncesionin e dializës, “ushtari” i Klodian Allajbeut në Fondin e Sigurimeve zhbllokon 6 milionë euro me fatura false, me firmën e ministres së Shëndetësisë që paguhet nga vetë “Spitali Amerikan” . Në gjashtëmujorin e parë të vitit, Allajbeu dorëzoi fatura me vlerë 6 milionë euro me TVSH për 1,016 pacientë në muaj, ndërsa auditimi konstatoi se trajtimet ishin kryer vetëm për 508 pacientë.
Ditë pas publikimit të raportit të KLSH në Komisionin e Ekonomisë, ku u zbuluan abuzimet me koncesionin e dializës, drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Arti Papajani, ka kryer urdhër-pagesën e bllokuar prej 5 muajsh për kompaninë “DiaVita” të “Spitalit Amerikan”.
Dokumentet tregojnë se paratë janë dërguar në Thesar më 31 tetor, me aprovimin e ministres Evis Sala, e cila njëkohësisht është rektore e universitetit privat në pronësi të Allajbeut.
Vetëm dy ditë pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit denoncoi në Kuvend mashtrimet me koncesionin e dializës, është zbatuar një skenar i ri për të shpëtuar kompaninë “DiaVita” të “Spitalit Amerikan”.
Në qendër të tij qëndron drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Arti Papajani, i njohur si “ushtari” i Klodian Allajbeut.
Sipas burimeve të “Pamfletit” në Ministrinë e Financave, më 31 tetor 2025, Papajani ka zhbllokuar një pagesë prej 6 milionë eurosh për kompaninë “DiaVita”, dhe ka dërguar urdhër-pagesën në Thesarin e Shtetit, duke shkelur çdo rekomandim auditimi.
Kjo shumë ishte bllokuar prej 5 muajsh, pas një auditimi të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave, që konfirmoi abuzimet e denoncuara nga KLSH:
– falsifikim të faturave,
– raportime të rreme të numrit të pacientëve,
– dhe përfitim të padrejtë të rimbursimit të TVSH-së.
Në raportin zyrtar, u vërtetua se kompania “DiaVita sh.p.k.”, që menaxhon koncesionin e dializës në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, kishte raportuar dyfishin e pacientëve realë.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, Allajbeu dorëzoi fatura me vlerë 6 milionë euro me TVSH për 1,016 pacientë në muaj, ndërsa auditimi konstatoi se trajtimet ishin kryer vetëm për 508 pacientë.
Vlera e mbingarkuar ishte bllokuar nga Fondi si ndalesë dhe kompensim për mashtrim.
Por më 31 tetor, me firmën e Arti Papajanit, fondet u zhbllokuan dhe pagesa u urdhërua në Thesar, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe me urdhrat e auditimit.
Ky veprim, është bërë me miratimin e ministres së Shëndetësisë, e cila njëkohësisht është rektore e “Ëestern Balkans University”, universitet privat në pronësi të “Spitalit Amerikan”, ku paguhet 15 mijë euro në muaj nga vetë Allajbeu.
Ky nuk është rasti i vetëm i ndërhyrjes për llogari të Klodian Allajbeut.
Vetëm ditë më parë u raportua për pazarin me biznesmenin e “Spitalit Amerikan” për zgjatjen me 5 vite të koncesionit të dializës, me vlerë 25 milionë euro të tjera.
Ky pazar u konfirmua publikisht nga ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, i cili deklaroi se fondi për zgjatjen e kontratës është parashikuar në buxhetin 2026–2028.
Abuzimi është i dyfishtë: një pagesë 6 milionë euro me fatura false, dhe një zgjatje kontrate që shpërblen mashtrimin me fonde të tjera publike. Sipas burimeve, Papajani dhe Sala kanë vepruar në koordinim të plotë me Allajbeun, për të shmangur reagimin e institucioneve pas raportit të KLSH. Në praktikë, kjo do të thotë se qeveria shqiptare po financon me vetëdije mashtrimin, duke mbuluar me urdhra ministrash një skemë që do të duhej të ishte tashmë nën hetim penal nga SPAK.
Nëse prokuroria e posaçme do të hapte dosjen, faktet janë të mjaftueshme për të provuar:
– Mashtrim financiar dhe falsifikim dokumentesh nga kompania koncensionare;
– Keqpërdorim detyre nga drejtori i Fondit dhe ministrja Sala;
– dhe konflikt interesi mes qeverisë dhe një kompanie private që kontrollon një sektor jetik të shëndetësisë.Por as SPAK nuk ka reaguar. Sepse siç duket, kur në lojë janë 6 milionë euro për “Spitalin Amerikan” dhe 25 milionë të tjera për zgjatjen e koncesionit, drejtësia në Shqipëri e ka të kufizuar oksigjenin. Dhe dializa që paguan shteti, shërben jo për pacientët, por për qarkullimin e parave të pushtetit.




















