Ndërmjet 2020 dhe 2024 në të gjithë vendin janë mbyllur 10 për qind e shkollave të arsimit 9 vjeçar në sistemin publik, teksa numri i nxënësve në këtë cikël të arsimit ka rënë me 14 për qind në të njëjtën periudhë. Në të gjithë vendin në vitin 2024 ishin 1127 shkolla të ciklit 9-vjeçar, ose 104 shkolla më pak se në 2020.Të dhënat e INSTAT sipas qarqeve tregojnë se, Kukësi mban rekordin në rang kombëtar më mbylljen e 22 % të shkollave 9 vjeçare në të gjithë qarkun, i ndjekur nga Gjirokastra dhe Korça -16 dhe -15% secila.Tendenca është më e theksuar gjithashtu në qarqet Lezhës, Shkodrës dhe Elbasanit me tkurrje rreth 14%.Në anën tjetër, Tirana mbetet zona më e qëndrueshme, ku numri i shkollave në ciklin 9- vjeçar është shtuar me tre nga 2020 në 2024, duke reflektuar rritjen demografike dhe përqendrimin e popullsisë në kryeqytet.
Edhe Vlora ka një përqindje të ulët, me 5.3% mbyllje, ndërsa Durrësi kishte të njëjtin numër shkollash në 2024 si në 2020.Gjatë periudhës 2020–2024 numri nxënësve në arsimin 9 vjeçar ka rënë me 36.8 mijë nxënës ose -14.2%.Fieri dhe Elbasani janë ndër qarqet më të prekura në numër, me më pak se 10 mijë nxënës së bashku. Ndërkohë, Korça dhe Dibra raportojnë gjithashtu tkurrje të theksuar, me mbi 3 mijë nxënës më pak secila. Edhe Kukësi, një nga qarqet me emigracionin më të lartë, ka tkurrje me mbi 1,400 nxënës dhe 12 shkolla në vetëm katër vite. Ndërsa në përqindje tkurrjen më të madhe të nxënësve e kishim Dibra 28.6%, Berati me 25.7% dhe Fieri me 24%.Nga rënia e numrit të nxënësve nuk përjashtohet edhe Tirana e cila në vitin 2024 kishte rreth 3 mijë nxënës më pak se në vitin 2020, më tkurrje 3.5%.
Në total rrjeti arsimor është tkurrur dhe nxënësit janë pakësuar, nga ana tjetër numri i mësuesve është rritur me mbi 2,100, çka lidhet me riorganizimin e stafit dhe zhvendosjen e burimeve njerëzore drejt zonave urbane.Teksa numri i shkollave dhe i nxënësve ka pësuar rënie të fortë në katër vitet e fundit, shpenzimet për arsimin po vijnë në rritje. Por shpenzimet më të larta për të njëjtin numër nxënësish nuk po përkthehen në cilësi, pasi testimet globale nga PISA për 15 vjeçarët shqiptarë kanë vërtetuar rënie të fortë të njohurive përgjatë 2028-2022.
Emigrimi i ‘trurit’ të Shqipërisë! Auditorët boshatisen, këtë vit 15% më pak regjistrime në arsimin e lartë
Studentët që ulen në auditorë po reduktohen me shpejtësi nga viti në vit, duke bërë që numri i tyre në pjesën dërrmuese të fakulteteve të jetë shumë më i ulët se kapacitetet universitare. Degët që më parë ofronin dhjetëra dhe qindra kuota studimi, në disa raste tashmë po i numërojnë studentë me gishtat e njërës dorë. Këtë vit 16 mijë studentë ishin regjistruar në raundin e parë të studimeve në ciklin bachelor, nga rreth 19 mijë një vit më parë, ose 20 për qind më pak, sipas burimeve zyrtare nga Rektorati.Numri i studentëve në arsimin e lartë në Shqipëri ka pësuar rënie të dukshme gjatë dekadës së fundit, veçanërisht në universitetet publike. Nga rreth 117 mijë studentë në vitin 2016, në vitin 2024 numri ka rënë në rreth 86.900, duke reflektuar tranzicionin demografik të vendit me rënien e lindjeve dhe emigracionin e lartë të të rinjve.
Kosova u jep studentëve nga 100 euro, në Shqipëri ‘luftë’ për një dhomë konvikti
Në prag të fillimit të vitit të ri akademik, Kosova ka shpallur një ndihmë financiare prej 100 eurosh për çdo student, si mbështetje për përballimin e shpenzimeve. Vendimi është bërë publik nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ndërkohë në Shqipëri, studentët përballen me sfida të njëjta, por pa asnjë masë konkrete mbështetëse nga qeveria. Kostoja e jetesës, tarifat universitare, qiratë e larta dhe mungesa e ndihmave financiare i bëjnë studimet një barrë të rëndë për shumicën e të rinjve. I vetmi lehtësim i shumëpërfolur e reklamuar në Tiranë, është aboneja falas për transportin urban, por kjo shpesh rezulton e pavlefshme për disa linja që operojnë në kryeqytet.Përveç mungesës së mbështetjes financiare, studentët shqiptarë janë përballur këtë vit akademik edhe me probleme serioze në ndarjen e konvikteve. Pak javë më parë, të rinjtë u shtynë si rrecka nga forcat e policisë që mbanin peng konviktet, pasi vetëm “miku” dhe “lekët te xhepi” vlejnë për të siguruar një dhomë konvikti ku kushtet janë minimale.Sipas përllogaritjeve të grupeve studentore, një student që ndjek studimet në Tiranë shpenzon mesatarisht 300–400 euro në muaj, shumë më tepër sesa bashkëmoshatarët e tyre në Prishtinë. Megjithatë, Kosova ofron mbështetje direkte, ndërsa në Shqipëri kjo mungon tërësisht.




















