Rezidencat studentore vatër e punësimeve militante

539
Sigal

 

Në shumë vende të Evropës, studimet universitare janë falas, madje edhe konviktet, për studentët e familjeve të varfëra. Ndërsa në Shqipëri, studentët në universitetet publike, paguajnë tarifa shumë të larta studimore, thuajse të barabarta me konviktorët, paguajnë taksat e kripura të patronazhistëve,  përveç pagesës prej 45.000 lekë, plus një komision prej 100 lekësh që e merr banka

Vrojtim i “Telegraf”

Rezidencat studentore vatër e punësimeve militante

Konviktorët paguajnë taksat e kripura të patronazhistëve,  përveç pagesës prej 45.000 lekë, plus një komision prej 100 lekësh që e merr banka

Rrezet e diellit përvëlues ishin shoqëruese të rrugëtimin tonë për në brendësi të qytetit të studentëve. Dritare të hapura vesh më vesh për t’i bërë ballë vapës në mungesë të kondicionerëve dhe rroba të varura në to, është pamja e parë me të cilën përballesh. Disa të rinj stepen kundrejt aparatit, e disa të tjerë qëndrojë pa lëvizur në terezinë e vetë, në cepat e dritareve për t’u freskuar nga era e lehtë që fryn.

Aty akomodohen çdo vit mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria, konviktet e të cilit kanë pritur e përcjellë nëpër strukturat akomoduese mijëra të rinj, që zgjedhin si destinacion të studimeve të tyre kryeqytetin, me shpresa dhe ëndrra shumë. Këto dëshira që do të kultivohen në kushte minimale, për çdo student që qëndron në konvikte. Pavarësisht se u rikonstruktuan, shumë godina, përsëri nuk ofrojnë kushtet e duhura, madje në një pjesë të godinave të reja në katin e pare, gjen vetëm inerte të punimeve.

Më 19 qershor 2019, u  deklarua se do fillonin punimet për ndërtimin e Kampusit Universitar. Një vit e gjysmë pas kësaj deklarate, nga verifikimi në terren dhe informacionet zyrtare, “Telegraf” konstaton se, ky premtim nuk është realizuar. Në shkurt të këtij viti “Telegraf” vrojtoi në terren godinat e “Qytetit Studenti”, ku dëshmoi kushtet e vështira me të cilat studentët që banonin aty përballeshin. Një student rezident në godinën 29, tregoi se kushtet nuk janë të mjaftueshme.  “Mobiljet janë të vjetra, të dhemb trupi të rrish e të flesh në to”, shprehet ajo me ton plot indinjatë.

Kjo godinë përpos kushteve, gjatë natës, është sfidë më vete për studentët. Errësira e madhe bën që siguria e studentëve të jetë mjaft problem, sepse ky është një konvikt disi i veçuar nga të tjerët dhe me një rrugë të pandriçuar.

Ndër vite, numri i studentëve që akomodohen në këto konvikte, ka ardhur në ulje, si pasojë e kushteve të këqija dhe pagesës, e cila nuk përputhet me atë çka ofrojnë këto konvikte.  “Telegraf” dëshmoi dhe njëherë tjetër gjatë vrojtimit se, asgjë nuk kishte ndryshuar nga vizita e para 5 muajve. Sërish mure të palyera që stonojnë me ndërtesat e reja që u ndërtuan, por dhe në to gjen inerte në katin e parë dhe, nuk është aspak vend mikpritës për të jetuar.

“Jetoj në konvikt edhe pse vendosa të shkoj në shtëpi me qira, por nuk e përballova dot, dhe u riktheva këtu. Këto kushte na e vështiresojnë akoma jetesën”, thotë për “Telegraf” një tjetër studente .

Dhoma e konviktit që P.J ndan me dy shoqet e tjera është 15 metra katrorë me njolla të mëdha nëpër mure të palyer, orendi që kanë më shumë se 20 vjet pa u ndërruar etj.

Konvikti 4,3,5,13 ka jetë. Aktualisht këtu ka studentë që po qëndrojnë. Puna i ka detyruar ata të jetojnë larg familjes edhe në verë. Për ironi të fatit pas të gjithave as “R-ja” në godinën “Ilira” nuk është rivënë.

Pagesat

Si një institucion me vetadministrim, kjo drejtori ka detyrën të asistojë studentët nga dita e parë e akomodimit e në vazhdim, kundrejt një pagese prej 45.000 lekë, që çdo student derdh në llogarinë e saj në një bankë private, plus një komision prej 100 lekësh, që e merr banka.

Higjiena

Problem shumë i madh është papastërtia në konvikte. Një godinë ka mesatarisht 2-3 sanitare që kanë për detyrë të pastrojnë korridoret, tualetet dhe dushet e konviktit. Një herë në muaj, drejtoria ka për detyrë t’i furnizojë sanitaret me materialet e nevojshme. Kjo ndodh vetëm në teori sepse në praktikë, furnizimi kryhet një herë në tre muaj, për pasojë higjiena në tualete apo dushe, është shqetësuese. Problemet që lidhen me tualetet nuk kanë të sosur. Në çdo konvikt tualetet janë të përbashkëta për të gjithë katin. Në këto tualete nuk mungojnë pllakat e thyera, dyert e thyera ose që nuk ka derë fare, çezmat e prishura ku uji rrjedh pambarimisht, për të mos folur pastaj për atë “vrimë” pisllëku ku studentët duhet të kryejnë nevojat personale.

Rezidencat studentore të mbingarkuara me staf, ka dublime pozicionesh

Kontrolli i Lartë i Shtetit i është rikthyer edhe një herë institucioneve që ka audituar më herët, për të parë nëse kanë reflektuar mbi rekomandimet, dhe ndër to është edhe pjesa e rezidencave studentore universitare,  dhe konkretisht ajo nr.2 në Tiranë. Edhe pse rekomandimet janë pranuar në masën 100 për qind dhe ka nisur puna për zbatimin e një pjese të mirë të tyre, KLSH vëren se sa i takon ngarkesës me staf të punësuar që kanë këto rezidenca, nuk është avancuar shumë.

KLSH sjell në vëmendje se nga auditimi mbi hartimin, miratimin e strukturës organizative, rekrutimin dhe largimin e punonjësve, konstatohet se, RSU Nr. 2, SHA Tiranë, nuk ka procedura të miratuara për kriteret e rekrutimit të punonjësve me përcaktime sipas formimit profesional, eksperiencës në punë, kualifikimeve ekuivalente. Fakt, i cili nuk e bën transparente procedurën.