Reagon Petro Luarasi: Gjaku nuk bëhet ujë, por edhe në u bëftë, nuk pihet në dolli! Ja letra e dëshmorit të LANÇ dhe skandali me lapidarin te markata e peshkut

1173
Sigal

Gjaku nuk bëhet ujë, por edhe në u bëftë, nuk pihet në dolli!

Petro Luarasi

(Letër dëshmori) “Gjaku ynë është i nxehtë porsi zjarr, si një vullkan që pëlcet dhe hedh n’erë … dhe ne po këputim zinxhirët e robërisë…”

Një nga mjediset më interesante të Tiranës, kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë, që rekomandohet me përparësi për të vizituar edhe nga të huajt, është i ashtuquajturi “Pazari i Ri”, i nderuar së fundmi me çmim ndërkombëtar për risinë e tij arkitektonike. Hyrja jugore, e hijeshuar nga ndërtesa përdhese me kombinime guri e druri, shëtitorja me truall dekorativ, tregu i gjësë së gjallë dhe i fruta-perimeve dhe ballas, përpara një pallati të hijeshuar me ca konfigurime allosoj, një lokal i këndshëm me një gardh druri ku feks me germa të mëdha reklamuese: “Markata e Peshkut” e pas tyre… a mund të konsiderohet vërtet ky biçim… simbol nderimi për dy heronj të shquar antifashistë?! Po, ky është sheshi i xhamisë së Pazarit të Ri në Tiranë, pikërisht këtu ka qenë një lapidar mbresëlënës ku vendoseshin kurora, ku fëmijë, të rinj e të moshuar përjetonin historinë e ndërgjegjësoheshin. Ndërsa tani… kush ka para e dëshirë mund të dendet tek lokali privat me peshk e raki, të qeshë e të këndojë, pikërisht në atë truall ku pushtuesi fashist u grabiti jetën me varje, dy djelmoshave me emrin; Muhamet Gjollesha e Shyqyri Ishmi që luftonin për liri!

  1. Muhamet Gjollesha

Muhamet Gjollesha (1914-1944) dëshmor i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, lindi në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Në v.1930-1937 ai kreu degën e inxhinierisë në Shkollën e Mesme Teknike të Tiranës dhe punoi në disa punë të kualifikuara si gjeometër: në Bashkinë e Beratit (1937-1938), si përgjegjës i Zyrës Botore në Shkodër (1938-1941) ku u lidh në veprimtari antifashiste me Perlat Rexhepin. U transferua në rrethin e Matit (1941-1944) ku zhvilloi veprimtari të gjithanshme antifashiste. Në vitin 1942 doli partizan dhe mori pjesë në disa beteja kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Burrel, Qafështamë, Krujë, Suç, Qafëbuall etj. Në fund të v. 1943 u sëmur dhe qëndroi nëpër bazat ilegale në Mat dhe në Tiranë. Më 28 shkurt 1944 u arrestua nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe pasi ushtruan torturat më çnjerëzore, e varën tek sheshi para xhamisë në Pazarin e Ri në Tiranë. Shoku i tij, komandanti Shefqet Peçi, kujton:

“Ishim në hotel «Adriatik», prill 1942, Muhameti filloi, siç e kishte zakon, të fliste me zë të lartë me urrejtje për fashizmin dhe për ata që i shërbenin me zell. Ai fliste, fliste dhe zërin e ngrinte ca më shumë. Dukej sikur do të përpinte fashistë e spiunë… fotografinë e Muhametit e ruajta me kujdes.

“Shoku Shefqet, (Peçi)

E di që më ke në zemër dhe ju dhuroj këtë imazh tim në letër për të më pasë fytyrën afër xhepit.

Mbaje, o shok, këtë fotografi, mbasi na sot jemi hedhur në fushën e veprimit dhe sakrificave… Nuk mund ta kemi jetën me pekule por si veprim, aksion për të shenjtën liri.

Yti shok,

  1. Gjollesha

Tiranë, prill 1942″

Studiuesi Resul Bedo duke cituar fjalët: “Ne robërit, do jemi zotët e këtij vendi”, përshkruan kujtimet e komandantit Shefqet Peçi mbi heroizmin e e dëshmorit Muhamet Gjollesha:

“…Fashistët e kishin arrestuar në darkën e 28 Shkurtit dhe, në mënyrën më barbare, pa gjyq fare e kishin varur të nesërmen në mëngjes në skelën e një ndërtese që po ngrihej në Pazarin e Ri të Tiranës…Muhamet Gjollesha me litar në fyt kishte thirrur përpara armiqve: “Rroftë Shqipëria! Poshtë tradhtarët!”

Në fund shpreh dhe mbresat e tij:

“…Ashtu, me beretën në kokë, me shallin e kuq që ia valëviste era e asaj dite të Shkurtit, e panë Muhametin shokët e tij… për të qëndruar kurdoherë pranë nesh, për të udhëtuar gjithnjë së bashku me ne.”

Në Pazarin e Ri në Tiranë, në vendin ku u ekzekutua Dëshmori Muhamet Gjollesha, është ngritur një lapidar në kujtim të veprës së tij.’’ (R. Bedo, Në ballë të sulmit, Zëri i Popullit, 26 shkurt 2019) http://zeri-popullit.al/ne-balle-te-sulmit/

  1. Shyqyri Ishmi

Heroi i Popullit Shyqyri Ishmi (1922-1942) lindi në Tivar, në një familje atdhetare me origjinë nga Ishmi i Durrësit. Për arsye ekonomike la shkollën dhe punoi si çirak dhe punëtor elektricist në një shtypshkronjë. Në 7 prill 1939 qe ushtar dhe në aeroportin e Tiranës luftoi kundër pushtuesit fashist. Mori pjesë në demonstrata dhe në aksione e atentate të rëndësishme. U kap më 23 shtator 1942 nga pushtuesit fashistë dhe tradhtarët gjatë kryerjes së një aksioni për djegien e shkollës italiane. U qëndroi heroikisht torturave. Pasi gjykata fashiste e dënoi me vdekje, u ekzekutua me varje, më 22.10.19, tek sheshi i xhamisë së Pazarit të Ri në Tiranë.

Në një dokument shkruhet:

Sikundër asht lajmërue dhe këtë mëngjez n’orën 7.45, në sheshin e Pazarit të Ri, asht veprue ridigjimi i të dënuemit me vdekje, shpallun me 8 të vazhduesit, prej Gjyqit Ushtarak të F.F.A.A. t’unjisueme të Shqipnis, kundër terroristit Shyqri Ishmi, i të ndjervet Halil e Naze, lindur në Tivar më 1920, banues në Tiranë, elektricist. I kthyem prej burgut në vendin e zbatimit, kur qe fillue prej një funksionari të Policisë, i ngarkuem prej Prokurorit të Shtetit, leximi i ndëgjesës së dënimit dhe i Dekretit aprovues i ekzekutimit. Me të shpejtë Shyqri Ishmi, filloi me thanë me za të naltë se jam komunist, dhe jam pjestar i Rinisë Komuniste Shqiptare dhe nuk kam frigë nga vdekja, e që s’fundi keni për t’i pague të gjitha. Me vdekjen t’eme rinia komuniste shqiptare nuk do të marri fund dhe pa tjetër e sigurisht se kam me kenë i hakmarrun. Mandej bërtiti: “Rroftë shoku i madh Stalin”. Tue vazhdue leximin e ndigjesës dhe të dekretit,. Shyqriu filloi me i këputë fjalët funksionarit tue i thanë: «Çfarë ndigjese! Lerie ndigjesën e drejtësisë fashiste! Poshtë fashizmi! Mjaft, tradhtar, nuk nevojitet që të lexoni, epu fund! Ç’ka keni me më bamë ma tepër se me vdekë? Unë nuk i friksohem vdekjes. Mjaft, pse i këndoni? Nuk po lodheni? A jeni marrun veshesh? Rinia shqiptare asht si bari i livadhit, që i kositun, len ma i gjallshëm. Ashtu asht pra dhe rinia komuniste që dita ditës rritet ». Porsa hoxha u përgatit për me e ngushllue me lutje, ai e shtyu tue i thanë: «Shkoni, hiquni prej këtu, nuk ju due – nuk ju due – nuk asht zoti që më merr shpirtin, por fashizmi!». Në pyetjen që i bani prefekti i Tiranës, tue i thanë më se kishte ndonjë gja për me shprehë, i dënuemi filloi me shqiptue shamje kundra fashizmit. Tue i përsërit pyetjen, përgjigjte gjithnji negativisht.”  (Dokument i marrë nga libri: Letra të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Mbledhur nga Mehmet Gëzhilli)

Shokë!

Po ju shkruaj këtë letër nga burgu. Unë po mbaroj, po ju mos u dëshpëroni, se një Shyqyri vdes, por njëqind të tjerë dalin nga populli. Rrugën që kemi nisë, rrugën që na tregon Partia, ta vazhdoni me një vendosmëri të madhe gjer në fund.

Amaneti im asht të merrni hak, të dëboni fashistët, të qëroni tradhtarët dhe spiunët.

Ju përshëndes për herë të fundit.

Shoku juej

Shyqriu

Përmbyllje

Punonjësit e institucioneve të Republikës së Shqipërisë kanë detyrimin ligjor e moral që të mbrojnë vlerat dhe simbolet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si edhe nderin e dëshmorëve. Kushdo që i shkel këto detyrime meriton të ndëshkohet. Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ Rustem Peçi si dhe mjaft veteranë të tjerë, shprehin pakënaqësinë e tyre për situatën paradoksale me të cilën po përballen, bashkë me familjet e tyre. “Qeveria e Rilindjes Socialiste, në 5 vitet e qeverisjes së saj, i ka braktisur veteranët, duke mos u dhënë vlerësimin moral dhe material që meritojnë… nuk ka treguar as kujdesin më të vogël për monumentet kushtuar LANÇ, madje, nuk ka investuar asnjë qindarkë as për mirëmbajtjen r varrezave të Dëshmorëve të Kombit, ndërkohë që ka dhënë mbi 3 miliardë euro koncesione pasuritë e Shqipërisë. Jemi në prag të fushatës për zgjedhje. Shumë baltë po hidhet nga të gjithë. Mos harroni, jemi të majtë. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është Epopeja më e lavdishme, është krenaria jonë dhe ne duhet të jemi krenarë për partizanët, për heroizmin e tyre.” (Rustem Peçi, Kreu i Komitetit të Veteranëve të LANÇ. “Jam i pakënaqur nga Edi Rama. Ministrat socialistë na harruan”, Gazeta: “Telegraf”, 30 Mars, 2019) Lavdi Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare!