Qeveria çon 26% të fondeve për djegien e plehrave. Ja sa do t’u kushtojë çdo vit qytetarëve shpërblimi për Klodian Zoton

334
Sigal

 

Qeveria shpalli programin e shpenzimeve deri në vitin 2024, ku menaxhimi i mbetjeve do të jetë ndër zërat kryesorë të investimeve me një vlerë totale prej 10.7 miliardë lekësh, ose 87 milionë euro, nga të cilat 26% do të shkojnë për financimin e dy inceneratorëve, atë të Tiranës dhe Fierit.

Nga vlera totale e menaxhimit të mbetjeve, 2.4 miliardë lekë ose 22 milionë euro shkojnë për financimin pjesor të inceneratorëve, pasi financimet për këto objekte kanë nisur vite më parë. Në programin katërvjeçar, 2021-2021 inceneratori i Tiranës do të marrë financime direkte nga buxheti i shtetit 1,4 miliardë lekë ose 11,6 milionë euro, ndërsa inceneratori i Fierit do të financohet me 1,4 miliardë lekë ose më shumë se 11 milionë euro.

Vetëm në 4-mujorin e parë të vitit aktual qeveria financoi menaxhimin e mbetjeve urbane me 1,5 miliardë lekë ose rreth 12 milionë euro, teksa shumica e fondeve shkuan për ndërtimin e inceneratorëve (impiante të përpunimit të mbetjeve, që po ndërtohen me kontrata PPP dhe menaxhohen nga privat ët).

 Edhe 32 milionë euro për plehrat e Durrësit

Qyteti më i madh turistik në vend, Durrësi dhe zonat rreth tij u përmbytën për disa ditë nga mbeturinat në kulmin e sezonit turistik, duke e thyer keq imazhin e turizmit në vend. Problemet nisën pasi vend-grumbullimi i mbetjeve në Porto Romano u mbyll me Vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 06, datë 13.01.2020 “Për miratimin e lejes së infrastrukturës: “Mbyllja e vend-depozitimit të mbetjeve të ngurta dhe ndërtimi i ECO-PARK me vendndodhje në Bashkinë Durrës”, dhe Bashkia Durrës u la pa vend-depozitimin kryesor.

Zbatimi i vendimit nisi në fund të vitit të kaluar dhe që atëherë Durrësi përjetoi disa episode ku për ditë me radhë plehrat nuk u tërhoqën. Bashkia Durrës, sipas burimeve të saj, gjeneron mesatarisht 75 500 ton mbetje në vit.

Në fillim të korrikut, Këshilli i Qarkut të Durrësit i përcolli Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve nga AKUMI (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve) studimin për “Analizimin e opsioneve për menaxhimin e mbetjeve në Qarkun Durrës” me alternativat për zgjidhje të problematikës së mbetjeve”, ju jepte tre alternativa, një prej të cilave ishte dërgimi total i mbetjeve në inceneratorin e Tiranës. Për shkak të pamundësisë së Bashkisë për të paguar faturën me fondet e veta, kërkohej mbështetja e buxhetit të shtetit.

Së fundmi, qeveria miratoi vendimin për mbështetjen Bashkisë së Durrësit për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark për periudhën gusht-dhjetor 2021 deri në 2030. Rreth 3,8 mld lekë (32 mln euro) do të jetë mbështetja financiare që qeveria do t’i japë Bashkisë së Durrësit për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark për periudhën gusht-dhjetor 2021 deri në 2030.

Duhen shumë plehra për inceneratorët

Një studim i mëparshm ën i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit vuri në dukje, se kapacitetet për inceneratorët në vend shkojnë përtej mundësive që ka Shqipëria për t’i mbajtur në gjendje pune, por edhe për të respektuar kërkesat që janë vendosur nga Bashkimi Europian për riciklimin dhe rikuperimin.

Të paktën tre projekte inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe Tiranë që nëse do të ndërtohen me kapacitetet e parashikuara mund të rezultojnë të dështuar. Përllogaritet se kapaciteti i të tre inceneratorëve së bashku është sa 44% e totalit të mbetjeve që gjenerohen në në gjithë vendin.

“Duke llogaritur mbetjet që gjenerohen në zonat e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës dhe potencialin e sasisë së mbetjeve të djegshme nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duke llogaritur se të paktën 60% e mbetjeve te riciklueshme ose vetëm 12 % e totalit do të grumbullohen të veçuara për riciklim, potenciali i djegshëm për këto tre zona vlerësohet rreth 123 mijë ton/vit ose sa 26 % e kapacitetit të projektuar të incineratorëve.

Pra, kapaciteti i paplotësuar i incineratorëve llogaritet në rreth 74%. Kjo do të thotë se funksionimi me kapacitet të plotë i këtyre impianteve do të kërkojë furnizimin me mbetje nga i gjithë vendi. Nëse do të ndodhë kështu, do të vërë në dyshim realizimin e objektivave të detyrueshme të BE për riciklimin që në vitin 2033 duhet të arrijë objektivin prej 65% nga mbetjet bashkiake dhe 75% nga mbetjet nga paketimi thuhet në dokumentin e ministrisë.

Kostot e fshehura të plehrave të Durrësit, durrsakët për 10 vjet peng të Zotos

Ja sa do t’u kushtojë çdo vit depozitimi i plehrave në Sharrë qytetarëve të Durrësit

Deri në fund të periudhës 10-vjeçare të depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës, kostoja që tatimpaguesit durrsakë do të paguajnë nga xhepat e tyre për mbeturinat dyfishohet

Dërgimi i plehrave urbane të Durrësit në landfillin e Sharrës, pritet të shkaktojë qytetarëve durrsake rritje të taksave për të paguar Klodian Zoton. Kjo do të vijë si pasojë e fondit të ndihmës qeveritare prej 30 mln eurosh për depozitimin e plehrave në landfill gjatë 10 viteve të ardhshme. Qytetarët e Durrësit pritet të përballen me rritje në mënyrë periodike të taksës së pastrimit, për të paguar projektin dhjetra milionë euro, të imponuar nga qeveria për depozitimin e plehrave në landfillin e Sharrës gjatë 10 viteve të ardhshme. Në 4 gusht 2021, Këshilli Bashkiak i Durrësit pranoi fondin e ndihmës prej 38 miliardë lekë të vjetra ose 30 miliorë euro, të akorduar nga qeveria, si pjesë e planit për dorëzimin e mbetjeve urbane në fushën e menaxhuar nga ‘Integrated Energy BV”, në periferinë perëndimore të Tiranës. Sipas planit ekonomik, të zbërthyer nga këshilltarët e Durrësit, fondi i ndihmës qeveritare do të ndahen në këtë mënyrë: Mbi 11 miliardë lekë të vjetra do të përdoren për transportin e mbeturinave nga Durrësi deri në landfillin e Sharrës, ndërsa mbi 27.5 miliardë lekë të vjetra do të shpenzohen për depozitimin e tyre tek kompania koncensionare, e regjistruar në vitin me administrator të parë Klodian Zoton. Kjo shumë nuk është e vetmja që do të shpenzohet për atë që konsiderohet si zgjidhje emergjente për plehrat e Durrësit, por që gjithësesi do të zgjasë plot 10 vjet. Bashkia e Durrësit ka parashikuar që të shpenzojë nga ana e saj edhe 4.6 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 4 milionë euro, për procesin e depozitimit të mbetjeve. Shpenzimet nuk përfundojnë këtu. Projekti i emergjencës parashikon ngritjen e një pike transferimi të mbetjesh, në të cilin do të bëhet ndarja e plehrave sipas llojit të tyre, para se të dorëzohen në landfillin e Sharrës. Vlera e kësaj pike transferimi është ende e paqartë dhe ajo do të përfshihet si “kosto e fshehur” për planin “Zoto”.Por, ajo që pritet të rëndojë më shumë qytetarët e Durrësit është pikërisht parashikimi evaziv që gjendet në Vendimin e Këshillit të Ministrave për ndihmën financiare. Në vendimin e datës 30 Korrik 2021, qeveria, nëpërmjet firmës së zëvendëskryeministri Erion Braçe, vendosi alokimin e fondit 30 milionë euro, me kushtin që, gjatë periudhës 2022-2030, shuma e mbështetjes financiare do të negociohet çdo vit fiskal gjatë hartimit të buxhetit vjetor edhe atij afat-mesëm, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë së Durrësit. Kjo do të thotë se, në rast se Bashkia e Durrësit do të sigurojë më shumë të ardhura nga taksat lokale, ato do të shkojnë për pagesën e koncensionarit të Sharrës, duke ulur shpenzimet qeveritare për menaxhimin e mbetjeve të qytetit bregdetar.Aktualisht, Bashkia e Durrësit është në vështirësi të mëdha financiare, sidomos pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pezullimit të aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë së Covid-19.Megjithatë, Bashkisë së qytetit tashmë do t’i duhet të përballojë edhe emergjencën e mbeturinave, të shkaktuar nga një vendim i dyshuar si klientelist i kryeministri Edi Rama, për mbylljen e landfillit të Porto-Romanos, pa u parashikuar një zgjidhje tjetër e qëndrueshme për mbeturinat urbane të Durrësit. Zgjidhja e vetme në dispozicion të Bashkisë është rritja e taksave për qytetarët e dëmtuar jashtëzakonisht shumë nga fatkeqësitë natyrore. Drejtuesit lokalë kanë rezistuar, të paktën deri më tani, duke mos i ngarkuar durrsakët me taksa të reja apo rritje të tyre. Por, pasi qeveria e vendosi brenda një rrethi vicioz,  Bashkia shumë shpejt do të jetë e detyruar të rëndojë me detyrime të reja qytetarët dhe biznesit në Durrës, me qëllim që të krijojë mundësi për të paguar dhjetra miliona euro në favor të kompanisë koncensionare të landfillit të Sharës, “Integrated Energy BV”.