Pensionistët protestojnë para Kryeministrisë: Na erdhi shpirti në majë të hundës, s’na dalin lekët as për ilaçe

176
Sigal

Përfitimet e pensionistëve kanë pësuar një rritje qesharake, vetëm 20 lekë në ditë, sa për një gjysmë bilete autobuzi, ndërsa qeveria shpenzon vetëm 6.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për pensionet dhe shpenzon plot 50% të PBB për PPP-të.

INFO

Sipas indeksimit me 4.1% të qeverisë, pensionet në qytet rriten me rreth 752 lekë. Ndërsa një pensionist në fshat, mori 453 lekë më tepër. 

Indeksimi 4.1% dhe premtimet boshe të qeverisë kanë detyruar qindra pensionistë nga e gjithë Shqipëria që të protestojnë përpara Kryeministrisë.

Pavarësisht moshës, sëmundjeve, apo pamundësive financiare, minatorë, naftëtarë, invalidë, ish-ushatarakë etj., janë mbledhur për të kërkuar pensione më të larta, pas dhjetëra viteve punë gjatë jetës së tyre, që në fund u shpërblyen me pensione minimale.

“E di që jemi me vonesë, por na erdhi shpirti në majë të hundës”,- tha njëri prej pensionistëve, që ka ardhur nga Malësia e Madhe. Ai tregoi se e ka gruan dhe vajzën të sëmurë, ashtu siç është edhe vetë, ndërsa me pensionin 170 mijë lekë nuk mundet të marrë as ilaçet.

Qeveria indeksoi pensionin 4.1% në muajin shtator, por ky indeksim është parë si tallje nga pensionistët, të cilët nuk kanë përfituar më shumë se 10 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që çmimet vijojnë të rriten.

Shqipëria numëron afërisht 791 mijë pensionistë prej të cilëve rreth 92% e tyre përfitojnë pensione nga skema e detyrueshme e sigurimit shoqëror, invaliditetit apo pensionet familjare, pjesa tjetër mbulohen nga programet e veçanta në kategoritë e ish-ushtarakëve, punonjësit e minierave, naftëtarëve etj.

Sipas indeksimit me 4.1% të qeverisë, pensionet në qytet rriten me rreth 752 lekë. Pensionistët me pension mesatar  morën në tetor 18,993 lekë. Ndërsa një pensionist në fshat, mori 453 lekë më tepër.

Shumica tregoi se ndihmohej nga fëmijët me para për shkak të pensioneve të ulëta. Ndërsa një pjesë e vogël u shpreh se marrin borxh nga të afërmit ose blejnë veresie produktet që duan të konsumojnë.

Kryeministri Rama prej 2 ditësh ka nisur takimet me pensionistët, ku u premton një reformë në pensione, por deri sa kjo reformë të bëhet, pensionistët do të vijojnë të vuajnë edhe për bukën e gojës.

Kujtojmë se Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani ia ka vendosur fajin jetëgjatësisë së pensionistëve për rëndimin e buxhetit.“Ne urojmë që ky të jetë rasti dhe jetëgjatësia të vijojë të rritet më tej, pavarësisht se na rëndon në skemën e pensioneve”,- tha zv.ministrja.

Pensionistët në Shqipëri janë shtresa më e papërfillur nga qeveria, që tenton t’i gënjejë me 50 mijë lekëshin e fundvitit, ndërkohë që politikanët dyfishojnë rrogat e tyre dhe shtojnë përfitimet financiare nga taksat e qytetarëve.

 

01- Për koncesionet shpenzohen 50% të PBB, ndërsa për pensionistët 6.8%

Duke krahasuar shpenzimet e qeverisë për pensionet dhe ato për Partneritetet Publiko-Private (PPP), Jorida Tabaku ka theksuar për përdorimin e padrejtë të buxhetit. Sipas saj, ndërsa qeveria shpenzon vetëm 6.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për pensionet dhe shpenzon plot 50% të PBB për PPP-të.

Ajo e ka cilësuar këtë qasje si një tregues të qartë të padrejtësisë ndaj një prej shtresave më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët, të cilët sipas saj, janë një kategori për të cilën shoqëria i ka shumë borxh. “ Është e pandershme ndaj shtresës që i detyrohemi më shumë dhe njëkohësisht një shenjë pafuqie përballë atyre që paguajnë më pak taksa !”, ka shkruar ajo.

Gjithashtu, Tabaku ka theksuar se përfitimet e pensionistëve kanë pësuar një rritje tejet të vogël dhe qesharake, e cila është poshtëruese. Sipas saj, kjo rritje është vetëm 20 lekë në ditë, sa për një gjysmë bilete autobuzi, duke e konsideruar këtë si një tregues të mungesës së vizionit dhe përkushtimit të qeverisë ndaj kësaj shtrese.

Deputetja  ka evidentuar se rritja e shpenzimeve për PPP-të është më e lartë sesa pagesat për pensionistët, çka sipas saj tregon qartë prioritetet e gabuara të qeverisë dhe mungesën e një politike të drejtë sociale. Ka shprehur gjithashtu se skema e pensioneve ka dështuar dhe këtë e sheh si një shenjë se qeveria nuk ka asnjë plan konkret për të përmirësuar jetën e pensionistëve, duke e lënë këtë kategori në mëshirë të fatit dhe duke shpenzuar burime për partneritete, që nuk reflektojnë interesat e qytetarëve.