Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencën dhe i ka kaluar SPAK-ut dosjen e kompanisë Bankers Petroleum, ku hetimet e deritanishme kanë zbuluar shkelje të rënda dhe abuzime që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro dëme. Nga hetimet janë firmosur 14 masa sigurie, disa prej të cilave arrest me burg, për punonjës të kompanisë, përfshirë CEO-n aktual Hongping Xiao. Bankers Petroleum i detyrohet shtetit 240 milionë euro, ndërsa dosja ka zbuluar edhe një rrjet bashkëpunimi të fshehtë dhe kapje institucionesh që kanë lejuar kompaninë të operojë pa ndëshkim për vite me radhë.
Vendimi për kalimin e çështjes te SPAK shihet si një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe si një shembull që duhet ndjekur edhe për skandalin e ngjashëm të mbetjeve toksike të kompanisë Kurum International.
Prej 11 muajsh, 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme me burim furrat e Kurum qëndrojnë të bllokuara në Porto Romano. Ngarkesa, e nisur nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, u kthye në Shqipëri pasi autoritetet e Singaporit dhe Tajlandës konstatuan shkelje të rënda të Konventës së Bazelit mbi transportin ndërkufitar të mbetjeve të rrezikshme. Megjithatë, dosja e Prokurorisë së Durrësit ka mbetur pa lëvizje: nuk janë marrë ende mostrat, nuk është bërë analiza shkencore dhe nuk është siguruar zinxhiri i provave.
Në këtë çështje aktorët janë të qartë: Kurum International si prodhues i mbetjeve industriale, kompania Sokolaj shpk si eksportuese nga Durrësi, GS Minerals në Kroaci si marrës, si dhe agjencitë shtetërore doganore e mjedisore që duhej të verifikonin dokumentacionin dhe ngarkesën.






















