Nga monopolizimi i spitaleve përballë sëmundjeve kanceroze prej ushqimeve

Shëndetsia shqiptare sa vjen e po monopolizohet nga spitalet private ndërkohë që qytetarët shqiptarë  paguajnë taksa dhe sigurime shëndetsore por spitali shtetëror është në gjendje katastrofale dhe nuk ofron mjaftueshëm shërbime dhe cilësi . Nga ana tjetër shëndetin e qytetarëve  e rrezikojnë edhe ushqimet të cilat janë të pakontrolluara ,të mbushura me pesticide dhe helme që mund të shkaktojnë kancer. Shteti nuk po merr masat e duhura për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe të ofrojë shërbimet shëndetsore të duhura dhe të denja për popullin.

01

Erion Braçe: Spitali Amerikan po kthehet në monopol të shëndetësisë, tashmë po hyn edhe në koncesione

Sigal

Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, deputetët e opozitës dhe të mazhorancës akuzuan Autoritetin e Konkurrencës për mungesë transparence dhe për një hetim të paplotë mbi paketat që ofrojnë spitalet private për shërbimet shëndetësore.

Deputeti socialist Erion Braçe vuri në shënjestër Spitalin Amerikan, duke e akuzuar për dominim të tregut të shëndetësisë private dhe për zgjerim të ndikimit të tij edhe në paratë publike përmes koncesioneve. “Ka kirurgji në spitale private që kontrollohen nga një operator i vetëm. Ky operator po integrohet për shkak të kapitalit që akumulon, tashmë edhe në shërbime të tjera, në koncesione, PPP dhe farmaceutikë. Çmimet që paguajnë qytetarët janë marramendëse — më mirë shkon në Stamboll sesa atje”, u shpreh Braçe. Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, pranoi se hetimi ndaj tregut të shërbimeve spitalore nuk ka qenë i plotë, për shkak të mungesës së informacionit të nevojshëm nga operatorët privatë. Sipas tij, edhe pse çmimet rezultojnë shumë të larta, nuk janë konstatuar prova për abuzim me pozitën dominuese. “Na mungonte krahasimi i kostove. Kur kërkuam analizën e kostos nga subjektet e hetuara, ato raportuan fitime prej vetëm 3%, çka nuk tregon abuzim me pozitën dominuese”, tha Biba. Gjatë seancës, si deputetë të PS-së ashtu edhe të PD-së ngritën shqetësime për mungesën e konkurrencës në tregje të tjera — nga pikat e grumbullimit dhe telefonia celulare deri tek tregu i karburanteve dhe prokurimet publike. Deputetët e opozitës nga ana e tyre nuk përmendën asnjë fjalë për monopolet në shëndetësi teksa folën për monopolet në fusha te tjera.

02

Shkencëtarët ngrenë alarmin: Të ndalohet menjëherë konsumi i proshutës, po shkakton kancer

Shkencëtarët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të proshutës në supermarkete, pasi sipas tyre lidhen me mbi 50 mijë raste kanceri në zorrë

Një grup shkencëtarësh britanikë po kërkon ndalimin e përdorimit të nitriteve në prodhimin e proshutës dhe “bacon”, pasi këto kimikate janë lidhur me mbi 50,000 raste të kancerit të zorrës së trashë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas një analize të bazuar në të dhëna nga “Cancer Research UK dhe British Journal of Cancer”, rreth 5,400 raste të reja të kancerit çdo vit shkaktohen nga konsumimi i mishrave të përpunuar. Trajtimi i çdo pacienti i kushton sistemit shëndetësor rreth 59,000 paund, duke e çuar faturën totale të shëndetësisë në mbi 3 miliardë paund gjatë dekadës së fundit.

Nitritet përdoren për të ruajtur ngjyrën rozë dhe jetëgjatësinë e mishrave, por krijojnë substanca kancerogjene të quajtura nitrosamina. Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikoi produktet e tilla si “kancerogjene të grupit 1”, në të njëjtin nivel rreziku me duhanin dhe azbestin, shkruan A2 CNN. Profesor Chris Elliott nga Instituti për Sigurinë Ushqimore paralajmëron se qeveria britanike “nuk ka bërë pothuajse asgjë” për të ulur ekspozimin e qytetarëve ndaj këtyre substancave. Ai dhe kolegët e tij i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shëndetësisë, duke kërkuar ndalimin e nitriteve, paralajmërime të qarta në paketim dhe një plan afatgjatë për t’i zëvendësuar me alternativa të sigurta. Aktualisht, mbi 90% e proshutës të shitur në Britani përmban nitrite, ndërsa variantet “pa kimikate” përbëjnë vetëm 10% të tregut.

03

Propozimi i ISHP: Kanceri i qafës së mitrës, do të vaksinohen edhe djemtë

Vaksina kundër Human Papiloma Virus (HPV), e cila mbron nga kanceri i qafës së mitrës, do të aplikohet edhe tek djemtë. Mund të duket e çuditshme, por është pikërisht ky virus (HPV) që transmetohet përmes kontakteve seksuale, duke rritur rrezikun edhe te meshkujt për shfaqjen e kancerit të organeve gjenitale, por edhe në pjesë të tjera të trupit, shkruan A2 CNN.

Instituti i Shëndetit Publik ka propozuar futjen e kësaj vaksine në vitin 2026, edhe për djemtë e moshës 13 vjeç. Prej tre vitesh, në kalendarin e detyruar të vaksinimit po aplikohet doza katërvalente kundër HPV te vajzat 13-vjeçare.

Gjithashtu, për moshat 14 deri në 20 vjeç, Instituti i Shëndetit Publik ka ndërmarrë një fushatë vaksinimi kundër HPV në qendrat shëndetësore, për të mbrojtur gratë dhe nënat e ardhshme nga kanceri i qafës së mitrës.

Vaksina kundër Human Papiloma Virus aplikohet në të gjitha vendet e Europës, dhe në disa shtete është e detyrueshme edhe për djemtë. Studimet kanë treguar se aplikimi i kësaj vaksine ka ulur ndjeshëm rastet e grave në botë me HPV dhe me kancer të qafës së mitrës.

Në vendin tonë, ky është kanceri i dytë më i përhapur pas atij të gjirit, me mbi 130 raste të reja në vit.