Albert Habazaj: Piro Bregaj – “Qytetar Nderi” i Bashkisë Vlorë dhe personalitet i shquar i Labërisë (pas vdekjes)

MSc. Albert Habazaj
Studiues i Etnologjisë dhe Folklorit

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë .
Ish – Përgjegjës i Sektorit të Bibliotekës dhe Botimeve, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë    

NOA

 

Nderimi.

Ndihem mirë, që Këshilli i Bashkisë Vlorë, pas diskutimit të propozimit të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë nga Komisioni i Vlerësimit të Figurave të Bashkisë, i dha titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë Vlorë të ndjerit Piro Ismail Bregaj (pas vdekjes) me motivacionin:

Biblil i këngës kaninjote, yll i pashuar i këngës labe, Piro Bregaj nga viti 2015 e sa qe në jetë (2024) ishte përgjegjës i grupit “Ismail Qemali”, ndërkohë dhe marrësi kryesor i këtij grupi të njohur, me të cilin shkroi një histori folklorike krenare dhe larmi të pasur këngësh, nga pjesëmarrja në festivale, koncerte brenda e jashtë vendit, etj. Ai u bë vazhdues i denjë i paraardhësit të tij Zaçe Kapllanaj, jo vetëm si marrës e hedhës i këngës, por edhe si autor tekstesh. Ai u rrit bashkë me këngën dhe u formua si këngëtar shumëplanësh, me një zë të pastër, melodioz e të toneve të larta, me një shtrirje të gjerë, plot ngjyra e i sigurt në skenë, i dashuruar me këngën dhe komunikues me spektatorët, që na ka dhuruar shumë emocione.


Piro Bregaj qe dhe një veprimtar i dalluar shoqëror, organizator i talentuar dhe ndihmues me shpirt për gjallërimin e jetës kultrore-artistike në Vlorë e kudo që punoi  e jetoi. Ai spikati edhe si kuadër shembullor dhe i devotshëm në sektorët shtetërorë, ku qe emëruar me detyra të rëndësishme, të cilat i kreu me ndershmëri profesionale.

Jetëshkrimi. Për Piro Bregun janë shkruar e botuar artikuj njohës dhe nderimi, ndërsa emri i tij kujtohet në vjersha dhe këngë.

Jetëshkrimi artistik dhe kulturor i këtij personaliteti të këngës kaninjote, të këngës labe në tërësi dhe folklorit shqiptar është i pastër, i pasur, dinamik, sa qytetar, aq atdhetar:

Piro Ismail Bregaj ka lindur në Kaninë më 1 Mars 1962 në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në shkollën 8- vje çare “Rrapo Hasimi”, Kaninë; ndërsa shkollën e Mesme e ka bërë në Gjimnazin ekonomik “Halim Xhelo”. Shkollën e lartë e ka bërë në Universitetin “Ismail Qemali”, diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë.

Në vitet 2003-2016 ka punuar në Drejtorinë e Tatim – Taksave, Bashkia Vlorë, si Drejtor dhe si Përgjegjës Sektori.

Në vitet 2016-2017 ka punuar në Kontrollin e Lartë të Shtetit si Auditues në të gjithë qytetet e Shqipërisë.

Në vitet 2017-2024 ka punuar si Auditues në Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare.

Ai ishte njeri me zemër të madhe, dhe, edhe pse mbylli sytë në 27 nëntor 2024 në Firence (Itali), për ne, nuk ka ikur, sepse rron me këngën e tij, me mirësinë e tij si mjaltë Kanine

Veprimtaria para vitit 1990:

– Në vitin 1975, në moshën 13 vjeçare, zbulohet talenti i tij në këngë dhe aktivizohet me Grupin e Shkollës.

– Në vitin 1976 dallohet për vokal të veçantë dhe kalohet në Grupin e të Rinjve të Këngës Labe në Kaninë. – Në vitin 1976 ka marrë pjesë në Koncertin e Konferencës së Korpusit Ushtarak që përfshinte gjithë zonën e jugut, organizuar në Fier.

– Ka qenë ndër aktivistët më të dalluar të viteve 1983-1991 në Shtëpinë e Kulturës së Kooperativës së Bashkuar Qishbardhë, Kaninë, Drashovicë, Vodicë, ishte pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet që organizoheshin, me aftësi organizuese dhe me talent në të gjitha gjinitë e artit. – Në vitin 1986 ka qenë organizator i “Festivalit të zërave të rinj”, festival i organizuar për herë të parë në Rrethin e Vlorës, janë kënduar këngë të reja, ku ishte edhe autor i disa prej teksteve të këngëve. – Në vitin 1986, në regjistrimin e parë të Grupit të Kaninës në Televizionin Publik Shqiptar ai ka qenë protagonist.

– Këndonte këngën labe, por edhe këngën qytetare vlonjate.

– Në vitet 1980-1990 ka qenë aktivist në Komitetin e Rinisë së Rrethit Vlorë.

Veprimtaria pas vitit 1990:

– Ishte një ndër anëtarët e parë në themelimin e Ansamblit “Çipini”;

– Në vitin 1998, themeloi Grupin e Këngës Labe “Ismail Qemali” Kaninë dhe është autori i një pjese të madhe të këngëve të reja të këtij grupi, pas drejtuesit të parë dhe autorit kryesor të teksteve, poetit të njohur popullor e mësuesit veteran Meleq Kapllanaj, është dhe vijues i stafetës së tij. – Në vitin 2000 dhe 2004, bashkë me grupin, morën pjesë në Festivalin e Gjirokastrës.

– Në vitin 2007, ka regjistruar këngën labe “Në bahçen tënde”, regjistrim që është mbrojtur nga UNESCO. – Në vitet 2003-2016, ka punuar pranë Drejtorisë së Tatim – Taksave të Bashkisë Vlorë, ku ka njohur, orientuar dhe ndihmuar shumë qytetarë të Vlorës për problematikat e tyre. E dallonte dëshira e mirë për të ndihmuar të njohur e të panjohur dhe gatishmëria për t’i zgjidhur problemet deri në instancat më të larta. – Në vitin 2012 ishte organizator kryesor i “Koncertit të 100 vjetorit të Pavarësisë” në Kaninë, koncert që nderoi figurën e themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemalin, ku pati një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe pushtetarëve të kohës. Gjithashtu, ishte ideator dhe kontribues në realizimin dhe vendosjen e bustit të Ismail Qemalit në Sheshin “Teqe” të Kaninës, vendlindjes së Ismail Qemalit; – Në vitin 2012, ka mundësuar vizitën e Darling Vlorës, nipit të Ismail Qemalit, pranë bustit të tij në Kaninë.

– Në vitet 2021-2023, ka organizuar aktivitete artistike për 28 nëntorin në Kaninë.

– Në vitin 2014, themeloi “Festën e Kaninës”, një aktivitet i gjerë, që përfshin organizimin e një feste të madhe, me muzikë, kulinari dhe vallëzim, e cila shërben për të përuruar vlerat, traditat dhe kulturën, jo vetëm të Kaninës, por të gjithë Vlorës. Festa e Kaninës është organizuar nën kujdesin e veçantë të Piro Bregaj për 10 vite rradhazi, 2014-2024 dhe ka pasur impakt në atraksionin turistik të Vlorës, pasi organizohet në Kalanë e Kaninës. Piro Bregaj, përveç se themelues dhe organizator, është angazhuar dhe si performues në këtë festë.

– Ishte anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”.

– Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë.

– Ka kënduar këngën labe në Shqipëri dhe jashtë vendit, ku përmendim Festivalin e Peshkopisë, Dibrës, në Kosovë, në Itali e të tjerë.