Nafta: 400 mijë fermerë do përfitojnë aq sa harxhojnë në 1 vit agallarët e qeverisë

615
Sigal

Qeveria ka deklaruar se ka rritur rimbursimin për naftën për vitin 2022 në masën 40%, por faktet tregojnë se tenderi për naftën e fermerëve jo vetëm që nuk është rritur por është ulur me 20%. Sipas vendimit të ri, është rritur vetëm bonusi i naftës për deputetët, i cili nga 300 mijë lekë në muaj është bërë 400 mijë, ndërsa ministrat dhe dhe drejtorët e rëndsishëm e kanë pa limit

 

Sipas dokumentit, këtë vit qeveria e ka ulur fondin e rimbursimit për fermerët me 210 milionë lekë, ndërsa bonusin e karburantit për 140 deputetët e ka bërë 400 mijë lekë në muaj nga 300 mijë që ishte

 Gjatë debatit parlamentar Basha-Rama për mbështetjen financiare të fermerëve e krejt bujqësisë, kryeministri deklaroi se rimbursimi i naftës për vitin 2022 është shtuar në masën 40% me tepër se viti 2021, që sipas shifrave duhej të ishte mbi 11 milionë Euro. Por deklarata e Ramës rezulton mashtrim, mbasi një dokument zyrtar tenderimi, i firmosur nga Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, vërteton se për vitin 2022, fondi i rimbursimit të naftës është pakësuar me 20%.

Konkretisht, për vitin 2021, qeveria akordoi 10 miliardë lekë rimbursim nafte të ndarë në kategori e kapacitete fermerësh, ndërsa fondi në buxhetin e vitit 2022 është planifikuar në vlerën 7.9 miliardë lekë. Këtë e konfirmon njoftimi i ministreshës Frida Krifca më 14 shkurt, lidhur me tenderin e blerjes së naftës për fermerët, procedurë e cila do bëhet më 11 mars, ose 3 muaj më vonë se viti i kaluar.

Sipas denoncimeve të bëra në SPAK, thuhet se afro 50% e sasisë së vitit 2021 “avulloi” me letra false të shefave të Ministrisë së Bujqësisë, manipuluar nëpërmjet drejtorëve të bujqësisë në qarqe, madje me naftën e fermerëve kanë punuar dhe autobusë urban në Tiranë.

Shqetësimi i fermerëve, lidhet me faktin se tenderi do bëhet në mes të muajit mars, ndërsa procedurat kohore deri te finalizimi dhe zbatimi i kontratës me firmën fituese të tenderit, zgjaten 1 muaj nëse nuk ka ankesa.

Nëse ka ankesa nga firmat që do marrin pjesë në tender, procedurat e hetimit, anulimit apo përsëritjes, shkojnë deri në korrik-gusht, kur fermeri ka nxjerr prodhimet e stinës së verës, prandaj kjo vonesë, konsiderohet lojë e Ramës për të mos dhënë rimbursimin e naftës këtë vit.

Edhe nëse nafta do jepet, me pakësimin e fondit të saj, fermerët do marrin më pak se sasia që përcakton vendimi i qeverisë, ose afro 30% e fermerëve nuk do futen fare në lista me lloj-lloj zvarritjesh e justifikimesh deri sa të kalojë viti.

Fakt është, se ajo “pikë naftë” që fermerët marrin nga qeveria, nuk mund të quhet rimbursim, por lëmoshë, që nuk i ndihmon as për 1 rrugë transport prodhimi, nga fushat e serat deri në pikat e grumbullimit, prandaj detyrohen ta blejnë naftën në treg me çmimin që është.

Ministresha Frida Krifca, do bëjë tenderin e naftës, do plotësojë statistikat me shifra fiktive sikur i ka rimbursuar të gjithë fermerët e çdo sektori në masën 100%, dhe do t’ia japë kryeministrit Rama t’i publikojë në “FB” e t’i recitojë në parlament para opozitës e shqiptarëve.

Sipas një krahasimi, konstatohet se fondi i vitit 2022 për rimbursimin e naftës së 400 mijë fermerëve, është i barabartë me  fondin vjetor të karburanteve që harxhon kryeministri dhe 16 ministrat me drejtorët e tyre qendror në 1 vit.

Është turp, që fermerëve u ulet fondi i rimbursimit, ndërsa 140 deputetëve, kuota e rimbursimit të karburanteve u është shtuar nga 300 mijë lekë në muaj që ishte, në 400 mijë lekë më muaj, siç duket ngaqë lodhen për hallet e popullit.

 

Skema e naftës për fermerët-Çmimi i karburantit pa taksa do të jetë 5% më i shtrenjtë se 2021

Rreth 80,4 lekë për litër naftë do të rimbursohet nga shteti me skemën e shpërndarjes të naftës falas për fermerët që do të vijojë zbatimin edhe për 2022. Pjesën e mbetur të çmimit të naftës pa taksa, fermeri këtë vit do ta paguajë 5% më shumë se 2021, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve. Fondi që do të vihet në dispozicion për shpërndarjen e naftës pa taksa do të jetë 950 mln lekë e njëjtë me fondin e përdorur edhe në 2021. Skema e shpërndarjes të naftës falas do të ketë të njëjtën parim si skema që u zbatua në vitin 2021, ku sasia e naftës që konsumohet për mbjelljen e 1 ha të mbjellë do t’i hiqen pagesat e taksave. Nga çmimi mesatar vjetor i naftës prej 147,4 (sipas çmimit referencë të naftës të buletinit të shkurtit në Agjencinë e Prokurimeve) do të zbriten taksat, si: akciza 37 lekë/L, taksa e karbonit 3 lekë/L, TVSH 20%, 13,4 lekë/L. Në total nga shteti do të rimbursohet për naftën 80,4 lekë/L, ndërsa fermeri do të paguajë pjesën e mbetur të çmimit 67 lekë/L.Naftën fermerët vjet e përfituan 63,8 lekë/L. Në 2021 si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l.

Sakaq tabela shoqëruese e vendimit përcakton se përfitues të naftës falas do të jenë fermerët të ndara sipas 3 kategorive të kulturave bujqësore, si: në bimë arrash (duke përfshirë misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, patate, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore); drurët frutorë (të gjitha llojet e frutave, ulli, agrume dhe vreshta, arra, bajame, lajthi dhe gështenja. Për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore); perime (të gjitha llojet e perimeve, përfshirë edhe shalqinin, pjeprin e luleshtrydhen.). Në vendim përcaktohen edhe normativat e konsumit të naftës për ha për të gjithë këto grupe dhe nëngrupe që nafta do të jepet falas. Konkretisht sipas tabelës për kultivimin e 1 ha misër, fasule,; luledielli apo sorgum një fermer harxhon 190 l naftë, ku 56% e saj do të përfitohet apo 101 l naftë do të përfitohen me çmim 67 lekë/litër. Për kultivimin e grurit, tërshërës, thekrit, elbit, patates, panxharit pambukut do të rimbursohet 46% të naftës që përdoret për kultivimin e 1 ha tokë me këto kultura. Për herë të parë skema përfshin edhe rimbursimin e naftës për tokën e mbjellë me ullinj. Për 1 ha ullinj sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga 160 litra naftë për ha do të rimbursohen 85 litra naftë. Subjekte përfituese nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë do të jenë fermerët individualë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, personat fizikë apo juridikë, të cilët kryejnë veprimtari bujqësore. Nafta për bujqësinë do të shpërndahet nga operatorët furnizues të kontraktuar në bazë të përzgjedhjes, sipas procedurave ligjore prokuruese, nëpërmjet pikave të tyre të shpërndarjes në të gjithë vendin, ku fermerët paraqiten me kartën individuale, në të cilën është hedhur sasia e naftës që ka të drejtë të tërheqë fermeri përkatës. Në 2021 nga skema e naftës falas përfituan në të gjithë vendin 9,096 fermerë.