Mirlinda e AKSHIT jep 3.8 miliardë për regjistrin e gjobave

Sikur të mos mjaftonin skandalet me rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve dhe patronazhistët, AKSHI po gllabëron paratë publike, edhe me krijimet e sistemeve që do mbledhin borxhet e institucioneve. A-T-D fitoi me një ofertë që duket se ishte paracaktuar për të përmbushur vetëm kriteret minimale, duke shmangur çdo garë reale.

Një tender i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për ngritjen e Regjistrit për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave për Institucionet Shtetërore ka ngjallur dyshime për mungesë transparence dhe manipulim. Fondi limit për këtë projekt ishte 355,531,020 lekë të reja pa TVSH, ose gati 4.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

NOA

Fituesi i tenderit është shpallur kompania A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION, në pronësi të Nursen Metulit, me një ofertë prej 313,570,600 lekë të reja pa TVSH, që përllogaritet në 376,284,720 lekë të reja me TVSH ose rreth 3.8 miliardë lekë të vjetra. Sipas artikujve të shumtë në media, Metuli rezulton të jetë i njohur i vjetër dhe mik i Blendi Gonxhes sipas joq.Proçedura e tenderimit është zhvilluar në formatin e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, por ka pasur një pjesëmarrje të kufizuar. Në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani: A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION, që u shpall fituese, dhe iCom, e cila ka ofruar një vlerë zero dhe nuk ka paraqitur një ofertë konkurruese. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje për mungesën e konkurrencës dhe për mënyrën se si është zhvilluar tenderi. Diferenca e vogël mes ofertës fituese dhe fondit limit prej rreth 11.8% shton dyshimet për një proces të paracaktuar.

Ndërkohë, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projekti dhe shumat e mëdha monetare të përfshira, janë ngritur dyshime të forta për manipulim të procesit dhe mungesë transparence. Ekziston shqetësimi nëse procesi ka respektuar standardet ligjore dhe etike të tenderimit publik.

Ky tender, i zhvilluar në kushte ku mungojnë ofertat konkurruese dhe me një diferencë minimale nga fondi limit, kërkon një hetim të thelluar nga institucionet përkatëse për të garantuar që fondet publike po përdoren në mënyrë të drejtë dhe të ndershme. Transparenca dhe përgjegjshmëria janë të domosdoshme për të shmangur shpërdorimin e parave të taksapaguesve.

AKSHI, përbindëshi që po gllabëron buxhetin

Vendimi i qeverisë për të përqendruar të gjithë tenderat e IT-së në një dorë të vetme ka krijuar një përbindësh me fuqi të pakufizuara. Sot AKSHI kontrollon të gjithë tregun e teknologjisë së informacionit, dikton rregullat dhe ndan tortën e madhe financiare. Dhe torta e buxhetit publik që shkon për IT është fryrë aq shumë sa që tashmë ka dalë jashtë kontrollit.