Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, ministri i Financave Petrit Malaj prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe Komisionin e Ekonomisë dhe Financave Aktin Normativ me ndryshimet në buxhetin 2025. Ministri Malaj gjatë fjalës së tij në Komisionin Parlamentar të Ligjeve tha se Akti Normativ është miratuar, për t’u përshtatur nevojave dhe kërkesave të institucioneve shtetërore pas riformatim të Këshillit të Ministrave, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Sipas tij nëpërmjet këtij Akti Normativ, fillimisht synohet për sigurimin e fondeve shtesë për bonusin e fundvitit për pensionistët, e cila është një politikë e qëndrueshme tashmë e kësaj qeverie dhe që dëshmon konsolidimin e vijimësisë së mbështetjes së kësaj shtrese vulnerabël; Rialokimin e kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-shtator 2025, drejt programeve dhe projekteve me performancë më të lartë; Si dhe një rishpërndarje të brendshme të fondeve, me efekt neutral në deficit, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve. Malaj nënvizoi se nga skema e pensioneve do të përfitojë rreth 7.6 miliardë lekë shtesë, nga këto 1.7 miliardë shkojnë në llogarinë sociale të pensioneve dhe 5.9 miliardë lekë rrisin fondin e dedikuar për bonusin e fundvitit, për rreth 756 mijë pensionistë. Kjo shtesë, e cila buron thuajse tërësisht nga rritja e kontributeve të skemës e çon në 9.7 miliardë lekë nivelin e fondeve në dispozicion për bonusin e fundvitit, ose e thënë ndryshe 97 milionë euro.
I pyetur nga deputetët për masën e bonusit të pensionistëve që do të shpërndahet këtë fundvit Malaj tha se kush ka pension deri në 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë, dhe kush ka pension mbi 20 mijë lekë do të marrin bonus fundviti 10 mijë lekë. Malaj tha se deri në fund të mandatit qeverisës pensioni minimal mesatar do të arrijë në shumën e 200 eurove dhe pensionin mesatar urban do të arrijë në 400 euro. Ndryshimet në buxhetin 2025 sipas ministrit të Financave gjithashtu mbështesin rialokimet e AKSHI me 1.2 miliardë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve dixhitale dhe integrimin e platformave të inteligjencës artificiale.
Ministria e Mbrojtjes do të rishpërndajë rreth 1.5 miliardë lekë për nevoja personeli dhe operacionale të tjera, në mbështetje të Forcave të Armatosura. Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Gjendja Civile, do të përfitojnë rreth 650 milionë lekë shtesë nëpërmjet këtij AN, kryesisht për mbulimin e orëve jashtë orarit në kuadër dhe të organizimit të forcave policore përgjatë sezonit turistik, krahas edhe nevojave të tjera që ata kanë në aspektin operativ dhe të sigurisë. Ministria e Arsimit përfiton 329 milionë lekë shtesë për pagat e mësuesve dhe për financimin e teksteve falas. “Sa i takon shpenzimeve kapitale, prioritet i është dhënë sektorëve strategjikë, si: infrastruktura, energjia, teknologjia dhe fusha të tjera me rëndësi për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, në këtë akt është materializuar edhe rishpërndarja e fondeve nga projektet me performancë më të ngadaltë drejt atyre me performancë më të shpejtë, si dhe drejt atyre me ndikim më të ndjeshëm zhvillimor në aspektin ekonomik”, nënvizoi ministri Malaj. Ministri i Financave u ndal në mënyrë të detajuar te disa nga shpenzimet kapitale.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është financuar me rreth 6 miliardë lekë shtesë, nga të cilat: 2.4 miliardë lekë për transportin rrugor; 3 miliardë lekë për programin e transportit ajror për mbështetjen e Albcontrol, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive bankare AKSHI është financuar me rreth 1.6 miliardë lekë shtesë për zhvillimin e sistemeve kompjuterike dhe digjitalizimin e shërbimeve publike, në kuadër të bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe kompaninë Oracle. Ministrisë së Punëve të Brendshme i alokohen 468 milionë lekë, kryesisht për nevojat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës; Ministrisë së Drejtësisë i shtohen rreth 400 milionë lekë për projektin e godinës së Institutit të të Miturve. Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i alokohen 300 milionë lekë për avancimin e projekteve të ujitjes dhe kullimit për bashkitë. Sa i takon buxhetit të njësive të qeverisjes vendore, ky akt sjell disa ndryshime dhe më konkretisht: 200 milionë lekë shtesë në taksat e ndara që i transferohen buxhetit vendor, si rrjedhojë e realizimit të lartë të Tatimit mbi të Ardhurat Personale. 154.6 milionë lekë shtesë për shpërblimet e punonjësve të zjarrfikëses në 16 bashki të prekura rëndë nga zjarret verore ku 16 bashkive në të cilat ka pasur intensitet të lartë dhe kohëzgjatje të zjarreve, iu akordohen fonde për dy paga shpërblim dhe bashkive të tjera iu akordohen fonde për një pagë shpërblim për punonjësit e mbrojtjes nga zjarri”. Në përfundim të diskutimeve Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi ndryshimet në buxhetin e vitit 2025.






















