Kompensimi: Zgjidhjet për pronarët dhe si ndahen fondet!

16
Sigal

Çfarë do bëhet me dosjet e pavlerësuara

Ndërhyrjet e fundit ligjore, si shtyrja e afateve të vlerësimit dhe kompensimit si dhe futja e kompensimit fizik në vend të atij financiar, kanë shtuar pasigurinë dhe kaosin për pronarët. Ndërkohë, një pjesë e madhe e dosjeve as nuk janë shqyrtuar ende, duke rritur faturën e borxhit dhe duke vënë në pikëpyetje vullnetin real për përmbylljen e këtij procesi.

Kompensimi i pronarëve legjitimë në Shqipëri vazhdon të jetë një proces i stërzgjatur, i paqartë dhe shpesh i përdorur si mjet politik.Deri më sot kemi vetëm deklarata të qeverisë, ministrit dhe Agjencisë së Pronave mbi punën e kryer në këtë aspekt. Por çfarë thonë pronarët?! Në një intervistë Myrshit Vorpsi, kryetar i shoqatës “Pronarë me Drejtësi” bën një pasqyrë reale të kompensimeve ndër vite, ndërkohë që ngre edhe një sërë shqetësimesh serioze mbi mënyrën sesi është menaxhuar fondi i kompensimit, numrin real të pronarëve të kompensuar dhe sa rezultative janë format e aplikuara së fundmi. Sipas Vorpsit, pavarësisht se vlera totale e kompensimit të pronarëve arrin në mbi 116 miliardë lekë, deri tani është shlyer më pak se një e dhjeta. Ndërkohë që ky detyrim kushtetues është zvarritur, përfituesit realë duket se janë zaptuesit e pronave, të cilët përfitojnë nga legalizimet me çmime të reduktuara. Fondi që ishte parashikuar për pronarët, prej vitesh përdoret tashmë për të subvencionuar kompensimin e ndërtimeve pa leje. Ndërhyrjet e fundit ligjore, si shtyrja e afateve të vlerësimit dhe kompensimit si dhe futja e kompensimit fizik në vend të atij financiar, kanë shtuar pasigurinë dhe kaosin për pronarët. Ndërkohë, një pjesë e madhe e dosjeve as nuk janë shqyrtuar ende, duke rritur faturën e borxhit dhe duke vënë në pikëpyetje vullnetin real për përmbylljen e këtij procesi.

Së fundmi kemi vënë re që ATP-ja po aplikon në jo pak herë edhe kompensimin fizik, apo atë miks, që e përmban edhe kompensimin me tokë. Në optikën tuaj, si e gjykoni këtë formë kompensimi që po aplikohet?

Ligji 133/2015 kishte parasysh kompensim financiar, ndërsa tani është futur në valle edhe kompensimi fizik, që sipas meje do të krijojë një problematikë tjetër, sepse fondi i kompensimit të deklaruar deri më sot sipas ATP në raportet vjetore thuajse nuk ekziston fare. Ishte një sipërfaqe 23 mijë ha tokë bujqësore, e cila përveç faktit që ndodhej në katër zonat më malore të Shqipërisë, ndahej në 24 mijë parcela, ku 70% nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, me sipërfaqe mesatare prej 7 dynym. Pa drojë, mund të them që i gjithë procesi është i dështuar, sepse faktet kanë reaguar që këto sipërfaqe toke janë ndarë me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) pavarësisht se janë deklaruar në favor të Agjencisë, ose kanë ndërruar destinacion. Fondi është marrë në dorëzim, vetëm 360 pasuri nga agjencia, sipas legjislacionit të miratuar për këtë qëllim. Ndërkohë që fondi i pyjeve 70 mijë ha nuk dihet se ku është. Fondi ka firuar rrugës, pasi është vetëm 50 mijë ha. Jemi në një proces me shumë të panjohura dhe nuk dihet akoma se ku do të përfundojë. Duhet me patjetër që fondi i tokave të jetë i identifikuar dhe të merret në dorëzim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Për ta përmbyllur si proces nuk mjafton vetëm dalja e vendimit të Këshillit të Ministrave, por nevojitet që ATP t’i verifikojë dhe t’i vlerësojë nëse shërbejnë për qëllim kompensimi. Faktet kanë treguar që ligji 7501 dhe legalizimet kanë shërbyer si kalë beteje në fushata elektorale. Me një VKM të vitit të kaluar, qeveria mori përsipër të identifikonte të gjithë tokat e patrajtuara me ligjin 7501 që figuronin me titullin shtet, të identifikoheshin edhe poseduesit e këtyre, me qëllim që t’iu jepeshin poseduesve të këtyre parcelave. Fondi i tokave figuron vetëm në letër, sepse në terren nuk ka kufij, pasi janë zaptuar apo përdorur nga persona të tjerë. Vendimi i qeverisë këtë synonte. Me një vendim qeverie është ngritur një grup pune që nga shtator–tetori i vitit 2024 dhe deri më tani do të ishin identifikuar të gjitha pasuritë. Më 2024, bashkitë merrnin përsipër të bëheshin ndërmjetës për legalizimet dhe kjo bëhej në pragun e fushatës elektorale. Bashkitë do të shkonin te ata që kishin bërë vetëdeklarim dhe të çonin përpara procesin e legalizimit, por nuk dihet çfarë ka ndodhur. Deri në fundin e vitit 2024 kanë dalë 82 vendime të tilla, që në finale kanë marrë përsipër të shpronësojnë një sipërfaqe toke nga pronarët legjitimë në favor të poseduesve, rreth 423 hektarë që në total, është vlerësuar rreth 40 miliardë lekë. Sipas ligjit të parë të legalizimeve, brenda 6 muajve nga dalja e VKM-së, pronarët duhet të merrnin paratë. Pastaj qeveritë përkatëse e ndryshuan këtë formulë. Sot jemi përballë faktit që shteti nuk ka asnjë detyrim ligjor se kur do të kompensohen pronarët, pasi del vendimi.

Në praktikë, çfarë ka ndodhur? A i kanë marrë paratë pronarët?

Të gjithë ata që i kanë marrë paratë kanë marrë vetëm 70% të shumës, 30% kanë ngelur të papaguar dhe ende se dinë për ç’arsye. Shifra e pretenduar nga ministri ka qenë më tepër një asgjë, sepse ATP-ja s’ka pasur fond për këtë proces për një arsye të thjeshtë fare. Sot kemi gati 8 vjet që është bashkuar me atë fond që miraton buxheti i shtetit çdo vit (3 miliardë lekë) edhe kompensimi i pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë. Sot nuk paguajnë ata që kanë zaptuar, por taksapaguesit shqiptarë.

Në dijeninë time, formula që përdoret në këto raste është ajo e transferimit të fondeve për legalizimin e këtyre pasurive të zaptuara nga Kadastra te ATP-ja në favor të kompensimit të pronarëve legalë…

Po, por ajo çfarë paguajnë zaptuesit nuk mjafton. Me ligj, zaptuesit e paguajnë tokën që marrin me çmime preferenciale, ato janë 50% të çmimeve sipas hartës së vlerësimit tokave, pra një pjesë me lekë dhe tjetra me letra me vlerë. Në totalin e vet paguajnë vetëm gjysmën e vlerës së pronës që kanë zaptuar. Pra, tarifa e pagesës që do kenë zaptuesit e tokave të pronarëve sipas formulës së miratuar nga qeveria është minimale. Për shembull, në një zonë kadastrale me 300 mijë lekë për m2 , poseduesit paguajnë 100 mijë (të vjetra), pjesën tjetër e gjen buxheti i shtetit. Në rastin konkret merren nga fondi i kompensimit të pronarëve.

Duke qenë se po flasim për ndërtimet pa leje në tokat e pronarëve, a keni ju një shifër apo jeni në dijeni të numrit të tyre?

Me VKM, fondi i miratuar për 82 vendimet e zbardhura është 40 miliardë lekë të reja. Sot janë paguar vetëm 8 miliardë. Asnjëri sot nuk e di sa është ky numër të objekteve të deklaruara për procesin e legalizimit. Në mënyrë frekuente, nga viti 2006 kur doli ligji i parë për legalizimin deri sot është interesuar që rregullisht të shtyhet afati i vetëdeklarimit. Nëse më 2006-ën ligji parashikonte që nuk do kishte një shtyrje tjetër të afatit, që ka qenë për një periudhë 1-vjeçare, nga data e daljes së ligjit për legalizimet është shtyrë afati i vetëdeklarimit plot 10 herë. Shtyrja më e fundit me ligjin 20/20 parashikon të përfundojë në 2028-ën, kur mbaron afati i ligjit. Jemi në një paradoks që asnjëri nuk mund ta shpjegojë dhe çfarë përgjigje t’i japë.

Duhet më patjetër që fondi i tokave të jetë i identifikuar dhe të merret në dorëzim nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Për ta përmbyllur si proces nuk mjafton vetëm dalja e vendimit të Këshillit të Ministrave, por nevojitet që ATP t’i verifikojë dhe t’i vlerësojë nëse shërbejnë për qëllim kompensimi. Të gjithë ata që i kanë marrë paratë kanë marrë vetëm 70% të shumës, 30% kanë ngelur të papaguar dhe ende se dinë për ç’arsye!

Sipas jush, vendimet e dala, a kanë qenë në favor të pronarëve me qëllim mbylljen e hesapeve me ta?

Me ligjin e parë, ai që kishte përfituar tokë me procesin e legalizimit nuk merrte certifikatën e pronësisë, pa dalë vendimi i qeverisë që dëmshpërblen pronarët. Kurse tani, legjislatori ka vendosur që leja t’i jepet atij, pavarësisht nëse del apo jo vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin

Përveç dosjeve për të cilat ka aplikime apo vendime, një numër i konsiderueshëm janë edhe dosjet e patrajtuara. Çfarë do bëhet me to?

Dosjet e patrajtuara janë ato që janë depozituar bashkë me praktikën e plotë që nga 2013-a dhe për ta s’ka ende vendimmarrje. Shifra e vlerësimit të tyre do e ngrinte shumë faturën, pasi figurojnë 144 mijë hektarë tokë bujqësore e pyje për të cilat nuk ka një vendimmarrje. Me pak fjalë, Agjencia është e papërgatitur për trajtimin e tyre, si të përmbylljen e kompensimit të pronarëve që janë tashmë në proces.