Koeficienti i ri për pensionet nga viti 1994 deri në 2019

3229
Sigal

Specialisti Fadil Kepi: Qeveria ka vendosur ndryshimin e llogaritjes së pensionit për të gjithë përfituesit që dalin para dhe pas prillit 2019. Trajtimi i veçantë për minatorët e nëntokës, shpërblimi për familjet e Dëshmorit të Atdheut dhe kushtet e daljes për pension për fermerët, mësuesit, emigrantët dhe artistët

Trajtimi i veçantë për minatorët e nëntokës dhe shpërblimi financiar për familjet e Dëshmorit të Atdheut. Kushtet e daljes në pension për fermerët, mësuesit, emigrantët dhe artistët e cirkut

Vendimi i ri i qeverisë – Ja tabela me koeficientet e rinj dhe kufiri i pagave maksimale për llogaritjen e pensionit në vitin 2019

 

 

Qeveria në vendimin nr.180 datë 04.04.2019 botuar ditët e fundit në fletoren zyrtare 48, ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore për caktimin e koeficienteve rritës dhe pagat maksimale të çdo viti për llogaritjen e pensioneve gjatë vitit 2019. ISSH, në zbatim të vendimit të mësipërm, ka përcaktuar konkretisht koeficientet dhe pagat maksimale të çdo viti, nga dita e fillimit të punës deri datën e daljes në pension, për këtë vit. Duke u njohur me koeficientet dhe pagat maksimale të çdo viti, për llogaritjen e pensioneve, të interesuarit mund të orientohen dhe ta llogarisin vetë pensionin

 

Koeficientet e rinj të indeksimit të pagave për vitin 2019

Pyetje

Disa lexues të gazetës “Telegraf” janë të interesuar të dinë për përmbajtjen e vendimit të fundit të qeverisë për rritjen e koeficienteve dhe pagave maksimale të çdo viti të punuar për llogaritjen e pensioneve gjatë vitit 2019?

Përgjigje

Qeveria në vendimin nr.180 datë 04.04.2019 botuar ditët e fundit në fletoren zyrtare 48, ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore për caktimin e koeficienteve rritës dhe pagat maksimale të çdo viti për llogaritjen e pensioneve gjatë vitit 2019. ISSH, në zbatim të vendimit të mësipërm, ka përcaktuar konkretisht koeficientet dhe pagat maksimale të çdo viti, nga dita e fillimit të punës deri datën e daljes në pension, për këtë vit. Sqarime më të hollësishme, të interesuarit mund t’i marrin në fletoren zyrtare nr.48, në internet ose në drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Duke u njohur me koeficientet dhe pagat maksimale të çdo viti, për llogaritjen e pensioneve, të interesuarit mund të orientohen dhe ta llogarisin vetë pensionin.

Kushtet e përfitimit të shtesës së pensionit

Pyetje

Pensionisti Bibë Lleshi me banim në Lezhë shkruan: Mbasi mbarova shkollën pedagogjike punova mësues nga 1 gushti 1958 deri në vitin 1999 pa ndërprerje, duke punuar edhe 2 vjet mbi moshën e pensionit. Pyes, për këto dy vjet a përfitoj shtesë pensioni 0.5% për çdo muaj?

Përgjijge

Bazuar në nenin 19 të ligjit 104/2014 datë 31.07.2014, duke filluar nga 1 janari 2015, personat që kanë punuar të siguruar pas plotësimit të kushteve për pension të plotë përfitojnë shtesë pensioni 0.5% për çdo muaj. Meqenëse ju keni dalë në pension para 20 vjetëve, nuk përfitoni. Sqarime më të hollësishme, nëse keni vërejtje për masën e pensionit apo datën e fillimit, mund të merrni në DRSSH Lezhë, ku është dosja juaj e pensionit, pavarësisht se keni punuar në Shkodër.

Trajtimi i veçantë për minatorët e nëntokës

Pyetje

Në letrën që na ka dërguar zoti Sabri Sula lexojmë: Jam i datëlindjes 29.05.1963. Pasi punova i siguruar 23 vjet e 7 muaj, dhe nga këto 11 vjet e 6 muaj minator në nëntokë, në vitin 2000 përfitova trajtim të veçantë financiar si minator i nëntokës. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të marrë pension të plotë si minator i nëntokës dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek?

Përgjigje

Mbështetur në ligjin nr.150/2014: “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, dekretuar nga Presidenti i Republikës, datë 06.11.2014 thuhet: “Punonjësit e nëntokës të cilët kanë përfituar trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 09.11.2000 përfitojnë pension të plotë në moshën 55 vjeç, kur kanë 30 vjet e më shumë punë të siguruara përfshirë dhe kohën e trajtimit të veçantë, dhe nga këto të kenë 11 vjet e 6 muaj në procese pune në miniera në nëntokë. Prandaj, ju kushtet për pension të plotë i keni plotësuar më 29 maj të vitit 2018. Ju rekomandoj që të paraqitni kërkesën për pension të plotë pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, shoqëruar me librezën e pensionit, që keni marrë trajtim të veçantë brenda datës 29.05.2019.

Procedura e ankimimit për masën e pensionit

Pyetje

Pensionisti Sami Hatibi nga Delvina shkruan: Kam dalë në pension në shkurt të vitit 1991. Jam me arsim të lartë dhe kam punuar mësues, por nuk jam i bindur me shumën e pensionit mujor që marr. Pyes, cila është procedura që duhet të ndjek për të kërkuar rillogaritjen e pensionit?

Përgjigje

Duke ju uruar ta gëzoni pensionin për shume vite edhe me shëndet të mirë, specialisti Fadil Kepi sqaron se bazuar në nenin 86 të ligjit të sigurimeve në fuqi, keni të drejtë t’i bëni ankesë me shkrim DRSSH Vlorë, duke parashtruar pretendimet që keni dhe numrin e librezës së pensionit. Nëse nuk bindeni me përgjigjen zyrtare që do të merrni, drejtoni një ankesë tjetër me postë rekomande Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe së fundmi Gjykatës Administrative.

Baza ligjore për kontributet e fermerëve

Pyetje

Një lexues i gazetës “Telegraf” nga Shkodra, në mesazhin që na ka drejtuar trajton këtë problem: Ditët e fundit plotësova moshën 65 vjeç për pension dhe dërgova dokumentet në ASSH Shkodër, të cilët nuk më njohën vjetërsi pune periudhën nga 01.01 deri më 30.09.1993, me pretendimin se ligji për sigurimin e fermerëve ka hyrë në fuqi më 1 tetor 1993. Pyes, kur ligji është kështu, përse kontributet e sigurimeve shoqërore i kam paguar nga data 1 janar 1993?

Përgjigje

Ligji për sigurimet e të vetëpunësuarve në bujqësi për herë të parë ka hyrë në fuqi nga 1 tetori 1993 dhe jo nga 1 janari i atij viti. Mbështetur në vendimin e qeverisë nr.551 datë 27.07.2016, kontributet e paguara si i vetëpunësuar në bujqësi që nuk njihen vjetërsi pune për pension (siç është rasti juaj) i kthehen lekët të interesuarit ose lekët e paguara si fermer konvertohen në sigurime vullnetare. Në zbatim të vendimit të mësipërm, Drejtori i ISSH ka njoftuar zyrtarisht me shkresë nr.6905 të vitit të mësipërm, për zbatimin e vendimit të qeverisë. Sqarime më të hollësishme do të merrni në DRSSH Shkodër ose nëse nuk e zgjidhni problemin, në ISSH.

Shpërblimi financiar për familjet e Dëshmorit të Atdheut

Pyetje

Zonja Liri Lala me banim në Sarandë shkruan: Jam vajza e Dëshmorit të Atdheut të Luftës Nacional Çlirimtare Ismail Gjata, në moshë rreth 70 vjeçe. Deri në vitin 2006 si familje dëshmori kam marrë shtesë 5 mijë lekë mbi pensionin tim. Tre vitet e fundit më është ndërprerë. Mundësisht më sqaroni?

Përgjigje

Bazuar në ligjin nr.9650, datë 27.11.2006 shpërblimi financiar për familjet e Dëshmorit të Atdheut u rrit nga 5 në 7 mijë lekë në muaj. Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut i dërgon Institutit të Sigurimeve Shoqërore listat e familjeve që përfitojnë shpërblimin. Në rrethin familjar bëjnë pjesë bashkëshortja, fëmijët deri në moshën 18 vjeç ose deri 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta ditën, prindërit sipas certifikatës së gjendjes familjare. Shpërblimi ndërpritet kur asnjëri prej tyre nuk i plotëson kushtet e mësipërme. Shpërblimi tërhiqet nga kryefamiljari i dëshmorit të Atdheut i autorizuar nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Kur personi i autorizuar ndërron jetë, kjo e drejtë i kalon njërit prej pjesëtarëve të trungut familjar. Sipas vendimit të Qeverisë nr.544, datë 15.8.2007, botuar në fletoren ekstra nr.57, pranë Ministrisë së Mbrojtjes është krijuar Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut, i cili vendos për njohjen ose jo të statusit, pra për çdo paqartësi që mund të keni për këtë problem mund t’i drejtoheni komisionit të mësipërm.