KESH tender korruptiv/ 2 milion euro për të siguruar TEC-in lundrues të Bangladeshit

337
Sigal

Mësohet se kosto totale e qirasë për dy TEC-et dhe prodhimit të energjisë për dy vite, sipas KESH, do të jetë rreth 330 milion dollarë. Pajisjet janë me qira, teksa KESH-i paguan çdo muaj qindra mijëra euro, pa u ndezur asnjë ditë.

 Afera e TEC-it lundrues që po pluskon në zonën e Triportit në Vlorës vijon të gllabërojë miliona euro. Karakatinat që kanë ardhur nga Bangladeshi ende nuk janë vënë në punë, por kjo s’e ka penguar shtetin shqiptar që krahas kostos së qirave, të akomodimit apo të karburantit, të bëjë tender edhe për sigurimin e tyre.

Pajisjet janë me qira, teksa KESH-i paguan çdo muaj qindra mijëra euro, pa u ndezur asnjë ditë. Mediat dhe shoqatat ambientaliste kanë kundërshtuar këtë kontratë të firmosur mes shtetit shqiptar dhe dy firmave, njëra italiane dhe tjetra amerikane. Ka pasur dyshime se një nga firmat është off-shore, por duke qenë se në “atë skenë krimi” shkuan edhe ambasadorë, asnjë institucion ligj zbatues nuk denjoi që të bënte qoftë një verifikim për qindra miliona euro që po shpenzohen.

Jo shumë larg vendit ku janë akomoduar ato karakatina të ndryshkura, qëndron i konservuar një tjetër TEC, kostoja e të cilit ka shkuar në plot 130 milionë euro. Ndërkohë, shteti ynë që po hiqet si i pasur paguan miliona euro për konservimin e TEC-it në tokë dhe qindra miliona euro të tjera për TEC-et Lundruese. Të jemi vërtetë kaq të pasur si shtet?!

Por, sikur mos të mjaftonte pagesa qindra milionë euro për marrjen e tyre me qira, KESH-i bën tender edhe për sigurimin e atij aseti. Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNeës.al, KESH-i ka hapur objektin e procedurës së prokurimit me objekt “sigurimi i asetit – TEC Lundrues”. Fondi limit i kësaj procedure është 177.600.000 lekë, ose me TVSH shuma shkon në plot 2 milionë euro. Mësohet se procedura do të hapet në muajt në vijim dhe bën fjalë për “shërbime sigurimi”.

Por, a nuk është përcaktuar në kontratën e qirasë që këto firma të sigurojnë edhe asetin? Kontrata parashikon vlerën e amortizimit dhe vlerën e asetit. Madje, edhe mirëmbajtjen dhe gjithçka tjetër. Mësohet se dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një kosto prej 46 milionë dollarësh. Por, aktivistët kanë pretenduar se anijet e ardhura nga Bangladeshi janë të një teknologjie shumë të vjetër dhe ka 30 vite që janë në funksion.

Mësohet se kosto totale e qirasë për dy TEC-et dhe prodhimit të energjisë për dy vite, sipas KESH, do të jetë rreth 330 milion dollarë. Qeveria ka deklaruar se puna do të niste në fillim të vitit 2023, pasi anijet të ishin fiksuar dhe lidhur me rrjetin elektrik. Por edhe sot në 2024 anijet nuk kanë filluar të prodhojnë energji.

Ndërkohë vetëm disa javë më parë, firma “Petrolifera”, ka fituar tenderin 7.2 mln euro për depozitimin e naftës së TEC-eve në Vlorë. Nafta, që është e llojit të rëndë, do të blihet nga vetë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare përmes një procedurë tjetër. Pak kohë më parë, KESH shpalli një thirrje për shprehje interesi për të siguruar 100 mijë ton naftë përmes një marrëveshje kuadër. Sipas dokumenteve të depozituara në Agjencinë e Prokurimeve Publike fondi limit i tenderit për blerjen e karburantit është përcaktuar 10 miliardë e 267 milionë lekë ose më shumë se 100 milionë dollarë me kursin aktual.

Tenderin për blerjen e 4000 tonëve naftë

 

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) duket se po shkon drejt vënies në punë të dy TEC-ve termikë lundrues, të cilët prej një viti e gjysmë ndodhen në Triport të Vlorës.

Një njoftim i fundit në faqen e KESH ka bërë të ditur çeljen e procedurës “Furnizimi në vend me lëndë djegëse i Termocentraleve Lundruese, Tripot, Vlorë” ku operatorët e interesuar duhet të paraqesin ofertat e tyre për lëndën djegëse jo më vonë se data 9 shkurt 2024.

Referuar aneksit 3 që shoqëron procedurën bëhet me dije se sasia e prokuruar do të jetë 4000 tonë metrikë. Kjo sasi sipas dokumentit do të ketë një disponueshmëri dorëzimi 3 muaj nga data e dorëzimit të ngarkesës së parë. Sipas një parashikimi në këtë aneks ngarkesa e parë e dorëzuar do të jetë rreth 1200 ton metrikë në ditën e parë, në 1000 ton metrikë në ditën e 21 dhe 1800 ton metrikë në ditën e 42.

Çmimet në bursa bien në rreth 100 euro/MË, nga 290 euuro/MË kur u morën TEC-et

Asetet gjeneruese termike u morën si një masë në vitin 2022 në kushtet e krizës së energjisë. Procedura u shpall në fund të vitit 2021 por vetëm në muajin Prill 2022, u nënshkrua mes palëve (Exelerate dhe Renco & KESH sh.a). Në muajin shtator 2022, në zonën e Triportit, pranë Petroliferas, u vendosën asetet lundruese.

Këto asete nuk janë vendosur asnjëherë në punë ndërkohë që kostoja e 1 MË energji të prodhuar në fillim të vitit 2023 llogaritej mbi 290 euro. Kjo kosto është dukshëm më e lartë se kostoja që sot energjia mund të blihet në bursë ku çmimet edhe pse nuk kanë kaluar në nivelin e parakrizës janë ulur ndjeshëm, duke u tregtuar mesatarisht me 100 euro/MË.