(Trashëgimia historike që po i fshihet kujtesës tiranase dhe gjithë Shqipërisë)
Historia e 108 viteve humanizëm shkatërrohet për t’i hapur rrugë interesave financiare të pakicës. Kjo nuk është thjesht zhvendosje fizike; është humbje e hapësirës morale, sociale dhe historike të qytetit, duke shkatërruar me vetëdije një ekosistem me arkitekturë urbanistike funksionale, të ndërtuar me kujdes dhe dashuri për brezat.
Pamje e godinës se re e Shtëpisë së Fëmijës shkollore “8 Nëntori” – sot Shtëpia e Fëmijës shkollore “Zyber Hallulli” në Tiranë, e sapondërtuar në vitin 1960.
Në Shqipërinë e paradokseve, edhe fëmijët jetimë nuk i kanë shpëtuar viktimizimit nga etja për beton e fitim. Pas kullave që po mbijnë në çdo hapësirë publike të Tiranës dhe në qytetet tona bregdetare, në shënjestër tashmë janë edhe dy pronat historike të institucioneve tona të përkujdesit social: Shtëpia e Fëmijës shkollore “Zyber Hallulli” në Tiranë dhe Shtëpia e Fëmijës parashkollore në Vlorë. Në emër të “zhvillimit strategjik”, këto institucione – dikur simbole të humanizmit shqiptar – po shndërrohen tashmë në territore ndërtimi për oligarkët e afërt me pushtetin. Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli” nuk është thjesht një ndërtesë e zakonshme, por një tempull i kujdesit dhe humanizmit shqiptar. Për 108 vite, aty janë rritur dhe edukuar gjenerata të tëra fëmijësh jetimë, duke krijuar një trashëgimi, që e lidh qytetarinë shqiptare me solidaritetin, moralin dhe humanizmin kolektiv. Çdo mur, dritare, korridor dhe hapësirë e kësaj godine mbajnë ende të gjalla gjurmët e sakrificave dhe dhimbjeve më sublime të përkushtimit njerëzor të gjeneratave të drejtuesve, mësuesve, infermierëve dhe gjithë stafeve multidisiplinare të punonjësve që u kujdesën aq shumë për të vegjëlit e pambrojtur dhe pa familje (pa kujdesin prindëror), dhe që padyshim e bënë këtë vend një institucion të vërtetë, një tempull të shenjtë e të pacënueshëm nga kohët që kanë kaluar…
Pamje nga godina e re e “Strehës Vorfnore” e financuar me fondet e mbretërisë me interesimin e drejtëpërdrejtë të Mbretit Ahmet Zogu enkas për fëmijët jetim. Ky institucion, më pas u quajt Shtëpia e Fëmijës dhe funksionoi si i tillë deri në vitin 1946 dhe më pas destinacioni i tij u kthye në Spital Ushtarak ku sot ndodhet Spitali i Traumës në Laprakë – Tiranë.
Historitë e përditshme të kujdesit, lojërave, mësimeve, ditëve të lindjes dhe festave të vogla krijonin pafund atmosfera gëzimi e lumturie dhe një ambient ku fëmijët ndiheshin të mbrojtur, të dashur dhe të vlerësuar. Ky institucion nuk ishte thjesht një vend edukimi, por shumë më tepër se kaq: ishte një komunitet, një familje e madhe për ata që kishin humbur gjithçka tjetër në jetën e tyre të pafat. Tradita shqiptare na mëson që fëmijët jetimë nuk janë dhe nuk duhet të jenë kurrë të braktisur; ata janë përgjegjësi e familjes, e fisit dhe e shtetit. Çdo dorë që prek jetimët duhet të jetë dorë mbrojtëse, jo grabitëse. Për dekada me radhë, kjo shtëpi ishte shembull i respektimit të kodit moral shqiptar: solidariteti dhe humanizmi nuk ishin thjesht ide, por një praktikë doktrinare e besimit dhe e mirësisë së përditshme. Sot, ky tempull i humanizmit njerëzor është në rrezik të fshihet njëherë e përgjithmonë nën rrënojat e betonit dhe interesave private. Trualli prej 7,000 m², ku ndodhet Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” pranë Stadiumit “Air Albania”, po tentohet t’u jepet investitorëve për të ndërtuar një kullë 17-katëshe, ndërsa fëmijët që janë rritur aty do të zhvendosen në një tjetër ambient të largët, ku nuk do të mund të njohin rrjetin social dhe nuk do të mund të ndihen më të sigurt. Ky akt i pashembullt amoral i babëzisë njerëzore nuk është thjesht një zhvendosje, por është shkatërrim i një kujtese historike dhe trashëgimie morale e qytetare që ka formëzuar dhe çimentuar shpirtin fisnik dhe bujar të solidaritetit dhe humanizmit të një komuniteti të gjerë tiranas për më shumë se një shekull.
Infermieria e Shtëpisë së Fëmijës në Laprakë të Tiranës ku shtroheshin fëmijët jetim që sëmureshin – viti 1946
E njëjta formulë grabitjeje është projektuar dhe po zbatohet brenda qytetit të Vlorës, ku rezidenca sociale e Shtëpisë së Fëmijës parashkollorë për moshat 3–6 vjeç, përfshirë edhe territorin e saj, e ndodhur në një nga zonat më të lakmuara turistike të këtij qyteti bregdetar, është përfshirë në listën e “zonave prioritare për zhvillim turistik e urban”. Pas këtij përcaktimi burokratik fshihet një plan djallëzor për tjetërsimin e godinave publike në hotele, vila turistike dhe rezidenca luksoze, duke zhdukur këto hapësira specifike të rëndësisë së veçantë që historikisht i kanë shërbyer shtresave më të pambrojtura të shoqërisë sonë. Në të dy rastet, përfituesit janë kompani të lidhura ngushtë me qeverinë dhe njerëz të fuqishëm të ndërtimit, ndërsa humbësit janë ata: fëmijët jetimë që shteti duhej t’i mbronte. Titullarët dhe institucionet përgjegjëse që e administrojnë këto institucione të rëndësisë së veçantë nuk kanë dijeni, dhe askush nga këta aktorë nuk është i informuar për këto projekte. Ky fakt tregon qartazi shembullin më të qartë dhe modelin më domethënës të vendimmarrjeve arbitrare dhe të errët të karakterit KÇK, të lidhura padyshim me interesat okulte shtet–privat, ku fëmijët trajtohen si objekte, por as si subjekte të mbrojtjes sociale. Në këtë kuptim, kjo qeveri i ka humbur të gjitha kreditet morale dhe njerëzore. E zhytur keq e më keq në llumin e korrupsionit dhe grabitjeve masive të parave publike të taksapaguesve më të varfër shqiptarë, të zaptimit pa kriter të hapësirave publike në dëm të komunitetit dhe në favor të individëve të fuqishëm nga pikëpamja financiare, ajo nuk kursen as shtresën më të dobët të shoqërisë: jetimët. Duke u grabitur strehëzën, paqen sociale dhe sigurinë e tyre, fëmijët e pafajshëm shndërrohen në viktima të një sistemi që ka humbur çdo ndjenjë empatie, çdo përgjegjësi etike dhe humanitare. Kur shteti vepron si grabitës, duke bashkëpunuar në forma okulte me “investitorët”, që hyjnë edhe në hisen e jetimit, ai shkel çdo parim universal të humanizmit dhe drejtësisë sociale. E padyshim që në këtë lojë të rrezikshme viktimë bëhen fëmijët – simbol i pafajësisë dhe i të ardhmes së kombit.
Mensa e Shtëpisë së Fëmijës në Laprakë të Tiranës – viti 1946
Ky akt tregon mungesë totale të moralit, duke i shndërruar institucionet e mbrojtjes sociale në mekanizma që u shërbejnë interesave materiale dhe jo humanizmit. Zona ku ndodhet institucioni i jetimëve “Zyber Hallulli”, me çmime mbi 3,000 euro/m², është ndër më të lakmuarat për ndërtimet luksoze. Ky projekt nuk ka lidhje me nevojën sociale, por me fitimet private dhe zhdukjen e hapësirave publike. Ekspertët urbanistë e quajnë këtë fenomen “spastrim social”, ku shtresat më të brishta zhvendosen në periferi, ndërkohë që qyteti humbet dimensionin human dhe kujtesën historike kolektive. Historia e 108 viteve humanizëm shkatërrohet për t’i hapur rrugë interesave financiare të pakicës. Kjo nuk është thjesht zhvendosje fizike; është humbje e hapësirës morale, sociale dhe historike të qytetit, duke shkatërruar me vetëdije një ekosistem me arkitekturë urbanistike funksionale, të ndërtuar me kujdes dhe dashuri për brezat.
Zhvendosja e këtyre institucioneve të fëmijëve jetimë nga qendra e dy qyteteve kryesore të vendit për në periferi shkakton trauma të thella. Banorët e vegjël të këtyre strehave humbasin ambientin e njohur, rrjetin e komunikimit social dhe ndjesinë e sigurisë.
Fëmijët me edukatoret e Shtëpisë së Fëmijës “8 Nëntori” në Tiranë, në vitet ‘70, sot Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”.
Për shumë prej tyre, kjo është humbja e një shtëpie dhe e identitetit.
Lojërat në oborrin e njohur, miqësitë e krijuara, mësimet dhe ritualet e përditshme, frekuentimi i shkollave publike përreth të gjitha këto do të zëvendësohen me një hapësirë të ftohtë dhe të huaj, ku ata nuk kanë rrënjë. E në kësi rastesh, kur shteti që e ka për detyrë të mbrojë të pambrojturit vepron si grabitës, dëmi bëhet i shumëfishtë: trishtimi, pasiguria dhe frika nga e ardhmja nguliten me rrënjë në shpirtin e këtyre fëmijëve. Kjo gjendje traumatike mund të ndikojë në zhvillimin e tyre psiko–emocional dhe social për dekada me radhë, duke deformuar në mënyrë të pakthyeshme konstitucionin shpirtëror e moral të fëmijëve, duke shkatërruar besimin e tyre te institucionet dhe të komuniteti që duhet t’i mbrojë. Ky projekt nuk është vetëm një problem urbanistik, por edhe një shkelje morale dhe ligjore, një provokim ndaj humanizmit universal. Traditat fetare dhe etike (referuar edhe librave të shenjtë, Biblës dhe Kuranit) e dënojnë në mënyrë të ashpër dhe të pashembullt çdo akt që prek dhe cënon pronën dhe të drejtën e jetimëve. Qëndrimi është i qartë në këtë pikë: jetimët janë ndër më të pafajshmit, dhe pasuria që u takon atyre nuk duhet përdorur për interesa private. Çdo keqpërdorim i pasurisë së jetimëve, qoftë për fitime komerciale, apo për privilegje të një elite të vogël, konsiderohet mëkat dhe shkelje e ligjit hyjnor. Kur shteti prek jetimët, ai humbet lidhjen me moralin, humanizmin, përgjegjësinë etike dhe garantin e paqes sociale. Në këtë rast, korrupsioni dhe bashkëpunimi me të ashtuquajturit investitorë (këta gjuetarë të pangopur të pronave publike) e shndërrojnë shtetin në grabitës të pamoralshëm të së ardhmes së një kombi, duke fshirë kujtesën historike dhe 108 vite të përpjekjeve të mëdha për humanizëm e solidaritet njerëzor. Ky akt nuk është thjesht zhvendosje, por është një goditje e rëndë dhe e thellë në shpirtin moral të qytetit dhe të mbarë shoqërisë shqiptare. Rasti në fjalë duhet të na shërbejë të gjithëve si një alarm për t’i bërë një apel ndërgjegjes dhe moralit qytetar. Nuk është thjeshtë një zhvendosje ose ndërtim; është sfidë ndaj humanizmit dhe të drejtave të fëmijëve jetimë, dhe për këtë arsye na lind e drejta të shtrojmë hapur dhe qartësisht këto pyetje:
- A do të lejojmë që fitimet private të shkatërrojnë trashëgiminë morale dhe historike të qytetit?
- A do të tolerojmë që një pushtet arrogant, i padhembshur dhe i korruptuar të prekë dhe të cënojë padrejtësisht jetimët – këtë shtresë më të pambrojtur të çdo shoqërie – për t’i shërbyer interesave okulte të atyre individëve të pasur, që vetëm përmes parasë blejnë çdo gjë, por jo dinjitetin dhe njerëzillëkun?
- A do të heshtim, si përherë, edhe në këtë rast, kur historia e humanizmit shqiptar po fshihet në betonin e fitimeve marramendëse financiare oligarkike…!?
Po të hedhësh sytë kudo, në çdo cep të botës perëndimore, vërejmë ndërtesat e jetimoreve, manastireve dhe institucioneve të tjera të trashëgimisë humane që ruhen si të shenjta dhe të paprekura për shekuj me radhë.
Ato nuk janë thjesht objekte arkitekturore, por dëshmi të gjalla të kujdesit dhe solidaritetit njerëzor, të respektit ndaj jetës dhe dinjitetit të fëmijëve dhe të të pambrojturve.
Çdo mur, çdo dhomë e këtyre institucioneve tregon për një kulturë që e ka ngritur humanizmin dhe humanitetin në nivelin më të lartë moral, duke i dhënë shoqërisë një reflektim të përhershëm mbi vlerat e saj. Parë në këtë këndvështrim, shkatërrimi ose neglizhenca e këtyre hapësirave nuk është vetëm humbje e një ndërtese, por një shkelje e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit dhe një dhunim i kujtesës kolektive të komunitetit.
Në këtë dritë, shkatërrimi apo grabitja e ndërtesave tona historike, si Shtëpia e Fëmijëve shkollore “Zyber Hallulli” në Tiranë dhe ajo parashkollore në Vlorë, nuk janë vetëm humbje e hapësirave fizike, por një plagë e madhe që dhemb në kujtesën e kombit, një mohim i historisë së humanizmit shqiptar, një thyerje e lidhjes morale që lidh shoqërinë me të kaluarën e saj më të ndritshme. Çdo fëmijë që ka gjetur aty ngrohtësi, mbështetje dhe shpresë, tani është dëshmitar i një padrejtësie që tejkalon kohën dhe hapësirën: një shkelje e virtytit njerëzor dhe e detyrës së shtetit për të mbrojtur të pambrojturit. Humbja e kësaj trashëgimie nuk është thjesht një zhdukje e gurëve dhe mureve; është humbja e shpirtit, e ndjesisë dhe e humanizmit që duhet të na karakterizojë si komb. Personalisht, gjykoj dhe mendoj se vetëm me një mobilizim qytetar, me debate transparente të hapura dhe mekanizma ligjorë të fortë mund të ndalet ky shkatërrim.
Çdo heshtje është bashkëpunim me degradimin moral dhe grabitjen e fëmijëve jetimë — një akt që e sfidon hapur humanizmin dhe kodin moral të kombit shqiptar.
* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
Pamjet e tjera janë nga jeta dhe veprimtaria e institucionit të Shtëpisë së Fëmijës Tiranë qe në vitin 1946 u transferua nga Lapraka në godinën e njohur si ish Muzeut të Zoologjisë e ndodhur në lagjen e “21 Dhjetorit” në Tiranë.





















