Heroina mbyt shkollat në Tiranë dhe Korçë

830
Sigal

Heroina shitet afër shkollave, gjendet më lehtë se një paketë cigare

Investigimi zbulon situatën alarmante të shpërndarjes së drogave në gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë.  Rrëfimet e përdoruesve, skema e shit-blerjes së heroinës dhe rastet në Tiranë dhe Korçë. Ja përgjimet e plota

Heroina në Shqipëri shitet në mes të ditës afër shkollave dhe gjykatave, ndërsa gjendet më lehtë se një paketë cigare. “Fiks Fare” arriti të depërtonte në rrjetin e shpërndarësve në Tiranë dhe Korçë, duke zbuluar funksionimin e këtyre grupeve. Shpërndarësit kishin arritur që të krijonin një perimetër sigurie, ku çdo individ duhet që të kalonte në “skaner”. Ai duhet të ishte një person i njohur dhe përdorues i lëndëve narkotike.

“Fiksi” ndoqi një ditë të zakonshme të një përdoruesi të lëndëve narkotike, i cili tashmë është bërë i varur nga përdorimi i heroinës. Ai tha se ka vite që e konsumon, ndërsa ka edhe pasoja nëse nuk e përdor; dhimbje mesi, dhëmballe, koke, të vjella, dridhje trupi. Sipas tij, heroina në Tiranë dhe rrethe blihet brenda dhe jashtë shkollave. Bashkëpunëtori dhe grupi i “Fiks Fare” shkuan në disa pika në Tiranë dhe në Korçë, duke kërkuar në mes të ditës. Rezultatet ishin befasuese; në mes të ditës, heroina shitej lirshëm. Në dy nga tre raste që dokumentoi “Fiks Fare’ në Tiranë, heroina shitej afër shkollave 9-vjeçare.

Rrëfimi i përdoruesit

“Fiks Fare” bisedoi me një përdorues të lëndëve narkotike. Ai tha se është njohur me heroinën në moshën 20-21 vjeçare. “Në fillim kam provuar hashash. Është një portë për t’u futur në drogat me zarar. Sepse të gjithë e pijnë hashashin për të qeshur. Kam pasur një lloj frike dhe i rrija larg personave që pinin drogë dhe kishin të bënin me drogat. Unë e kam provuar për herë të parë në vitin 1997. Në lagjen tonë kishte pistoleta, kallash. Shumica s’e dinin çfarë pinin. Dhe thoshin çunat, ja po pijmë këtë drogën e të fortëve. Me heorinën është e kundërta, je i qetë, çdo gjë e ke në rregull.” thotë ai.

Ai shpjegon se në atë kohë, ka qenë një pikë te Zogu i Zi. “Atje shitej gjithmonë. Njëherë rastisi që personin që e shiste e njihja. Më thotë, edhe ti erdhe këtu. Ishalla më tha s’të shoh më këtu. Atje kaloj një furgon policie dhe këta i hodhën një top me lekë” vijon rrëfimin, ndërsa shton se më pas filloi punë në një institucion, ku edhe atje e pinin. “Ne e njohim njëri tjetrin, e njohim nga pamja, nga mënyra e të sjellurit. Edhe nga era, se diksh që e pi me varak e njeh. Të ndryshon edhe bebja e syrit, të bëhet e vogël si majë gjilpëre. Jam njohur edhe me kokainën. Kam përdorur 2 vjet. I bëja të dyja, kokaina të ngrinte lart, heroina të ul. Ka persona që i përdorin të dyja, quhet ‘speed’. Kjo gjë është e rrezikshme, se ti e sforcon trurin, i jep efekte të kundërta me njëra-tjetrën. Të jep një mpirje” thotë ai.

Më tej shton se e ka lënë shumë herë. “Heroina është droga më e keqe që ekziston. Duhet një njeri që të jetë shumë i fortë që të shkëputet nga ajo. Ka një varësi shumë të lartë, më shumë se drogat e tjera. Në momentin që e ke marrë heroinën dhe sikur një çikë të kesh lënë për të nesërmen, atëherë ti je bërë i varur. Them për rininë që t’i rrinë larg” vijon ai.

Sipas tij, nëse nuk ka përdorur të paktën 1 muaj dhe kërkon ta lësh atë, 3 ditët e para janë ditët më të këqija. “Do të heqësh të zitë e ullirit. Ndodh ankth, dhimbje kockash, dhimbje mesi, dhimbje dhëmballe, dhimbje koke. Të vjen për të vjellë. Të dridhet trupi. Të gjitha këto bashkë gjithë ditën. Dhe s’pushojnë gjithë ditën. S’të lënë asnjëherë rehat. Në momentin që i ke këto, të marrësh 1 pikë, të pushojnë të gjitha. Bëhesh si në fillim. Kjo është varësia nga heroina” thotë ai.

Droga në Tiranë, afër shkollave 9-vjeçare

Bashkëpunëtori tha se në vitin 2019, “heroina gjendet më kollaj se të blesh një paketë cigare. Se për paketën e cigareve mbyllen dyqanet dhe s’ke ku gjen. Kurse për heroinën mjafton të lëvizësh nëpër lagje dhe do gjesh dikë. Shumica prej nesh e dinë se ku lëviz. Nëse shkon atje të afrohen vetë. Të njohin. Kanë rojet e tyre. Me një lëvizje të vogël. Ata i ndërrojnë telefonat çdo javë. Nëse je klient i mirë ta japin numrin e ri. Nëse je klient që shkon 1 herë në muaj, ti përfundon që do lëvizësh në lagje”. Më tej shton se çdo ditë del ndonjë shitës i ri. Shumica kanë pseudonime. “Pikat i njohim që të gjithë. Mjafton të thuash te Zogu se i dinë që të gjithë. Mjafton të thuash te Shkolla e Bashkuar se e dinë të gjithë, mjafton të thuash në Kombinat se e dinë të gjithë. Është aq e lehtë sa gjendet edhe në burg. Shiten afër shkollave, brënda shkollave, shumica e pikave ku shiten janë afër shkollave” përfundon ai.

Më pas, bashkëpunëtori dhe grupi i “Fiks Fare” shkojnë në disa nga këto pika në Tiranë. Në rastin e parë, bashkëpunëtori shkon në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Gjon Buzuku”. Fillimisht takon një përdorues dhe të dy shkojnë të blejnë lëndën narkotike.

Në rastin e dytë, bashkëpunëtori shkon në afërsi të shkollës “Pjetër Budi”, ngjitur me Gjykatën e Tiranës. Pasi i jep 20 mijë lekë të vjetra, i merr shpërndarësit në mes të rrugës dhe afër dy institucioneve dy doza. Në rastin e tretë, bashkëpunëtori shkon në afërsi të zonës “Ali Demi” dhe kundërjt 30 mijë lekëve, merr nga shpërndarësi, sërish në mes të rrugës, 2 doza.

Po në rrethe?!

Krahas Tiranës, bashkëpunëtori dhe grupi i “Fiks Fare”, udhëtuan edhe drejt qytetit të Korçës. Pa asnjë numër kontakti, grupi shkoi te Drejtoria e Higjienës, ku përdoruesit shkojnë për të marrë metadonin. Bashkëpunëtori bisedoi me një person dhe brenda pak minutash, duke lëvizur në Korçë, arrijmë të gjejmë heroinë.

Në fund, bashkëpunëtori, i cili tashmë është edhe i varur nga lëndët narkotike, ka një mesazh për rininë: “Duhet ta dinë sepse janë në këtë botë. Në momentin që e kuptojnë pse janë në këtë botë, do e kuptojnë se janë për një qëllim tjetër. Larg, larg se pastaj do të bini në gropën më të madhe dhe s’ikën më atë gropë. Do vidhni shtëpinë, prindërit dhe pastaj edhe veten”.

RASTI I, TIRANË

Sekseri – Sa do me marr ti?

Bashkëpunëtori – Desha me e taku vetë mo burrë.

Sekseri – Ëëë është në shtëpi. S’do rob ai, t’i them unë njëherë. Se s’do rob ai. Sa?

Bashkëpunëtori – Ok, në rregull. Ke ndonjë numër tjetër ti?

Sekseri – Jo vetëm këtë.

Bashkëpunëtori – Po M…, a e ka numrin e M…?

Sekseri – M… e ka dh…, nuk shkon më njeri te M… Po hajde ikim more.

Bashkëpunëtori – Jo, mo jo. Na. Mbaro punë.

Sekseri – I do para lekët.

Bashkëpunëtori – Na (i jep 10 mijë lekë).

Sekseri – Me ça do ta bëni?

Bashkëpunëtori – Më hundë mo.

(Bashkë me sekserin shkojnë te shpërndarësi)

Sekseri – Jepja mo s’e gjynah.

Shpërndarësi – Hajde këtej.

Bashkëpunëtori – Dale ta shoh.

Shpërndarësi – S’është e imja. E kena çuna lagje. (I bën gati dozën dhe ia jep). Ta bëj me çakmak.

Bashkëpunëtori – Mirë hajt.

RAST II, TIRANË

Telefonata me shpërndarësin

Bashkëpunëtori – O Lali?

Shpërndarësi – Hë mo gjigant!

Bashkëpunëtori – Ku je ti, ça bone?

Shpërndarësi – Këtej nga Vasil Shanto.

Bashkëpunëtori – Për sa të vij?

Shpërndarësi – Për 10 minuta!

Pas 10 minutash …

Shpërndarësi – Pse s’ke ardhur?

Bashkëpunëtori – M’ra një dorë falas, ene ndëjta 1 muaj me atë.

Shpërndarësi – Sa …

Bashkëpunëtori – Nja 10 gramë, një shoku im.

Shpërndarësi – Me 10 gramë … e dogje fare.

Bashkëpunëtori – E dogje?!

Shpërndarësi – Me 10 gramë ndëjte 1 muaj?

Bashkëpunëtori – E pijsha avash avash.

Shpërndarësi – Ëëë.

Bashkëpunëtori – E pijsha avash avash.

(Shpërndarësi i jep 2 doza heroinë. Bashkëpunëtori i jep 20 mijë lekë).

Shpërndarësi – Ta kesh në shtëpi…

Bashkëpunëtori – Është ndonjë çikë e mirë?

Shpërndarësi – Ta kesh në shtëpi dhe ta pish avash avash?! Ja fute kot tani më duket. Mos i mbaj ashtu s’e ke për t’i humb. Edhe unë e kam pasur këmbën ashtu (të infektuar nga përdorimi i heroinës) i rash mbrapa. Kam shkuar në spital, kam marrë antibiotik.

Bashkëpunëtori – Biçikletën s’e paske ndërruar ë rrusho?

Shpërndarësi – Jo, jo, ku e ndërrova, ngelëm rrugëve …

RASTI III, TIRANË

Bashkëpunëtori – Si ke qenë?

Shpërndarësi – Po hajt mo. Një çik shpejt.

Bashkëpunëtori – Po një sekondë se nuk i kisha bërë gati lekët.

Shpërndarësi – Ec ë vlla, i ke në rregull?

Bashkëpunëtori – Po pra, po. Në rregull i kam, një sekondë.

Shpërndarësi – I ke tamam?

Bashkëpunëtori – Po pra. Tamam, se s’kam asnjë lekë më.

Shpërndarësi – Ec ë vëllai.

Bashkëpunëtori – Po na fal. Një sekondë. Na. (Bashkëpunëtori i jep 30 mijë lekë për dy doza heroinë).

Shpërndarësi – Na i ke këtu (dozat dhe largohet).

RASTI IV, KORÇË

Bashkëpunëtori-Të të them diçka? Dua ndonjë gjë të mirë, se erdha vonë nuk e kapa dot (qendrën ku shpërndahet metadoni)

Përdoruesi-Ça do?

Bashkëpunëtori-Merr vesh?

Përdoruesi -Ça do mo fol tamam

Bashkëpunëtori-Ndonjë gjë

Përdoruesi -Ça gjëje?

Bashkëpunëtori-Ça të duash ti

Përdoruesi -Mall?

Bashkëpunëtori-Po, ke ndonjë gjë?

Përdoruesi -Nga je nga të kemi?

Bashkëpunëtori-Tirana

Përdoruesi -Tirana?

Bashkëpunëtori-Ça mund të na gjesh ndonjë copë, se do ik Greqi dhe e dua për rrugës

Përdoruesi -Ça të duash ti. Po ti s’do më japësh nga kjo mua sa për kshu. Me 20 (mijë lek) do rregullohemi. Po çke bre ti do vish me lalin të dy ta mbarojmë këtë punë.

(Mbas disa min rrugë, bashkëpunëtori i jep lekët)

Bashkëpunëtori – Na o vlla na

Përdoruesi – Po jo.. mos i…

Bashkëpunëtori – Ëmo s’kagjë, na, na

Përdoruesi – Po jo bre jo këtu, ajde…

Bashkëpunëtori – Lëre se nuk na pa njeri

(Përdoruesi i bën me shenjë që të presë aty)

Bashkëpunëtori-Të vi?

Përdoruesi – Një ja mora unë atij, tashi do më japësh një copë nga ajo tendja?

Bashkëpunëtori- Po mirë.

Përdoruesi – Ëëë?

Bashkëpunëtori-Po ashtu do ta bëjmë.

Përdoruesi – S’do të bie shumë në qafë vlla. E merr vesh o?

(Në këtë moment përdoruesi i jep heroinën që bleu)

Bashkëpunëtori – Ok.

(Bashkëpunëtori ndan heroinën me përdoruesin në mes të rrugës, heroina është e mbështjellë me një copë letër).

Përdoruesi – Hape mo. O po ti e derdhe

Bashkëpunëtori – Oboboo…Na, na,na merre mbaje këtë

Përdoruesi – Është çarë e shikon që është çarë letra.

(pasi ecin edhe disa min, përdoruesi përcjell bashkëpunëtorin)

Përdoruesi – Do ikësh që këtej kështu drejt, ngele i kënaqur nga vllai?

Bashkëpunëtori – Uuu rrofsh vlla , rrofsh.