Goditen pensionet dhe pagat/ Shtetit i mungojnë si 10 mujor 91 milion euro, ndërkohë që 110 miliard lekë të tjera që ju falën oligarkëve me dividentin do të paguhen nga taksimi i pagave të punonjësve privat dhe shtetëror

996
Sigal

Përkeqësimi i pagave, investimet, pensionet, borxhi i fshehur  dhe gropa 11 mld lekë do të mbulohet nga taksimi i pagave

Transfertat për pushtetin lokal rriten

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2020, janë parashikuar në masën 57.128 miliardë lekë, me një rritje prej 6.2 % më shumë se në vitin 2019. Këto shpenzime për vitin 2020, zënë 3.2 % të PBB-së nga 2.3 % në vitin 2013. Burimi kryesor i rritjes së shpenzimeve vendore për vitin 2020 vjen kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, si dhe nga rritja e transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme. Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme e buxhetit të shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë 1 % e PBB-së, ose 400 milionë lekë më e madhe se sa ajo e vitit 2019 dhe rreth 46 % më e lartë se transferta e vitit 2015.

 

Pensionet, shpenzimet me 7,6 miliardë lekë më shumë

Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 188.58 miliardë lekësh. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2020, parashikohet në masën 137.5 miliardë lekë ose 7.6 % e PBB, ose rreth 7.6 miliardë lekë më shumë se këtë vit. Nga ky fond, për rritjen e pensioneve është parashikuar niveli 2.52 miliardë lekë. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2020 janë parashikuar në masën 44.1 miliardë lekë, ose 2.5 % e PBB nga 42.9 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2019. Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohen në total në masën 4.5 miliardë lekë, ose 0.3 % e PBB, me një ulje 500 milionë lekë në raport me programin e vitit 2019. Shpenzime të tjera sociale, përfshijnë fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve. Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 600 milionë lekë, ose 60 milionë lekë më shumë se programi i 2019. Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 21 miliardë lekë me një rritje 1.2 % në raport me 2019. Për ish të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh, ose 16 % më i ulët se i këtij viti. Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh, ose 11 % më i lartë se programi i 2019. Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.49 miliardë lekë, duke qëndruar në mënyrë konstante krahasuar edhe me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore, veprimtarinë e shërbimeve qeveritare dhe nxitjen e punësimit. Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2020 planifikohet në masën 1.7 miliardë lekë, ku 1.5 miliardë lekë janë fond Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe të tjerat fond kontigjence për mbështetjen e nevojshme të Reformës në Drejtësi.

Shuhet efekti dividentit, por gropa 11 mld lekë do të mbulohet nga taksimi i pagave

Prej një mase fiskale që mori qeveria vitin e kaluar, duke ulur tatimin e dividentit nga 15 % në 8 %, gjatë 9-mujorit buxheti i shtetit arkëtoi 9,3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Bizneset, të cilat nuk kishin shpërndarë dividentin para vitit 2017, nxituan ta paguajnë sipas afatit ligjor deri më 30 shtator, për të përfituar nga ulja 8 %. Arkëtimet nga dividenti mbuluan hendekun e madh që krijoi rënia e të ardhurave nga TVSH-ja, duke shmangur një kolaps fiskal. Të ardhurat nga tatimi i dividentit që raportohen në zërin e të ardhurave personale. Grumbullimet nga ky tatimet pritet të arrijnë në nivelin e 47 miliardë lekëve, në nivele të njëjta me realizimin e pritshëm të vitit 2019. Në vite të zakonshme, të ardhurat nga TAP nuk janë rreth 30 miliardë lekë. Ministria e Financave ka programuar që të ardhurat e munguara nga dividenti do të zëvendësohen duke ushtruar presion në sektorin e pagave. Drejtoria e Tatimeve, duke nisur nga ky vit, por edhe vitin e ardhshëm do të ushtrojë presion më shumë në sektorin privat, për të deklaruar pagat reale. Kjo fushatë ka nisur tani me profesionet e lira. Ndërsa rritja e mëtejshme punësimit do të çojë më shumë të ardhura në buxhet dhe në anën e sigurimeve shoqërore.

Taksat nacionale dhe doganat 3.5 miliardë shtesë

Rreth 30 milionë euro të ardhura më tepër do të arkëtohen nga taksat nacionale dhe të ardhurat doganore. Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera” vlerësohen të jenë 39.5 miliardë lekë. Parashikimet për këtë taksë për vitin 2020 janë +8.5 %, ose 3.1 miliardë lekë më shumë se i pritshmi 2019. Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2020 vlerësohet të jenë 7 miliardë lekë, me rritje 396 milionë lekë ose 6 % krahasuar me vitin 2019

.

Borxhi, objektivi 62 %, lë jashtë detyrimet e prapambetura prej 64 mld lekësh

Në fund të muajit shtator 2019, borxhi i qeverisjes qendrore u vlerësua në nivelin 1,109.9 miliardë lekë, ose 63.3 % e PBB. Në terma nominalë, stoku i borxhit të qeverisjes qendrore është rritur me rreth 3.3 miliardë Lekë, nga të cilat 9.6 miliardë lekë i korrespondojnë rritjes së borxhit të brendshëm dhe -6.2 miliardë lekë borxhit të jashtëm. Për vitin që vjen, qeveria synon ta çojë treguesin në 62 %, por në këtë shumë nuk janë të përfshira detyrimet e prapambetura që, sipas një raportoi të detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit në fund të vitit 2018 ishin 64 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 4 % e PBB-së dhe nuk raportohet në shifrën zyrtare të qeverisë. Duke marrë në konsideratë këto detyrime të cilat FMN i përfshin në llogaritjen e borxhit ku raporton për Shqipërinë, detyrimet publike arrijnë jo më pak se 66 % e PBB-së. Shpenzimet për interesa gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2019 janë vlerësuar në 25.4 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, në përputhje me parashikimet për buxhetin e vitit 2019, shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror janë rritur me 2.1 miliardë lekë. Rritja e shpenzimeve për interesa i atribuohet kryesisht rritjes së stokut të borxhit në vlerë nominale. Nga ana tjetër, kostot për njësi të borxhit kanë pësuar rënie krahasuar me fundin e vitit 2018, kryesisht për shkak të nivelit ende të ulët të normave të interesit, të cilat kanë mundësuar rifinancimin e titujve afatgjatë që maturohen me tituj me norma interesi më të favorshme. Ulja e kostos për njësi të borxhit të brendshëm, ndërkohë që maturiteti i borxhit vazhdon të rritet, reflekton përmirësimin e raportit ndërmjet kostos dhe riskut. Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si dhe deficitit buxhetor të planifikuar, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet me rreth 1.5 % gjatë vitit 2020, duke qenë në përputhje me objektivat për konsolidimin e financave publike. Nga pikëpamja e kompozimit të borxhit, pritet të ketë një rritje në favor të borxhit të denominuar në valutë të huaj dhe atij afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm.

 

Dy zërat që prekin drejtpërdrejt qytetarët do përkeqësohen edhe më tej gjatë vitit 2020

Dy zërat më sensitivë në buxhet, pagat dhe investimet kapitale, që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët, përkeqësohen më tej gjatë vitit 2020. Fondi për rritjen e pagave në sektorin publik është programuar me zero. Gjatë vitit që vjen, pagat reale në sektorin publik rrezikojnë të ulen, pasi ato janë përjashtuar edhe nga indeksimi me inflacionin, ndërsa të ardhurat për rreth 650 mijë pensionistë do të rriten më pak se 2 %, edhe pse vendi ynë ofron nivelet më të ulëta të pagave dhe pensioneve në Evropë dhe rajon. Investimet kapitale janë parashikuar së paku 3 % më të ulëta ose 30 milionë euro më pak se plani i këtij viti, duke lajmëruar më pak rrugë, shkolla dhe spitale në shërbim të komunitetit. Sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat buxhetore pritet me një rritje modeste prej 3.2 % në krahasim me buxhetin 2019. Por, në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që e zhvesh treguesin nga efekti i rritjes ekonomike dhe inflacionit, të ardhurat buxhetore pritet që të jenë në rënie, nga 28.5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2019-n, në 28 % të PBB-së në vitin 2020. Kjo është hera e parë që ky tregues vjen në rënie në raport me PBB-në, që nga viti 2013. Në fund të vitit 2020, borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2 % të PBB, por ndërkohë 64 miliardë detyrime të fshehura të kontabilzuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si borxh i padeklaruar e bëjnë fiktiv objektivin e qeverisë. Kredibiliteti i qeverisë për raportimin e saktë të borxhit publik është cenuar rëndë nga detyrimet e fshehura. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportet e veta zyrtare, nuk e njeh treguesin zyrtar të borxhit publik që raporton qeveria shqiptare. Në rishikimin e fundit të perspektivës ekonomike globale, FMN raportoi se borxhi i Shqipërisë në vitin 2018 arriti në 69.9 %. Kjo shifër ishte 2.8 pikë përqindje më e lartë se rezultati i qeverisë shqiptare, që e raportoi këtë tregues 67.1 % për vitin 2018.