Fotografia bardh e zi e varfërisë, një në pesë familje shqiptare mori borxh vjet për të jetuar 

37
Sigal

Një në pesë familje shqiptare merr borxh për të jetuar. Familjet shqiptare parapëlqejnë të marrin lekë për nevojat e tyre tek të afërmit, më shumë se sa te bankat. Çmimet e larta kryesisht të produkteve ushqimore dhe prodhimeve bujqësore po rëndojnë në xhepat e qytetarëve dhe ata që preken më tepër janë mosha e tretë. Në Shqipëri, pagat janë në vend numëro teksa në rajon i ka kaluar 1000 euro/muaj .

Që shqiptarët varfëria i ka kapur në ashtin e kockës këtë e dimë të gjithë. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk bëzajmë kur një klasë e tërë politike vetëm tallet me ne, të shtypurit nga varfëria dhe mjerimi. Na e kërkojnë votën, ne ua japim, na gënjejnë ne ua falim mëkatin, na vjedhin, ne ua falim poshtërsinë. Në fushatë pushteti flet për rritjen e të ardhurave , por verifikimi në terren ku qytetarët flasim për hallet e përditshme dhe rritjen e çmimeve zbulon se fjalimet joshëse nuk përkthehen domosdoshmërisht në mirëqenie. Sidomos , pensionistët ankohen se nuk e mbyllim dot muajin. Të ardhurat nga pensioni janë të ulëta, ndërsa shpenzimet sa vijnë dhe shtohen. Çmimet e larta kryesisht të produkteve ushqimore dhe prodhimeve bujqësore rëndojnë në xhepat e qytetarëve. Konsumatorët që frekuentojnë tregun e fruta-perimeve ankohen se çmimet janë vetëm në rritje. Ata theksojnë se çdo gjë është bërë” shih me sy e plas me zemër”.

01

Hierarkia e nevojave

Një në pesë familje shqiptare merr borxh për të jetuar. Një pjesë te të afërmit e të tjerët në banka, apo institucionet e mikrokredisë. Janë 24 për qind e familjeve që morën të paktën një hua vitin e shkuar. Shifra ra lehtë në raport me 2023-shin.“Po e nis nga vetja ime. Jam e papunë, me qira dhe me një pagesë papunësie 10 mijë lekë në muaj. Sigurisht që do marr borxh për të jetuar”. Në sondazhin “Gjendja financiare dhe huamarrja e familjeve në Shqipëri” që Banka Qendrore ka realizuar rezulton se 35 për qind e borxheve janë marrë për konsum.

Hierarkia e nevojave që ka shtyrë shqiptarët drejt borxheve pasohet nga blerjet apo riparimet e banesave, zhvillimi i biznesit dhe studimet.“Kjo vjen si pasojë e dy arsyeve. të ardhurat janë aq të ulëta sa shumica e tyre duhet të shkojë për ushqim dhe çmimet e këtyre të fundit janë rritur ndjeshëm. Kështu që shqiptarët detyrohen të marrin borxhe edhe për t’u ushqyer”, shprehet Xhonsila Hoxha. Gati gjysma e huave të marra nga familjet shqiptare vitin e shkuar ishte në institucionet financiare. Pjesa tjetër i kanë marrë borxh paratë te të afërmit. Sipas gjetjeve të Bankës së Shqipërisë, familjet që marrin borxh janë të shpërndara thuajse në mënyrë të barabartë mes zonave urbane dhe atyre rurale. Pas nuk mbetet as Tirana.

“Varfëria në vend është e përhapur thuajse në mënyrë uniformë. Ndaj edhe në kryeqytet kemi familje që marrin borxhe për të përballuar jetesën”, shton ekspertja Hoxha. Një në tre shqiptare jetoi në kushte të vështira ekonomike gjatë vitit të shkuar. Kjo sipas Avokatit të Popullit për shkak të niveli të ulët të ndihmës ekonomike, pagave dhe buxheteve të kufizuara të bashkive për mbrojtjen social.

 

02

Familjet shqiptare kërkojnë borxh tek të afërmit, banka zgjedhja e dytë

 

Familjet shqiptare parapëlqejnë të marrin lekë për nevojat e tyre tek të afërmit, më shumë se sa te bankat.Më këtë përfundim del një sondazh i kryer nga Banka e Shqipërisë, ku 50% e të pyeturve thonë se kanë marrë hua tek njerëzit e tyre të afërm, dhe 44% kanë zgjedhur bankën për këtë qëllim. Gjatë viteve të fundit, raportet e përcjella nga bankat flasin për rritje të kreditimit për individët, duke lënë përshtypjen se zgjedhja e parë për të mbuluar nevojat e ndryshme, është bërë institucioni dhe jo rrethi familjar. Shumat që ndahen në formën e borxhit në 42% të rasteve përdoren për blerje apo riparim të pronës, 34% për biznes dhe 24% për konsum. Anketa është kryer në gjysmën e dytë të vitit 2024, dhe në 85% të rasteve ngarkesa e borxhit është më e ulët se 30% e të ardhurave mujore, ndërsa në 2% të rasteve borxhi ka një vlerë më të lartë pasi kalon më shumë se 70% të të ardhurave mujore.

03

Gara e pagave e humbur, në Shqipëri paga mesatare mujore bruto arrin 770 euro, në rajon i ka kaluar 1000 euro.

Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Në krahasim me një vit më parë, paga u rrit me 9.8% në vlerë nominale, ndërsa rritja reale, e indeksuar me inflacionin ishte 7.6%. Në krahasim me vitin 2014 (viti më i hershëm që ka informacion INSTAT), kur ishte 40.5 mijë lekë, paga në vlerë nominale është rritur me 70%, ndërsa e indeksuar me inflacionin, rritja reduktohet në 42.4%.Ritmet e rritjes së pagave kanë qenë më të forta dy vitet e fundit, të ndikuara kryesisht nga pagat e administratës, pas politikës së qeverisë që përdori buxhetin për të ndryshuar strukturën e pagave në administratën publike, në një garë për të barazuar pagat me rajonit. Pavarësisht kësaj lëvizjeje, rajoni ka ecur shumë më shpejt në rritjen e pagave, sipas të dhënave që Monitor përpunoi bazuar në institute   statistikore përkatëse. Me përjashtim të Kosovës, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, më 1150 euro në muaj (135,403 dinarë serbë). Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga është gati 1100 euro (2140 Bam). Në Mal të Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se një mijë euro në muaj, konkretisht 62 mijë dinarë maqedonas, ose 1020 euro në muaj. Paga në euro në Shqipëri rezulton e rritur artificialisht për shkak të zhvlerësimit të euros, teksa fuqia blerëse reale për të ardhurat në lekë ka rënë për shkak të shtrenjtimit të vazhdueshëm të çmimeve tre vitet e fundit (6.7% në 2022, 4.8% në 2023 dhe 2.2% në 2024-n). Nëse konvertohet me kursin e vitit 2022, për të shmangur fryrjen nga kursi, paga mesatare në ekonomi në 2024 ishte 650 euro, sërish 40% më e ulët se mesatarja e rajonit. Të dhënat e ndara për sektorin privat dhe shtetëror janë të disponueshme vetëm për Shqipërinë dhe Serbinë. Ato tregojnë “shtrembërimin” e tregut në Shqipëri, me një diferencë prej 30%, ndërsa në Serbi, si shteti dhe privati, kanë “fuqi” të paguajnë njësoj. Në Serbi, sektori privat paguan mesatarisht 1100 euro në muaj, ndërsa në Shqipëri 690 euro, për vitin 2024. Në Shqipëri, në fillim të vitit 2022, administrata paguhej mesatarisht 20% më shumë se privati, ndërsa në tremujorin e fundit 2024, diferenca në paga arriti në 30%. Edhe një aksion i tatimeve në muajt e fundit 2024 për të luftuar informalitetin e pagave të privati nuk arriti që të nxiste sipërmarrjet që të paguanin më shumë punonjësit.Tre vitet e fundit treguan që rritja e pagave me urdhër administrativ është e destinuar të jetë një praktikë e dështuar. Forma më e mirë për rritjen e pagave në ekonomi lidhet me rritjen e produktivitetit.Kjo do të thotë se pagat rriten në përputhje me përmirësimin e aftësive dhe efikasitetit të punonjësve, duke sjellë përfitime reale në prodhim dhe fitime më të larta për kompani, në vend që të rriten administrativisht pa asnjë përmirësim në performancë.