Fondi e Sigurimeve si mafie e ilaçeve, helmon shqiptarët me medikamente të skaduara dhe çmime të larta

Barnat e rimbursueshme, auditimi zbardh mungesën e kontrollit, skadenca të padokumentuara dhe spitale pa ilaçe. Ja moçali i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor që lejon rimbursimin e ilaçeve të skaduara

Skema vijon të mbetet e njëjtë. Kupola e FSDKSH-ja favorizon dhe mbulon abuzimet, kontrabandën dhe mashtrimet e depove farmaceutike dhe farmacive, ndërsa ndajnë bashkë paratë produkt i aktivitetit kriminal në dëm të shëndetit të shqiptarëve. Sipas KLSH-së, Drejtoria e Kontrollit pranë Fondit ka shmangur kontrollin dhe dokumentimin e datës së skandencës së ilaçeve në depot farmaceutike, duke krijuar hapësira për mbajtjen dhe tregtimin e barnave të skaduara.

Një tjetër raport i Kontrollit të Lartë të Shteti konfirmon edhe një herë se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vijon të mbetet një institucion që gjeneron abuzime, skema korruptive, mashtrim dhe pazare me shëndetin e shqiptarëve, pavarësisht arrestimeve të herëpas’hershme, denoncimeve mediatike, auditimeve të shpeshta të KLSH dhe ndryshimit të drejtorëve, 11 drejtorë në 13 vite.Auditimi i ushtruar mbi Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2024 evidenton mangësi të theksuara strukturore, procedurale dhe funksionale në menaxhimin, monitorimin dhe kontrollin e barnave të rimbursueshme.Sipas raportit, për periudhën e audituar janë konstatuar gjithsej 45 gjetje me masa organizative, 3 gjetje me efekte ekonomike dhe 6 masa administrative, të cilat tregojnë dobësi të vazhdueshme në zbatimin e detyrimeve kontraktuale dhe në mekanizmat e kontrollit të brendshëm.

NOA

Mungesa e verifikimit të çmimeve dhe kontrollit të barnave të rimbursueshme

Nga auditimi i raporteve të kontrollit të ushtruar në depot farmaceutike rezulton se grupi i kontrollit nuk ka kryer verifikimin e parashikuar në pikën 2 të programit të kontrollit, e cila lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e çmimeve të miratuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme (LBR) dhe tregtimin e barnave në përputhje me pullën e sigurisë.

Kjo mangësi ka cënuar transparencën dhe integritetin e kontrollit financiar, duke mos lejuar vlerësimin objektiv të përputhshmërisë së çmimeve të referencës me çmimet reale të tregtimit. Moszbatimi i këtij detyrimi kontraktual bie ndesh me dispozitat e nenit 18 të kontratave përkatëse, sipas të cilave parashikohet ndërprerja e kontratës në rast të përsëritjes së tregtimit të barnave me çmime mbi ato të miratuara për më shumë se një periudhë jo më pak se një vit.

Inventarizimi i barnave dhe mungesa e dokumentimit të datave të skadencës

Skema vijon të mbetet e njëjtë. Kupola e FSDKSH-ja favorizon dhe mbulon abuzimet, kontrabandën dhe mashtrimet e depove farmaceutike dhe farmacive, ndërsa ndajnë bashkë paratë produkt i aktivitetit kriminal në dëm të shëndetit të shqiptarëve. Sipas KLSH-së, Drejtoria e Kontrollit pranë Fondit ka shmangur kontrollin dhe dokumentimin e datës së skandencës së ilaçeve në depot farmaceutike, duke krijuar hapësira për mbajtjen dhe tregtimin e barnave të skaduara.

Auditimi ka konstatuar se në procesverbalin e inventarizimit fizik për qëllime kontrolli janë evidentuar vetëm sasitë fizike të barnave, ndërkohë që mungon dokumentimi i datës së skadencës për secilin prej tyre. Kjo mangësi përbën një problem thelbësor në procesin e kontrollit, pasi bën të pamundur vlerësimin objektiv të disponueshmërisë efektive të barnave dhe përputhjen me kërkesat e nenit 5 të kontratave lidhur me sigurimin e gjendjeve minimale të kërkuara për barnat alternative të para dhe të vetme të përfshira në LBR.Si rezultat, analiza e disponueshmërisë së barnave dhe cilësia e procesit të kontrollit rezultojnë të cënuara në transparencë, saktësi dhe besueshmëri.

Mungesa e barnave në farmacitë spitalore

Nga auditimi i vitit 2024 në farmacitë spitalore QSUT, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë, u konstatuan mangësi në procedurën e inventarizimit dhe mungesa konkrete të barnave alternative të vetme dhe të para. Për QSUT-në, inventarizimi i kryer më 20.02.2024 përfshiu vetëm 8% të konsumit, ndërkohë që periudha e kontrollit ishte nga 07.12.2022 deri më 20.02.2024.Për 26 barna të cilat 14 janë “alternativë e vetme” dhe 12 “alternativë e parë”, nuk ka pasur disponueshmëri as në fillim të inventarit më 07.12.2022 dhe as në fund më 20.02.2024, pa u pasqyruar kjo si problematikë në strukturat drejtuese të FSDKSH-së.Në farmacitë spitalore u konstatuan diferenca sasiore konkrete: 400 njësi në Durrës, 185 njësi në Shkodër, 1,015 njësi në Elbasan dhe 517 njësi në Korçë. Gjithashtu, u evidentuan mungesa konkrete të barnave alternative të vetme: 4 barna në Durrës, 11 në Shkodër, 9 në Elbasan dhe 7 në Korçë, pa u identifikuar nga grupet e kontrollit dhe pa u marrë masa administrative ndaj depove importuese me kontratë.

Probleme serioze në sistemin “e-depo” dhe daljet fiktive të barnave

Auditimi mbi funksionimin e sistemit “e-depo” për vitin 2024 evidenton mangësi të rënda në regjistrimin, monitorimin dhe kontrollin e hyrje-daljeve të barnave. Nga importuesit farmaceutikë janë importuar barna të klasifikuara si “spitalore” në një sasi prej 3,690,084 njësi, me vlerë 3,225,256,356 lekë, nga të cilat 159,760 njësi me vlerë të rimbursueshme 60,485,872 lekë janë shpërndarë në rrjetin e hapur, në kundërshtim me kontratat trepalëshe dhe përcaktimet ligjore.

Në 207 transaksione të regjistruara në sistem, në 37 fatura shitjeje u konstatuan 102,778 njësi barnash me datë skadence identike me datën e shitjes, ndërsa në 170 fatura të tjera u konstatuan 143,598 njësi barnash me afat skadence nga 1 deri në 5 ditë nga data e shitjes. Kjo situatë ka krijuar rrezik të lartë për sigurinë e pacientëve dhe për cilësinë e trajtimit farmakologjik.

Diferenca të pajustifikuara financiare dhe rimbursime pa të drejtë

Nga auditimi i lidhjes së kontratave të reja për vitin 2024 u konstatua se për subjektin “P. P.” janë regjistruar si “çelje inventari fillestar” 8,913,213 njësi me vlerë 217,781,840 lekë, ndërkohë që nga inventari fizik rezulton një diferencë e pajustifikuar prej 8,871,835 njësi me vlerë 216,948,302 lekë.Gjithashtu, u evidentua se disa farmaci kanë përfituar rimbursim të plotë nga FSDKSH për barna të marrë pa kosto blerjeje, përmes faturave me vlerë zero, duke përfituar marzh tregtar deri në 24% për tregtim në pakicë dhe 8% për tregtim në shumicë, sipas VKM nr. 489 dhe VKM nr. 491. Kjo ka sjellë përfitim financiar të pajustifikuar dhe ka cënuar objektivin themelor të skemës së rimbursimit.