Falimentimi i fasonëve, në pak ditë mbeten pa punë 1 mijë punonjës

39
Sigal

Numri i kompanive, që operojnë me material porositësi në fushën e tekstileve dhe këpucëve, sa vjen e po reduktohet, për shkak të falimentimeve masive të tyre, apo dhe ato që vazhdojnë po e tkurrin ndjeshëm aktivitetin.

Shoqata e Eksportuesve bëri të ditur se kompania IMES ALB CËRRIK ka kaluar 80 persona në asistencë dhe do të mbyllet gjatë ditës së sotme.

KRAL SHOES po punon me punon me kapacitet 70%, pasi 30% e aktivitetit është zhvendosur në Tunizi. Shoqata bëri të ditur se shumë shpejt do të transferohet i gjithë prodhimi.

Sipërmarrja tjetër ALTEK shpk, nga 350 veta ka larguar 100 punonjës. Shumë shpejt mendon të transferohet në Tunizi ose Egjipt.

ROZIMPEKS, e themeluar në tetor 1992, po çon në asistencë 150 punëtorë.

DONCHRIS 2 ka lënë pa punë 47 punëtorë, pasi është mbyllur në dhjetor 2023.

Kompania PICARI shpk, me qendër në Patos ka çuar në shtëpi 270 punëtorë.

SUPREME BRUNO ka vetëm 20 të punësuar aktualisht, nga 140 që kishte më parë. Sipas të dhënave nga Shoqata, për një javë kjo sipërmarrje po mbyllet fare.

MERLIKA shpk, që kishte 100 punonjës, është mbyllur. SFIDAL shpk, nga 270 punonjës, sot ka 170.

Vetëm nga këto raportime të Shoqatës, në pak ditë kanë mbetur pa punë gati 1 mijë punonjës dhe numri i tyre pritet të shtohet. Florian Zekja nga Shoqata e Eksportuesve tha se kompanitë po mbyllen për shkak se partnerët, kryesisht italianë, po ikin nga sot për nesër, po zhvendosen në vendet ku kosto e prodhimit është më e lirë, si psh Tunizia apo Egjipti.

Sipas Zekjas, arsyeja kryesore që ndikoi në rritjen e kostos është zhvlerësimi i euros, që automatikisht ka shtrenjtuar kostot e prodhimit me 17%, krahas pagave më të larta.

“Pas vitit 2022, që deri tani ishte më i miri dhe kishim shumë porosi, viti 2023 i dëmtoi shumë kompanitë për shkak të zhvlerësimit të euros”, thotë ai.

Zekja shton se këta punonjës të larguar do të bëhen barrë për buxhetin dhe taksapaguesit, pasi duhet tu paguhet asistencë. Zgjidhja e dhënë nga qeveria, që kjo kategori të punësohet në turizëm është pothuajse utopi.

Përveçse punonjëset mund të jenë në prag pensioni, është pothuajse e pamundur që ato të akomodohen në njësitë turistike, që janë dhe larg vendbanimeve të tyre, ndërsa turizmi është gjithsesi sezonal dhe ka punë përgjithësisht për katër muaj.