Sigal

Qendra “Konsumatori shqiptar” është ndër të paktat organizata që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri, për shkak të numrit të vogël të tyre, por dhe pamundësisë për t’i mbijetuar tregut, meqenëse-target grupi dhe fushat e veprimit janë shumë specifike dhe të mirëpërcaktuara.   Një organizatë e cila vendos  përfitues të saj direkt dhe indirekt të gjithë njerëzit, që blejnë ose përdorin mallra apo shërbime të destinuara për përdorim vetjak. Fusha e veprimit përfshin; siguri ushqimore, produkte joushqimore, shërbime bankare, kontrata konsumatore, mbrojtje e të drejtave të pacientëve, mbrojtja e mjedisit etj  Për të folur më gjerë kemi intervistuar zonjën Ersida Teliti, lektore pranë Departamentit Civil, në Fakultetin e Drejtësisë të Universiteti i Tiranës që prej vitit 2008.  Znj. Teliti është Drejtore Ekzekutive e Qendrës “Konsumatori shqiptar”. Ajo ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me fokus mbrojtjen dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve shqiptarë.

Dy fjalë për organizatën Qendra Konsumatori Shqiptar

Qendra “Konsumatori shqiptar” është një organizate jo-fitimprurëse, e krijuar në Tetor të vitit 2014. Misioni i saj është mbrojtja e interesave të ligjshëm të konsumatorëve, individuale ose kolektive, përballë veprimeve të paligjshme ose të padrejta të tregtarëve apo organeve të administratës publike, si dhe  përfaqësimi i tyre në organet gjyqësore.  Qendra “Konsumatori shqiptar” ka ndërmarrës një sërë iniciativash dhe ka dërguar mbi 200 ankesa në lidhje me: sigurinë ushqimore, produktet joushqimore, furnizimin me ujë, energji elektrike apo telekomunikacion, paketat turistike, konsumatorët në rolin e tyre si pacient etj.

Përse e ndërmorët Znj Teliti këtë nismë?

Qendra nuk u krijua, për të shtuar një organizatë më shumë në shoqërinë civile shqiptare. Ajo u krijua me një mision dhe fokus të dedikuar: ndërgjegjësimi, mbrojtja dhe mbështetja e konsumatorëve shqiptarë në marrëdhënie me praktikat e padrejta tregtare. Ngritja e zërit konsumator, dërgimi i një ankese nuk mbron vetëm dhe drejtpërdrejt konsumatorin që ankohet, por përgjithësisht të gjithë konsumatorët. Pjesa më e madhe e ankesave tona që kanë gjetur zgjidhje u janë adresuar të gjithë konsumatorëve, duke treguar dhe interesin publik dhe të përgjithshëm të kësaj fushe. Themeluesit e Qendrës vlerësuan se sot shoqëria shqiptare nuk ka mjaftueshëm informacion në lidhje me rolin dhe të drejtat e tyre si konsumator. Kështu që një zë i shtuar do të ndikonte në nxitjen dhe shtytjen e tyre për të qenë më aktive, më me kurajë për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe më kërkues ndaj të gjithë strukturave shoqërore për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Përballë pushtetit dhe presionit të tregtarit, në kuadrin e mungesës së iniciativave të institucioneve publike, një lëvizje konsumatore do të ishte me vlera, qoftë dhe në kuadrin e shoqërisë civile.

Sa përgjegjës ndiheni ju si individ dhe pjesë e shoqërisë civile për të bërë ndryshime në lidhje me statusin e konsumatorit?

Ju falënderoj për pyetjen. Është një pyetje shume interesante dhe domethënëse. Në ditët e sotme dhe në realitetin ku jetojmë, një individ I vetëm nuk mund të bëjë ndryshime thelbësore, por..ai mund të ngrejë zërin, të ankohet, të ndërgjegjësojë të tjerë dhe të përfshijë vullnetare dhe njerëz me besim në kuadrin e bashkëpunëtorëve. Kjo do sjellë shumë efektivitet dhe ndikim pozitiv tek konsumatorët, presion tek tregtarët në përmbushjen e detyrimeve ligjore si dhe tek institucionet shtetërore në realizimin e kompetencave të tyre. Në marrëdhëniet me konsumatorët, çdo aktivitet dhe aktivizim, çdo ankesë kushtëzohet nga sasia e informative. Mund të jesh qytetar shumë aktiv dhe I ndërgjegjshëm, por je një konsumator i heshtur. Veprimtaria e Qendrës qe drejtoj konsiston në informim, ndërgjegjësim si dhe fuqizim i konsumatorëve. Dy zëra janë dhe do të jenë shumë më mirë së një i vetëm dhe i veçuar.

A mund të na tregoni një nismë apo projekt të ri për realizimin e këtij qëllimi?

Qendra “Konsumatori shqiptar” aktualisht është duke zbatuar projektinShtëpia e Konsumatorit – forcimi i zbatimit të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të konsumatorëve në Shqipëri”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Qëllimi kryesor është ndërgjegjësimi i konsumatorëve, marrja dhe trajtimi i ankesave të konsumatorëve, si dhe ndjekja e tyre në rrugë administrative dhe gjyqësore. Ky projekt përfshin mbi 20 të rinj vullnetarë, të cilët do të jenë në terren në Qarkun Tiranë dhe Durrës. Këta të rinj do të shpërndajnë fletëpalosje, do realizojnë ndërgjegjësim, si dhe do të marrin ankesa nga konsumatorët.  Projekti që do të zgjasë 12 muaj, synon që të ndërgjegjësojë dhe tregtarët, në  përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Nëpërmjet tij, Qendra synon të ndikojë dhe në nivele të ndryshme të politikbërjes, për të pasur më shumë efektivitet në përmbushjen e kompetencave të tyre në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Duke qenë se gjithë misioni  juaj lidhet me konsumatorin sa të mbështetur jeni ndjerë nga institucionet publike?

Mbrojtja e konsumatorit dhe misioni për të qenë sa më aktiv kërkon kurajë dhe nivel të lartë ndërgjegjësimi. Në kushtet që të gjithë në jetën e përditshme të gjithë jemi konsumatorë të produkteve ushqimore dhe/apo jo-ushqimore, përmbushja e funksioneve dhe e kompetencave të funksionarëve në fushën e mbrojtjes së konsumatorit sjell pasoja efektive dhe me vlera për të gjithë. Në ndryshim nga vendet e rajonit, ku në buxhetin e shtetit parashikohet një fond për mbështetjen e financiare dhe administrative për organizatat që veprojnë në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, në Shqipëri nuk e kemi një mbështetje të tillë. Megjithatë një pjesë e mirë e këtyre institucioneve mbështesin dërgimin e ankesave nga ana e konsumatorëve. Megjithatë jo të gjitha vendimet janë në favor të konsumatorit. Më lejoni t’ju dërgoj një mesazh nëpërmjet intervistës suaj: Organet shtetërore duhet të nxisin ankesat e konsumatorëve, t’i trajtojnë ato në kohë dhe të rrisin nivelin e besimit të konsumatorëve.

 Cili do të ishte mesazhi juaj për konsumatorin?

Konsumatori duhet të ndërgjegjësohet dhe të ankohet në çdo rast që cenohen të drejtat e tyre.  Një konsumator i informuar është një konsumator i ndërgjegjshëm. Një konsumator i ndërgjegjshëm është një konsumator i sigurt! Ngrini zërin! Ankohuni!

Faleminderit!

Nga Lorenca Bejko