Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasada e Greqisë, organizuan së bashku aktivitetin me temë “Shanse arsimimi për fëmijët që nuk dëgjojnë në Shqipëri”

521
Sigal

Konkluzione të rëndësishme, mesazhe shpresëdhënëse dhe emocione solidariteti morën me vete  pjesëmarrësit në aktivitetin e djeshëm me temë “Shanse arsimimi për fëmijët që nuk dëgjojnë në Shqipëri”,  të cilin e organizuan së bashku, Delegacioni i Bashkimit Europian dhe  Ambasada e Greqisë, në kuadrin e “Javës së Europës 2019”.

Ambasadori i Bashkimit Europian  në Tiranë Luigi Soreca falenderoi të gjithë ata që mundësuan  realizimin e aktivitetit dhe theksoi midis të tjerave,  se me këtë aktivitet  Delegacioni i Bashkimit Europian  së bashku me Ambasadën e Greqisë, synojnë ndërgjegjësimin për të drejtat e personave invalidë, veçanërisht për fëmijët  me probleme dëgjimi dhe të drejtën që ata kanë për një arsimim  të drejtë, si hapa të një rëndësie vendimtare për të çarë rrethimin e margjinalizimit shoqëror.

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë  znj.Eleni Sourani theksoi midis të tjerash rëndësinë e përfshirjes së aktivitetit  në “Javën e Europës në Shqipëri”  dhe falënderoi  Federatën e Personave që nuk Dëgjojnë të Greqisë për gadishmërinë që tregoi që të marrë pjesë , së bashku me homologen shqiptare, në praktikat e përparuara që zbatohen në Greqi.

Gjatë aktivitetit, Shoqata Kombëtare e Personave  që nuk Dëgjojnë të Shqipërisë ANAD paraqiti rezultatet e anketës “Persona që nuk dëgjojnë në Shqipëri”, sipas së cilës, 98% e personave  me probleme dëgjimi janë funksionalisht analfabetë dhe 61% janë të papunë. Në vazhdim, kryetari i Federatës së Personave që nuk Dëgjojnë të Greqisë, z Konstantinos Simpsis, këshilltari për arsimimin dhe edukimin e veçantë në Ministrinë e Arsimit të Greqisë z. Vasilis  Kurbetis dhe drejtorja e Kopshtit të Posaçëm  për Persona me probleme të rënda dëgjimi në Argjirupoli z. Spiridhulla Karipi paraqitën praktikat më të mira që zbatohen në Greqi por edhe propozime bashkëpunimi  midis shteteve anëtare  të BE dhe Shqipërisë.

Në aktivitet ishte e pranishme interpretuesja e gjuhës greke  të shenjave për persona me probleme dëgjimi si dhe interpretuesi i gjuhës shqipe të shenjave, falë të cilëve doli në pah roli deçiziv që ka gjuha e shenjave.

Aktiviteti u shoqërua  harmonikisht nga ekspozita e pikturës , me vepra të nxënësve që nuk dëgjojnë të Shkollës së Tiranës, nën kujdesin e piktorit  Kosta Zhonga.

Në vazhdim  të njoftimeve të mëparshme  për aktivitetin, paraqesim fotografi nga kjo nismë pozitive që pati në epiqendër çështjen e arsimimit të personave që nuk dëgjojnë në Shqipëri,  me qëllim  përmirësimin e tij.