Buxheti 2020: Rritje e mëtejshme për sektorin e arsimit me fokus tek studentët

650
Sigal

Në seancën e sotme dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2020”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini nënvizoi qartë faktin se për vitin e ardhshëm do të ketë buxhet më të madh në krahasim me vitet e kaluara.
“Buxheti i rritur ndër vite reflekton faktin se arsimi ka qenë dhe mbetet prioritet për qeverinë shqiptare!”, shprehet ajo.
Ajo u ndal tek “Pakti për Universitetin”, në kuadër të së cilit projektet e filluara në 2019-tën që adresuan kërkesat e studentëve në përmirësimin e kushteve në institucionet e arsimit të lartë (IAL) dhe cilësisë së arsimit do të vijojnë edhe në 2020-tën. Ndër to Ministrja Shahini përmend: bursat për afro 12 mijë studentë, përgjysmimin dhe përjashtimin nga tarifat për rreth 90 mijë studentë, bibliotekën digjitale, përmirësimin e kushteve në të gjitha konviktet në vend, investimin në kampuset universitare, shpërndarjen e kartës së studentit, punësimin e ekselentëve në shërbimin civil, Programin Kombëtar të Praktikave të Punës etj.
Për sa i përket sistemit parauniversitar, Znj. Shahini thekson se “po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve social, po trajnojmë mësuesit dhe po fokusohemi në ndërtimin e shkollave në zona urbane ku po punohet me 2 turne”.
Në fund të raportimit të saj, Ministrja Shahini shprehet se MASR është ministri e fëmijëve dhe të rinjve!
“Ndaj jam e lumtur që sektori i arsimit ka rritje të buxhetit, i cili do të na mundësojë përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe eksperiencës shkollore e studentore për fëmijët e të rinjtë”, shprehet ajo.