Bashkia Pogradec, 1300 banorë të fshatit Blacë pa certifikata pronësie, pa shtëpi e prona

877
Sigal

Secili politikan apo edhe njerëz që punojnë në shtet gjithnjë flasin dhe betohen për t’iu shërbyer sa më mirë qytetarëve. Një rast të tillë përmendi Ministrja Gjonaj në Korçë, kur foli nga zyrat e Pasurive të pa luajtshme Korçë, që ‘duhet t’u shërbejmë sa më mirë qytetarëve’.

I kujtojmë zonjës ministre, se ne nuk kemi nevojë për fjalë, po për vepra. Është rasti i fshatit Blacë me 1300 banorë e ku tokat janë ndarë sipas ligjit 7501, por, fatkeqësisht, në 1997 u dogjën dokumentet e pronësisë tek zyra e hipotekës Pogradec. I kujtojmë zonjës Ministre, se nuk është faji ynë që kemi 22 vjet e nuk marrim dot certifikatat e pronësisë, po as edhe shtëpitë që na i ka bërë babai nuk i kemi me certifikatën. As i shesim dot, po as dhe biznes nuk bëjmë dot. Për këtë janë dijeni; Prefekti i qarkut, Deputetët, Presidenti, , zyra qendrore P P Tiranë, Avokati i popullit si edhe ju zonja Ministre.

Ju kujtojmë se ne paguajmë taksat mbi pronën, paguajmë taksa mbi automjetet, paguajmë 20% në ujë e drita. Nga taksat tona marrin rrogat ata që punojnë në administratë dhe, me keqardhje të them, se askush nuk e ka vënë ujin në zjarr!

Falë Bashkisë Pogradec që ka marrë iniciativën dy herë për të bërë diçka, ne shpresuam, por tani ka ngelur procesi, sepse nuk lirohen fondet nga qeveria për të bërë Digjitalizimin e zonës.

Ju përmendët fakte se administrata juaj punon në ndihmë të qytetarëve, ndërsa ne jemi pa ndihmë as nga ju dhe zyra e hipotekës Pogradec, ku kemi pasur vetëm sorollatje e zvarritje të pa justifikueshme. Konkret është rasti i një bashkëfshatari, R.D. që ka një vit e nuk i japin certifikatën e pronësisë, aplikuar më 18 qershor.

Tek zyra keni punësuar njerëz të pa aftë dhe mos harrojmë se pagat e tyre janë mbi 600 deri 700 mijë lekë në muaj, ku shumë të tjerë jetojnë në asistencë me 40 mijë lekë në muaj. Ju kujtojmë se ne po vuajmë për këtë problem, në një kohë që mbi tokat tona kemi bërë dhe investime.

Problem tjetër që na shqetëson është uji. Siç dihet tokat duan ujitje, këtu uji mungon, si për të pirë e për ujitur. Shpesh herë e kemi ngritur edhe në media, po askush s’na ka dëgjuar. Ju kujtojmë se jeta jonë është me tokën, dhe punimin e saj për të jetuar, prandaj kërkojmë qe ju ta shikoni edhe këtë realitet, me problemin e mprehtë të këtij fshati, mos shikoni vetëm Korçën, sepse dhe ne qytetarë të këtij vendi jemi.

Ju kujtojmë se lirimi i një fondi na bën të mundur që ne të bëhemi si gjithë qytetarët e tjerë të vendit tonë. Në të kundërt, ne si fshat në zgjedhjet lokale nuk do lejojmë njeri të na gënjejë siç na kanë gënjyer deri tani. Qytetari ndihmohet kur i plotësohen kërkesat më minimale ato të të jetuarit. 

Nga Lavdërim Miminllari, Kryetar i shoqatës “Mali i Thatë” Pogradec