Bashkia e Pogradecit, bashki baxhanakësh

380
Sigal

Denoncimi i qytetarëve/ Lidhjet nepotike po privilegjojnë zyrtarët e bashkisë dhe familjarëve të tyre, ndërkohë që banorëve nuk u lejohet të vendosin edhe një çadër në bregliqen. Gropat septike që po qelbin liqenin dhe emrat e të pangopurve

Lidhjet nepotike të Bashkisë po na pengojnë vendosjen e çadrave në bregliqen
Bashkia e Pogradecit, bashki baxhanakësh dhe priviligjesh

Nga Vepror Hasani

Lidhjet nepotike shpikin dhe favorizojnë “të drejta” në dëm të ligjit, dhe në dëm të qytetarëve të ndershëm, të cilët vetë ligji i favorizon me  “të qenit të parë” në përfitimin e aktiviteteve të tilla, me synimin që t’u shërbehet sa më mirë turistëve dhe vizitorëve

Pogradec – Familja e bashkëshortëve Ollga dhe Skënder Demolli, banorë të qytetit të Pogradecit, intelektualë të njohur të këtij qyteti,  (Skënderi shkrimtar, poet, gazetar dhe fabulist, kurse,  bashkëshortja e tij ish-emigrante), tashmë po gjenden në hall ngaqë as ligji nuk po ua zgjidh dot, sepse më të fortë se ligji vijojnë të mbeten lidhjet nepotike, ku Kledi Çela, koordinator i Policisë Bashkiake është baxhanak me nënkryetarin e Bashkisë Pogradec, Paskalino Ziko, lidhje kjo që shftytëzohet prej tyre në dëm të ligjit dhe në rastin konkret në dëm të familjes Demolli, të cilët me sa kuptohet për këtë vit nuk do të lejohen prej Çelës të shfrytëzojnë bregliqenin për vendosjen e çadrave në shërbim të turistëve dhe vizitorëve. Për më tepër do të sjellim më poshtë peripecitë e rrëfyera nga familja Demolli.


Familja Demolli jeton në bregliqenin e Pogradecit
(Ligji u jep të drejën për shfrytëzimin e bregliqenit)

Më konkretisht, familja Demolli ka pronën e vet në bregliqenin e Pogradecit, te vendi i quajtur “Klubi i gjuetarëve”. Gjatë periudhës 2020-2021 pati një kontratë qiraje bashkë me Enkelejda Çelën, bashkëshorten e Kledi Çelës, ndërsa për këtë vit (2022), Kledi Çela (koordinator i Policisë Bashkiake), po synon “rrëmbimin” e bregliqenit pranë pronës së Ollga dhe Skëndër Demollit.
Pretendimi i tij për marrjen e bregliqenit pranë objektit të bashkëshortëve të përmendur më sipër është krejtësisht i padrejtë, sepse Çela nuk ka aty ndonjë pronë të tij, shtëpi, lokal, hotel apo ndonjë pronë tjetër, dhe nuk ekziston ndonjë ligj që favorizon një qytetar tjetër që nuk ka pronë, pasi e drejta e parë për shfrytëzimin e bregliqenit i takon atij që zotëron objekte, që vihen në shërbim të vizitorëve dhe turistëve. Dhe kjo e drejtë parësore i takon familjes Demolli, sepse këtë përparësi ua jep vetë ligji.

Për familjen Demolli, prapa Kledi Çelës, që bën “të fortin”, është vetë baxhanaku i tij Paskalino Ziko dhe banda e Urbanistikës, i cili u kishte thënë:  “Harroje statusin juridik të pronës që ke blerë pas privatizimit, sipas ligjit nga AKP. Ne ia japim kujt të duam!

Familja e policit bashkiak nuk ka aktivitet në bregliqen
(Bashkëshortja i punon në Bankë, kërkon dhe bregliqen)

Veç sa më sipër, z. Kledi Çela, koordinator i Policisë Bashkiake Pogradec, nuk i lejohet të ushtrojë aktivitete të tilla në bregliqen, sepse është punonjës i një institucioni shtetëror dhe së dyti, gjithnjë sipas ligjit, të drejtën parësore për shfrytëzimin e bregliqenit e përfitojnë ata që kanë aktivitet turistik, siç është familja Demolli dhe pastaj qytetarët e tjerë. Mirëpo Kledi Çela, duke qenë në dijeni të ligjit, shfrytëzimin e bregliqenit kërkon ta sigurojë në emër të bashkëshortes, gjë që flet edhe për një padrejtësi tjetër, sepse bashkëshortja e tij punon në Bankë dhe nuk ka asnjë lidhje me aktivitetetin turistik, për rjedhojë nuk ka as të drejën parësore për vendosjen e çadrave në bregun e liqenit të Pogradecit. Pra, nëse bashkëshorti i saj nuk do të ishte punonjës i Policisë Bashkiake, bashkëshortja e tij nuk do të merrte dot përsipër një aktivitet të tillë përderisa është e punësuar në një institucion tjetër dhe nuk ka asnjë lidhje me turizmin.

Lidhjet nepotike më të forta se ligji
(Kledi Çela presion familjes Demolli)

Të gjitha këto tregojnë se lidhjet nepotike shpikin dhe favorizojnë “të drejta” në dëm të ligjit, dhe në dëm të qytetarëve të ndershëm, të cilët vetë ligji i favorizon me  “të qenit të parë” në përfitimin e aktiviteteve të tilla, me synimin që t’u shërbehet sa më mirë turistëve dhe vizitorëve. Ndaj, edhe për këtë arsye, familja Demolli vendosi të denoncojë  në shtyp padrejtësistë që u bëhen qytetarëve duke i shpërfilluar ata vetëm e vetëm se nuk kanë miq në Bashki. Për më tepër, rregullorja “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, janë të përcaktura qartë. Në pikën c) të rregullores thuhet “Rregullore e detajuar e stacioneve të plazhit”, tërësia e rregullave të detajuara që përfshin procedurat për përzgjedhjen e subjektit dhe rregullat për vendosjen e pajisjeve, objekteve dhe lehtësirave të tjera në funksion të tipologjisë së plazhit, e cila i bashkëngjitet kontratës për përdorimin e hapësirës së plazhit.

Familja Demolli korrekte me ligjin dhe regulloren

(Por ata që ndihen “të fortë” i shpërfillin ato)

Dhe mbi të gjitha familja Demolli u është përgjigjur kërkesave të rregullores në mënyrën më të mirë dhe në respekt të plotë të ligjit. Mirëpo edhe pse mund të jesh një qytetar që respekton shtetin ligjor, mjafton një lidhje nepotike që të nëpërkëmbë të drejtat e qytetarëve të thjeshtë, që nuk kanë miq dhe shokë në institucionet e shtetit. Kjo është më e turpshmja që mund t’u ndodhë qytetarëve nga punonjësit e Bashkisë, të cilët shfrytëzojnë influencat e veta, me synimin për nxjerrjen e një leje nga Bashkia (edhe pse nuk u takon); për vendosjen e një konstruksion druri, edhe pse nuk mund të jetë përfitues i parë, sepse të drejtën e parë për zgjerim (në rastin konkret) e ka familja e Ollga dhe Skënder Demolli dhe pastaj të tjerët, në rast se familja e përmendur më sipër, nuk do të aplikonte.  “Nisur nga korrektësia e familjes tonë, rrëfen Ollga Demolli, gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti kemi përmbushur të gjitha kërkesat e ligjit, duke filluar nga vendosja e çadrave, distancat, vijën e bregut të liqenit, largësinë 2.5 metra përpara brezit të çadrave, hapësirat midis tyre, higjenën dhe gjithçka tjetër pa neglizhuar asgjë e megjithatë punonjës të bashkisë kanë vendosur të na kundrvihen jo me të drejtën e ligjit, por me “arsyen e të fortit”.

Kledi Çela, i privilegjuari
(Bashkia i përmbush çdo kërkesë)

Në vijim të këtij informacioni, familja Demolli pohon: “Tashmë jemi duke hapur një hotel dhe restorant te pika e molit në Pogradec, ndërkohë që po shfrytëzojmë dhe bregun e liqenit përpara objektit. Për 2 vitet që kaluan e kishim dhënë me qera katin përdhes për sezonin veror 3 muaj. Personi që e ka patur me qera është punojës në bashkinë Pogradec (Kledi Çela) dhe e ka patur në emrin e gruas. Sivjet, që nuk ia dhamë, kapi në bregun e liqenit pa leje, dhe vendosi çadra dhe shezllone plazhi duke shfrytëzuar pozitën e punës pa respektuar ligjin pa lënë hapësira për plazh të lirë, pa u bazuar në një pronë afër bregut që të funksionojë në bazë të Vendimin Nr, 171 data 27-3-2019. Ndërkohë po hap gropa septike në bregliqen që të zbrazë ujërat për tualet të përkohshëm, ndërsa ka planifikuar të vendosë edhe strukturë – banak të cilat i kemi fotografuar. Ndërkaq edhe familja Demolli  kërkoi më shumë vend për shfrytëzim për shezllona dhe përgjigja që mori prej Bashkisë Pogradec ishte: “Duhet të ketë plazh të lirë!” Ndërkohë që kjo përgjigje nuk vlen për punonjësin e bashkisë, Kledi Çela!

Prapa Kledi Çelës, qëndron baxhanaku
(Ne synojmë turizëm bashkëkohor, jo hale me kallama)

Për familjen Demolli, prapa Kledi Çelës, që bën “të fortin”, është vetë baxhanaku i tij Paskalino Ziko dhe banda e Urbanistikës, i cili u kishte thënë:  “Harroje statusin juridik të pronës që ke blerë pas privatizimit, sipas ligjit nga AKP. Ne ia japim kujt të duam!” D.m.th ata kanë gjithë fuqinë për t’i shërbyer vetëvetes! Madje nga 268 metra ndërtesë, plus truall sipas statusit, munda të privatizoj e të marr leje për 255 m, por diktuan firmën për 239,5 m e në pjesën tjetër, plus oborrit që ka patur lokali, duan të hyjnë vetë për të bërë tunel nën xhade e kthyer në garazhe dhomat tunel që janë poshtë Kalasë, në krahun e sipërm të xhades. Ne i pyesim zotërinjtë: “Pse nuk shkon 500 metra më tej ky Kledi Paskalino Ziko, po këmbëngul të bëjë turizëm në oborrin e një lokali ku kemi derdhur tërë kursimet e 30 viteve të emigracionit, dhe veç kësaj kemi marrë së fundi dhe 100 mijë euro nga Banka OTP kredi, për të bërë hotel, sipas standarteve bashkëkohore dhe jo hale me kallama.

Kush është Paskalino Ziko?
(Njeriu i skandaleve me fondet e plehrave)

Dëshirojmë të bëjmë me dije se Paskalino Ziko, është njëri nga ata të skandalit me fondet e mbetjeve – plehrave në Pogradec, e në vend që të ishte në burg vijon të bëjë tarapanë në Pogradec. Ka dosje në Prokurori, por ka edhe bashkëshorten prokurore. Kurse Kledi Çela na thotë: “Këtu është pronë shtetërore (oborr pallati) dhe unë po të dua (sigurisht po të dojë, sepse ka gjithçka në dorë), vë tezgën e shes edhe fara!” Pra gjithçka është e qëllimshme, edhe pse kemi kërkuar blerjen e truallit funksional që ka patur lokali, si gjithë lokalet e tjera, na pengojnë me të gjitha mënyrat; edhe pse kryeministri Nano në vitin 2006, në mbledhjen e KRTRSH Pogradec u tha: “Nëse do të ndërtohet diçka aty, atë do ta ndërtojë pronari; Bashkia s’ka punë”, sërish

mafia vijon të punojë për interesat e saj. Jetojmë në një vend, i cili po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u jetuar. Drejtësinë e ka marrë lumi,- theksojnë bashkëshortët Demolli.