PSE PORTI I DURRËSIT/VLORËS DHE KORRIDORI VIII JANË JETIKË PËR SHQIPËRINË?
Porti i Durrësit/Vlorës dhe Korridori VIII kanë rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë në planin gjeostrategjik, të sigurisë kombëtare dhe të zhvillimit ekonomik.
- Në ekonomi dhe gjeopolitikë, kur alternativa më e mirë nuk është e disponueshme, ajo zëvendësohet menjëherë nga alternativa e dytë më e leverdishme. Edhe pse retorika e brendshme gjatë komunizmit pretendonte kundërshti ndaj vendeve fqinje si Greqia dhe Jugosllavia, në praktikë izolimi i Shqipërisë i shërbeu vetëm interesave të këtyre vendeve dhe Enver Hoxha qe de facto aleati i tyre më i madh (pak diktatorë bëjnë pushime 1 km nga kufiri tokësor dhe liqenor i një vendi që e konsiderojnë si armik), duke e nxjerrë vendin nga hartat e rrugëve tregtare dhe logjistikës rajonale vetëm që të rrinte në pushtet vetë (kujto që prishja me Rusinë dhe Kinën ndodhi pikërisht kur ato filluan hapjen). Për sa kohë nuk i konkurrojmë apo nuk përbëjmë rrezik për vendet e rajonit si Greqia dhe Serbia, ato jo vetëm që janë shumë të lumtura me ne, por edhe të gatshme të mbështesin me influencën e tyre ndërkombëtare qëndrimin në pushtet të kujtdo që sundon Shqipërinë. Një Shqipëri jashtë hartave logjistike do të thotë më shumë varësi e tregut ndaj korridoreve që kalojnë në vende të tjera. Dhe siç po e shohim edhe sot, rikthimi në hartën ndërkombëtare dhe rajonale të transportit dhe logjistikës kërkon kohë, investime dhe vizion afatgjatë.
- Shqipëria është mirë dhe ka qenë mirë vetëm nëse në të qarkullojnë mallra dhe njerëz. Po nuk shfrytëzon potencialin e saj në këtë sektor, falë pozicionit strategjik (për arsye të vetat ose përtej saj), Shqipëria rrezikon të kthehet, si herë të tjera, në një cep periferik apo një ekstremitet të prapambetur ekonomik. Historia jonë ekonomike e tregon qartë këtë. Shqipëria ka përjetuar dy gjendje të dallueshme zhvillimi, të lidhura drejtpërdrejt me rolin e saj në rajon. Kur portet dhe korridoret tona kanë shërbyer për të lidhur Perëndimin me Lindjen, kemi pasur periudhat më të mira të zhvillimit social dhe gjallërisë ekonomike. Ndërsa kur këto shkëmbime Lindje–Perëndim janë minimizuar ose ndërprerë, si gjatë periudhës së Perdes së Hekurt, izolimit enverist apo periudhës së vonë osmane, vendi është kthyer në një skaj të izoluar dhe prapambetur ekonomikisht. Prandaj, për Shqipërinë, zhvillimi i porteve dhe i korridoreve si Korridori VIII nuk është zgjedhje, është domosdoshmëri.
- Portet e Shqipërisë i japin Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut aksesin më të shkurtër dhe më të drejtpërdrejtë për në tregjet e BE-së dhe Italisë. Tregu i vendeve të Adriatikut është i madh (100 milionë njerëz), i qëndrueshëm, i zhvilluar dhe miqësor, mëse i mjaftueshëm për të kontribuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe sipërmarrjen e rajonit.
- Portet e Shqipërisë dhe Korridori VIII rrisin rezistencën ekonomike të Shqipërisë. Sot ekonomia jonë mbështetet në mënyrë disproporcionale te sektorë me produktivitet relativisht të ulët dhe me risk të lartë, si turizmi (e pamë çfarë ndodhi gjatë COVID-it) dhe ndërtimi (edhe ky i lidhur ngushtë me turizmin). Zhvillimi i një korridori transporti dhe logjistike krijon bazat për diversifikimin e ekonomisë dhe për zhvillimin e sektorëve më të qëndrueshëm e më produktivë.
- Turizmi dhe bujqësia, megjithëse të rëndësishme, nuk janë të mjaftueshme për të garantuar mirëqenie afatgjatë për Shqipërinë. Edhe vende si Kroacia dhe Greqia nuk janë vetëm ekonomi turizmi apo bujqësie; ato kanë ndërtuar sektorë të tjerë më produktivë dhe me vlerë të shtuar, që mbështesin mirëqenien e tyre. Pikërisht kjo është rruga që duhet të ndjekë edhe Shqipëria nëse synon të arrijë të paktën nivelin e tyre të zhvillimit. Duke zhvilluar portet tona dhe duke u kthyer në një nyje logjistike rajonale përmes Korridorit VIII, ne kemi mundësinë jo vetëm të diversifikojmë ekonominë, por edhe të rrisim konkurrueshmërinë si dhe të krijojmë më shumë vlerë e mirëqenie për shqiptarët në të gjithë rajonin.
- Për një treg të vogël si Shqipëria, kapitalizimi nëpërmjet lidhjes me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të logjistikës është shumë i rëndësishëm. Korridori VIII na mundëson integrimin në zinxhirë furnizimi dhe tregje që kërkojnë kohë për t’u ndërtuar apo ndryshuar, por që krijojnë përfitime të qëndrueshme ekonomike dhe strategjike. Kjo rrit faktorizimin e Shqipërisë në rajon, duke e kthyer vendin në një nyje të rëndësishme lidhëse midis Adriatikut dhe Detit të Zi. Shumë specialistë të transportit dhe logjistikës theksojnë se integrimi i Korridorit VIII me Korridorin X krijon një nga rrugët më të shkurtra ekonomike nga Deti Mesdhe/Afrika Veriore për në Evropën Qendrore dhe sidomos Lindore. Në këtë kuptim, Shqipëria ka potencialin të kthehet në një nyje kyçe të kësaj rruge, duke rritur ndjeshëm rëndësinë e saj në hartën ekonomike të rajonit.
- Nga pikëpamja gjeostrategjike, ky korridor i jep Shqipërisë mundësinë të ankorojë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në Adriatik, duke krijuar një bosht natyror ekonomik dhe strategjik drejt Perëndimit. Njëkohësisht, kjo ul varësinë e këtyre vendeve dhe tonën nga korridore që kalojnë përmes vendeve jo gjithmonë miqësore ose të parashikueshme për interesat tona, si Serbia, si dhe redukton mbështetjen e tepërt në alternativa të tjera rajonale.
- Integrimi në rrjetet europiane të transportit dhe logjistikës rrit gjithashtu sigurinë kombëtare. Sa më shumë interesa ekonomike dhe strategjike të kenë partnerët tanë tek Shqipëria, aq më i madh bëhet stabiliteti ynë. Kjo ndikon në uljen e primeve të riskut, përmirëson klimën e investimeve dhe redukton rrezikun e ekspozimit ndaj zhvillimeve të pafavorshme gjeopolitike.
- Rëndësia e integrimit të porteve, e Korridorit VIII dhe e rrugëve tregtare bëhet edhe më e madhe sot, në një botë ku pasiguria është rritur ndjeshëm, po ndodh një proces i qartë decoupling midis blloqeve ekonomike dhe po intensifikohet një luftë globale për energjinë dhe burimet strategjike. Në këtë kontekst, rritet ndjeshëm rreziku që vendet e vogla të mbeten në periferi, të përjashtohen nga rrjetet kryesore ekonomike, apo edhe të përfundojnë në anën e gabuar të zhvillimeve gjeopolitike. Siç është shprehur edhe Kryeministri i Kanadasë, edhe vendet me madhësi të mesme përballen me të njëjtin realitet: nëse nuk janë të ulura në tryezë, rrezikojnë të jenë pjesë e menusë. Pikërisht për këtë arsye, për Shqipërinë është jetike të pozicionohet qartë brenda këtyre rrjeteve përmes porteve dhe korridoreve strategjike, duke u bërë sa më e vlefshme për aleatët e mëdhenj.
- Porti i Durrësit dhe Korridori VIII kontribuojnë edhe në infrastrukturën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kjo infrastrukturë i shërben pikërisht forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe të aleatëve të saj, duke mundësuar lëvizje, furnizim dhe reagim të shpejtë në rajonin tonë, nga Shqipëria në Bullgari, nëpërmjet Maqedonisë. Shqiptarët kanë dyfish interes në këtë rast, sepse kështu kontribuojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen pikërisht nga fuqi që historikisht nuk kanë qenë miqësore me Shqipërinë dhe shqiptarët. Korridori VIII ul varësinë e NATO-s nga rrjete që kalojnë përmes shteteve me interesa dhe mbështetje ruse/kineze në rajon, të cilat shpesh kanë edhe objektiva që nuk përputhen me ato të Shqipërisë dhe Kosovës. Në përfundim, Porti i Durrësit/Vlorës dhe Korridori VIII janë shumë më tepër sesa projekte infrastrukturore. Ato janë instrumente të zhvillimit ekonomik, të rritjes së konkurrueshmërisë, të forcimit të rolit të Shqipërisë në rajon dhe të garantimit të sigurisë kombëtare përmes integrimit më të thellë me hapësirën euroatlantike. Edhe nëse këto projekte nuk renditen ndër prioritetet kryesore të BE-së, për Shqipërinë ato mbeten jetike. Porti i Durrësit dhe Korridori VIII janë ndër asetet më strategjike që kemi, dhe pikërisht për këtë arsye duhet të bëjmë maksimumin për t’i zhvilluar, modernizuar dhe shfrytëzuar në interes afatgjatë të vendit. Ato kurrsesi nuk duhet të kthehen në objekt pazari të politikanëve tanë për të marrë mbështetje për të sunduar mbi ne.



















