Pritjes së gjatë të të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar gjatë muajve tetor-nëntor 2018 për Lotarinë Amerikane 2020 së shpejti i vjen fundi. Në datën 7 maj 2019 bëhen publike emrat e fituesve të përzgjedhur në mënyrë rastësore për fazën e parë të programit të lotarisë. Që prej kësaj date aplikantët shqiptarë mund të kontrollojnë nëse janë fitues në faqen zyrtare të E-DV. Ambasada Amerikane bën me dije se aplikantët mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim, duke kontrolluar online, nëse janë fitues ose jo. Përzgjedhja është rastësore përmes një shorti kompjuterik, ndërsa nuk ka asnjë tarifë për tu paguar. “Për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2020 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve”, – thuhet në deklaratën e Ambasadës.



















