Një tjetër problematikë serioze rrugore raportohet nga qytetarët. “Përshëndetje joq, aksi Peshkopi–Brezhdan është në gjendje shumë të keqe”, shkruan një qytetar, duke dërguar edhe pamje që tregojnë qartë degradimin e këtij segmenti rrugor. Rruga paraqitet e amortizuar, me gropa të shumta dhe asfalt të shkatërruar, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Sipas banorëve dhe drejtuesve, që e përdorin çdo ditë këtë aks, dëmtimet janë shtuar me kalimin e kohës dhe mungesa e ndërhyrjeve ka bërë që situata të përkeqësohet ndjeshëm. Gropat e thella përbëjnë rrezik real për automjetet dhe rrisin mundësinë e aksidenteve, veçanërisht në kushte moti të keq. Qytetarët kërkojnë vëmendjen e kryebashkiakut të Dibrës, Rahim Spahiu për të marrë masa sa më parë, duke theksuar se aksi Peshkopi–Brezhdan është mjaft i rëndësishëm për lëvizjen dhe lidhjen e zonës. Sipas tyre, neglizhenca ndaj kësaj rruge po cënon seriozisht sigurinë rrugore dhe jetën e përditshme të banorëve.




















