Gëzim Zilja: Për kulturën dhe ringritjen shqiptare

1895
Sigal

Për kulturën dhe ringritjen shpirtërore.

Requiem për  vitin 1997

Nga Gëzim ZILJA

Po mbushen gati 23 vjet nga ngjarjet e vitit 1997, që nuk u zbardhën kurrë megjithëse dihet se vrasësit dhe ”shpëtimtarët” e Shqipërisë ishin të njëjtit njerëz. Pjesa më e madhe e shkaktarëve të trazirave të vitit 1997 janë sërish në majat e pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik e vazhdojnë po atë gjuhë urrejtjeje dhe shkatërruese. “Ju, ju e bëtë! Ju vodhët paratë e popullit. Ju jeni kriminelët dhe shkaktarët e atyre ngjarjeve. Ju i kthyet pushkën popullit. Ju veshët nënat me të zeza,” ulërin njëra palë, duke sjellë shembuj, fakte, dhe veprime të vërteta e të pavërteta të qeverisë dhe institucioneve të asaj kohe. “Ju hapët depot e armëve dhe organizuat revolucionin e armatosur evgjito-fshatar sipas formulës komuniste të marrjes së pushtetit me dhunë. Ju dogjët bashkitë, shkollat e bibliotekat, sulmuat komisariatet, vratë policët dhe bashkëpunuat me bandat e kriminelët…”, gjëmon pala tjetër duke sjellë më shumë fakte e shembuj të veprimeve të opozitës së atëhershme të vërteta dhe të pavërteta. Të analizosh pas kaq shumë vitesh bardhezi, pa ndjerë pendesë e keqardhje, kur një shtet i gjithë u gjunjëzua, u shpartallua me gjithsej dhe u kthye në tokë të djegur nga bijtë e vet, kjo të ngjall jo vetëm trishtim por edhe një pesimizëm gati të pashërueshëm. Çaste çmendurie ka pasur në kohë dhe periudha të ndryshme edhe në popuj të tjerë, por pas stuhisë vijnë ditë të bukura e shndrit sërish dielli. Pas ngjarjeve të vitit ’97 populli shqiptar priste nga bijtë e vet drejtues, dënimin e dhunës dhe të njerëzve që e shkaktuan, sipas ligjeve dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dënimi i nja dy-tre caushëve dhe xhepexhinjëve ishte i pamjaftueshëm dhe nuk e vendosi në vend drejtësinë. Qeveritë shqiptare, me klanin e miqtë në njërin krah dhe në tjetrin servilët e intrigantët iu vërsulën Shqipërisë, duke e vjedhur e plaçkitur e dalëngadalë u shkrinë duke u bënë njësh me trafikantët, hajdutët, vrasësit e antishqiptarët. Kjo ndodhi e do të ndodhë në një shoqëri të molepsur e të sëmurë, që nuk analizon kurrë veten e vet, rrugën nga vjen e ku shkon, që shkruan, rishkruan e falsifikon historinë  sipas interesave klanore e partiake, duke e zhytur thellë e më thellë në varfëri e padrejtësi vendin e shqiponjave. Sipas statistikave zyrtare të nxjerra nga Ministria e Rendit për periudhën 01.01.1997 – 15.07.1997 në shkallë vendi janë këto pasoja:

Të vrarë me dashje           875

Të plagosur me dashje      825

Të vrarë aksidentalisht     101

Të plagosur aksidentalisht  278

Policë të vrarë                    43

Policë të plagosur              201

Kush do t’i mbajë në ndërgjegje këta njerëz të vrarë si shkak i shpërbërjes së shtetit, në harkun kohor të gjashtë muajve?

Si reaguan qeveritë e post ’97-ës për të vendosur drejtësinë?

A kemi ne sot vrasës, zjarrvënës ose bashkëpunëtorë të tyre, në institucionet e larta shtetërore?

Për djegien e Bashkisë së Vlorës dhe arkivit u arrestuan mbi 20 persona dhe u shpallën në kërkim shumë të tjerë, të filmuar e dokumentuar gjatë aktit. Të gjithë u liruan dhe disa prej tyre arritën të bëhen shefa policie, prefektë e ndonjëri ministër. Nuk dihet se ç’bëri me atë dosje voluminoze prokurori vlonjat E. H. që lëshoi fletë arrestet atë kohë.  Që një grup banditësh të quajtur heronjë  ( Zan Caushi, Albert Shyti, etj.) nga disa gazetarë, zunë faqet e para të revistave e gazetave shqiptare, grabitën bankat e morën njerëz peng në shkëmbim të parave e kuptoj. Po “nuk kuptoj” pse ata iu vërsulën, dogjën e shkatërruan arkivat e shtetit,  muzeumet, bibliotekat, shkollat, universitetet, teatrot, vendet ku ruhej trashëgimia kulturore, duke futur duarte tyre të ndyra deri te

Memoriali i Skënderbeut, kur dihet që në ato vende nuk ka para?

Atëherë kush i drejtoi andej dhe i pagoi ata?

Në librin “Skaner 1997”, janë dy foto të pikturave me ngjyra në vaj-kanavacë, 120cmx80cm, të Ismail Qemalit, njëra e grisur me thikë në formën e kryqit dhe tjetra gjithë vrima plumbash. Shkatërrimi i bibliotekës së qytetit të Vlorës, grisja dhe vënia e zjarrit qindra e qindra volumeve, ia kalonte dhe skenave të inkuzicionit mesjetar. Vërtet nuk u hodh në turrën e zjarrit ndonjë Xhordano Bruno, por u dogjën e grisën veprat e qindra shkencëtarëve, shkrimtarëve e poetëve përfaqësues të kulturës botërore dhe shqiptare. Ishte sikur të digjje ata vetë. Ironia dhe poshtërsia shprehej po ato ditë, me gojën e buzët gjithë yndyrë arapashi, të një (jo i vetmi) prej përfaqësuesve të letërsisë shqiptare dhe analist i përditshëm në ekranet e sotme që shprehej më 06.04.1997: “… Kjo që po them ka vlerë për ata që nuk janë informuar së fundmi e nuk kuptojnë gjërësinë e raporteve tona me Vlorën, me këtë Bastijë të Shqipërisë, që na i bëri të prekshme idealet e lirisë, drejtësisë, barazisë e vëllazërimit…” Po të kemi parasysh se ndërkohë në Vlorë i kishin vënë zjarrin bashkisë, komisariatit, prokurorisë, bankës së shtetit, ishin hapur depot e reparteve ushtarake, armët e kriminelëve vrisnin çdo ditë njerëz të pafajshëm e varrmihësit atje në varreza punonin me orar të zgjatur, komenti është i tepërt.

A ishin gjithë këto rastësira?

Turmat e përfaqësura nga segmente të gangsterëve të dalë nga burgjet dhe të tjerë të hurit e të litarit, të nxitura nga intelektualë të paguar, i vunë zjarrin Shqipërisë dhe u përpoqën të godisnin për vdekje kulturën e historinë shqiptare. Ishte e njëjta dorë ( e shfaqur dhe në vitet ’90-’91) që vepronte në të dy anët e kufirit, që nuk u pa dhe analizua asnjëherë nga organet e specializuara. Politikanët, gazetarët, filozofët, historianët, shkrimtarët e poetët që i hodhën benzinë zjarrit, u shërbyen lloj-lloj larove të huaj,  dhe vunë partinë para Shqipërisë, mirë do të ishte të ulnin daullet e trumpetat e luftës (ata kurrë nuk kërkojnë falje) e të mos shkruajnë e flasin me gjuhën e urrejtjes midis shqiptarëve, duke bërë patriotin e nacionalistin e thekur. Kjo gjuhë mund të jetë në favorin e tyre partiak, personal apo korrenteve të huaja ekstremiste, por kurrsesi në favor të drejtësisë, të përparimit e të ardhmes së popullit shqiptar. Ata duhet të ngjallin shpresën, besimin se ky vend meriton të shkojë përpara, duke i dhënë përparësi rilindjes shpirtërore e të mos shndërrohen si deri sot në vajtojca, (gra që paguhen për të vajtuar të vdekurit) duke bërë, që në shumë emisione televizive, të këndojnë kukuvajkat e korbat, që mbjellin pesimizmin, urrejtjen, kaosin, pasigurinë, duke përjetësuar sundimin e korruptuar të qeverive, për hir të një page mujore disa milionëshe.