Ja arsyet pse Jonida është fituese e Eurosong-ut

968
Sigal

“Shqiponja prek qiellin, sytë dhe këmbët rikthen gjithmonë në tokë”. Kështu e cilësoi Jonida Maliqi, performancën e saj në gjysmë-finalen e festivalit Europian të Këngës. Mbrëmjen e sotme, të gjithë sytë do të jenë tek “Eurovision Song Contest 2019”. Në skenën e Tel Avivit në Izrael, do të ngjitet si finaliste Jonida Maliqi. E cilësuar si “Mbretëresha Ilire” e Eurosong-ut, kjo për shkak të veshjes magjike me detajet e filigramës dhe të xhubletës, shqiptarët do të kenë mundësinë që të rrënqethen edhe njëherë nga zëri potent dhe grimcat e veçanta që depërton Jonida në 3 minuta performancë në skenë. Shqipëria siguroi biletën për në finale dhe tani emocionet janë më të shumta, edhe pse Jonida thotë se: “Jemi në finale por tashmë unë mendoj se kemi fituar, jo vetëm me kualifikimin por edhe me njëri-tjetrin! U bëmë bashkë si kurrë më parë dhe unë për këtë ju jam pafund mirënjohëse! Ju dua shumë, shihemi në finale”.

1-Këndohet shqip

Në skenën e madhe të Eurosong-ut dëgjohet shqip. Jonida këndon shqip pasi kështu e kërkuan edhe fansat e huaj. Kjo e bën Jonidën edhe më të sigurtë në skenë. Pasi mesazhin për miliona shqiptarë që janë emigrantë e jep të drejtëpërdrejtë. Kënga është krijuar në shqip dhe nëse do të ishte kthyer në anglisht, do të humbiste origjinalitetin. Kjo është pika A e fitores, në garë me gjuhën tonë.

2- Mesazhi

Ndodh që në skenën e Eurovisionit një ritëm si “Fuego” që Eleni Foureira e shndërroi në hit të jashtëzakonshëm por që në anën tjetër, të bën të mos e kujtosh tekstin, pra përmbajtjen. Me “Ktheju Tokës” është krejt e kundërta. Të gjithë të paktën dinë diçka nga kënga. “Ktheju Tokës tënde, o njeri që zemrën lë peng! Ktheju Tokës tënde, ti e di një zemër të pret…. Fabula e këngës është emigrimi dhe njeriu që braktis tokën e tij për një jetë më të mirë por që Jonida i thërret pasi në tokën e lënë ata kanë një zemër. Pra elementi i dytë është një mesazh i fuqishëm, jo vetëm për t’iu rikthyer tokës mëmë por edhe të prekësh tokën, të jesh më njerëzor dhe të kesh shpresë.

3-Muzika

Tek “Ktheju Tokës” janë në harmoni të gjithë elementet e folklorit shqiptar, nga secila krahinë janë marrë dhe janë bashkuar këngës, duke krijuar një mozaik kulturash brenda një kënge 3 minutëshe. Edhe pse Eurovisioni kërkon ritme moderne, Shqipëria gjithmonë është kujdesur që të bëjë pjesë të këngës, motivet e bukura të instrumenteve tradicionale pasi në fund të fundit, Eurosong ka nevojë për muzikë origjinale, jo muzikë “Fast-Food”.

4- Zëri që magjepsi Europën

Janë me mijëra video të reagimeve të europianëve e jo vetëm që i’u bëhet mishi morrnica-morrnica nga zëri i Jonidës. Në natën e dytë në gjysmë-finale, edhe faqja zyrtare e Eurovision-it, e vuri në pah këtë fuqi të Jonidës. “WOW! Stunning vocals”. Fuqia, madhështia, grimcat, janë disa nga elementët e zërit që magjepsi Europën e jo vetëm. Jonida do të kujtohet gjithmonë si zëri magjepsës i ”Eurovison Song Contest 2019”.

5-Elementët e performancës

Tokë, zjarr, ajër, fole, shqiponjë, janë këto disa nga elementët e video-klipit të këngës “Ktheju Tokës” që erdhën edhe në skenën e Eurosong-ut e që lidhen më së miri me mesazhin e këngës. Video-ja nis me Jonidën e cila nga mbrapa merr formën e një shqiponje dhe më pas me zjarrin që djeg folenë e ku duken njerëz që lëvizin për të dalë. Kjo simbolizon Shqipërinë dhe njerëzit që largohen dita-ditës. Pjesa skenike është në ngjyrat kuq e zi, e pastër dhe pa shumë shpërqëndrim nga skena qendërore. Një nga pikat e bukura të performancës është dhe veshja. Një vepër arti e krijuar nga stilisti Ardi Asllani, ku janë të ndërthurur elementët e traditës. Mbretëreshë Ilire me detajet e filigramës dhe të xhubletës që lidhen më së miri me mesazhin dhe të gjithë komponentët e këngës.

6- Media

Për më shumë se 3 muaj, shtypi i huaj ka shkruar për të. Për dy javë, Jonida ka qenë nën fokusin e medieve prezente në Tel Aviv dhe ka dhënë me qindra intervista. Një interesim i madh për të. Ndryshe nga kolegët e saj në Eurosong, Jonida në mënyrë fisnike ka shpërndarë në Instagramin e saj, të gjitha reagimet nga kushdo. Kjo e bën edhe më veçantë artisten tonë. Në faqen e Wiwiblogs, faqja më e madhe e fancave të Eurovisionit, në sondazhin para netëve finale, Jonida u rendit në vendin e dytë si pretedente për fituese.

Si do që të shkojë votimi gjeo-politik, kënga etno-baladë e Jonida Maliqit dhe Shqipëria, e kanë marrë fitoren në këtë edicion, ne jemi zëri që magjepsi Europën.

Sonte të gjithë shqiptarët kudo që janë, duhet të votojnë nr.2!