Do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, Ronela Hajati zbulon detaje nga performanca

Ronela Hajati, këngëtarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision për vitin 2022 ka publikuar para disa ditësh klipin e këngës së saj Sekreti.

E ftuar në emisionin “Ditë pas dite”, ajo ka ndarë disa detaje për performancën që do të zhvillojë në skenën e Torinos.

Sigal

“Pa modesti fare e them që do të jetë një super performancë në gjithçka, që nga look-u e deri te pjesa e baletit. Nuk po zbuloj më tepër, por do të jetë vërtetë shumë e bukur,”- tha ajo.

Ronela tregoi se ditët e realizimit të klipit kanë qenë shumë të ftohta, e pavarësisht kësaj është bërë një punë kolosale. Ajo u shpreh se ka idenë që dashuritë e mëdha i rezistojnë kohës, e pikërisht këtë donte të përcillte. Fabulën e kësaj ideje e përcolli në mënyrën më të mirë të mundshme Ledion Liço.

Ronela tha se kishin si qëllim të sillnin shumë elementë shqiptarë, prandaj lidhej me “Gjarprin e Bistricës” (mitologji), apo me emrin Vjosa, që simbolizon lumin e fundit të egër të Evropës.

Ndërkohë, sa i takon përdorimit të anglishtes në tekst, Ronela nënvizoi se ka pasur njerëz që nuk e kanë pëlqyer fare as tekstin shqip dhe tashmë janë mësuar me këngën, madje e duan. Sipas saj, njësoj do të ndodhë dhe me versionin e ri.

Ndër të tjera tha se pritshmëritë po i mban të ulëta në mënyrë që të shmangë zhgënjimin. Ajo pretendon finalen dhe kjo do ishte gëzimi më i madh, pavarësisht se do bëjë më të mirën për të përfaqësuar Shqipërinë denjësisht.