Përdorimi i pesticideve të ndaluara në fruta dhe perime, është konsideruara gjenocid ndaj popullsisë. Nga një invsetigim i rrjetit BIRN, rezulton se në Shqipëri vijojnë të tregtohen pesticide të ndaluara, të cilat janë nxjerr prej vitesh nga tregu i Bashkimit Evropian. Këto pesticide përdoren nga fermerët shqiptarë, duke bërë që produktet që shiten për konsumatorët, të kenë përmbajtje lëndësh të rrezikshme për shëndetin. Nga investigimi rezulton se institucionet shtetërore kanë dështuar të parandalojnë shitjen e këtyre produkteve.
Genocid ndaj popullsisë e cilëson një investigim i BIRN, përdorimin e pesticideve të ndaluara në fruta dhe perimet që konsumojnë qytetarët shqiptarë. Një numër pesticidesh të ndaluara prej vitesh në tregun e Bashkimit Evropian, vazhdojnë të tregtohen në Shqipëri duke përbërë një rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve. Më 29 nëntor, një ngarkesë me mandarina të prodhuara në Shqipëri u ndalua në Kroaci pasi analizat treguan përmbajtje të Chlorpyrifos – një pesticid i ndaluar nga Bashkimi Europian që në vitin 2020. Të dhënat e mbledhura, dëshmojnë se qeveria neglizhoi për mungesë kapacitetesh njerëzore dhe paqartësi ligjore monitorimin e vazhdueshëm dhe në kohë, të përdorimit të pesticideve duke çuar në tregtim të produkteve bujqësore mbi normat e lejuara.
Autoritetet gjithashtu mbyllën një sy ndaj përdorimit nga fermerët të pesticideve të rrezikshme, të ndaluara prej vitesh në vendet e BE-së, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe cilësinë e eksporteve shqiptare. Ministria e Bujqësisë pranoi në përgjigje të një kërkesë për informim se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta perime 7 pesticidet të ndaluara si; ”chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”. Përfaqësues të laboratorëve privatë i thanë BIRN se kanë konstatuar shumë raste të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) të ndaluara në analizat e tyre. Të dhënat tregojnë se agjencitë shtetërore përgjegjëse për monitorimin e qëndrueshëm të përdorimit të PMB-ve në produktet e tavolinës kanë dështuar, si pasojë e paqartësisë ligjore, neglizhencës dhe mungesës së kapaciteteve.
Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) janë përgjegjës për kryerjen e inspektimeve dhe testimin e mostrave të produkteve që tregtohen, por ato dështuan ta realizonin këtë detyrim ligjor për vite me radhë, duke bërë analiza të pakta në numër, të vonuara në kohë. Ekspertët po ashtu kërkojnë që protokollet e kontrolleve të ndiqen njësoj si për produktet vendase dhe ato që importohen, për të cilat deri tani shteti shqiptar duket se është mjaftuar një certifikatë origjinës së mallit.