Sa të rrezikshme janë mutacionet e koronavirusit të ri

304
Sigal

Nga Ian Sample, The Guardian

Shkencëtarët kanë gjetur prova se mutacionet te disa variacione të koronavirusit sugjerojnë se patogjeni mund të jetë duke u përshtatur për njerëzit pas ‘derdhjes’ nga lakuriqët.

Analizat e më shumë se 5300 gjenomëve të koronavirusit në 62 vende tregojnë se ndërsa virusi është mjaft i qëndrueshëm, disa kanë fituar mutacione, përfshi dy ndryshime gjenetike që ndryshojnë ‘proteinën thumb’ që virusi përdor për të infektuar qelizat njerëzore.

Studiuesit në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër theksojnë se është e paqartë se si mutacionet ndikojnë te virusi, por pasi ndryshimet u shfaqën në vende të ndryshme, kjo mund të ndihmojë që virusi të përhapet më lehtë.

Mutacionet e ‘thumbave’ janë shumë të rralla për momentin, por Martin Hibberd, profesor i sëmundjeve infektive dhe autor kryesor i studimit, tha se shfaqja e tyre thekson nevojën për një mbikëqyrje globale të virusit në mënyrë që ndryshimet shqetësuese të kapen në kohë.

“Kjo është ajo për të cilën duhet të kujdesemi tani,” tha Hibberd. “Njerëzit janë duke prodhuar vaksina dhe kura të tjera kundër këtyre ‘thumbave’ të proteinës, sepse duket një objektiv shumë i mirë. Ne duhet të kemi vëmendje të sigurohemi që çdo mutacion nuk e zhvlerëson asnjë prej këtyre qasjeve”.

Studimet e virusit zbuluan që herët se forma e proteinës në majë i lejon virusit që të lidhet me qelizat njerëzore në mënyrë më efikase se SARS, një virus që shkaktoi epideminë e vitit 2002. Ky dallim mund të ketë ndihmuar që koronavirusi i ri të përhapet me shpejtësi rreth botës.

Shkencëtarët do të shqetësohen nëse shfaqen mutacione të gjera te ‘thumbat’ e proteinës, jo vetëm sepse kjo ndryshon mënyrën se si vepron virusi. ‘Thumbat’ e proteinës janë objektivi kryesor i vaksinave kryesore në të gjithë botën, dhe nëse ato pësojnë mutacione të mëdha, vaksina mund të mos funksionojë.  Edhe ilaçet e tjera të mundshme, të tilla si antitrupat sintetikë që futen te ‘thumbat’ e proteinës, gjithashtu do bëhen më pak efikase.

“Ky është një paralajmërim i hershëm”, tha Hibberd. “Edhe nëse këto mutacione nuk janë të rëndësishme për vaksinat, mutacionet e tjera mund të jenë dhe ne duhet të ruajmë mbikëqyrjen tonë, kështu që mos prodhojmë një vaksinë e cila funksionon vetëm për disa variacione”.